Perceptime të marrëdhënieve shqiptaro-turke

Edhe nacionalizmat e mirëfilltë turk e shqiptar, qysh në fillimet tyre, kanë pasur interesa që më shumë të mbështeteshin tek njëri-tjetri se të përplaseshin, siç u ka ndodhur me nacionalizmat e tjerë ballkanikë, të cilët lakmonin jo vetëm dëbimin e Perandorisë Osmane nga Ballkani, por dhe copëtimin, midis tyre, të territoreve etnikisht shqiptare

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Prej kohësh jemi ndeshur me mendimin se në Ballkan të gjithë e urrejnë njëri-tjetrin dhe të gjithë së bashku i urrejnë turqit. Ky mendim i formuluar në kohën e shpërbërjes së Perandorisë Osmane mund të themi se në njëfarë mënyre u vërtetua gjatë Luftërave Ballkanike (1912-13). Përjashtim bëjnë vetëm shqiptarët, që nuk u bashkuan me koalicionin e popujve e shteteve ortodokse kundër Perandorisë Osmane. Në kohën e sotme është qesharake të mendosh se mund të ketë terren për të ndjekur arsyetimin e mësipërm. Por, edhe sot te disa shqiptarë ekziston një mendim absurd e qesharak se atëherë shqiptarët duhej të ishin të bashkuar me koalicionin ballkanas anti-osman dhe sot bashkë me ballkanasit e tjerë duhet t’i kundërvihen të ashtuquajturit neo-otomanizëm të Turqisë së re, e cila në fakt qysh nga themelimi saj ka qenë aleate e shqiptarëve. Nuk synoj të paraqes këtu ndonjë tablo konkrete mbi zhvillimet e hershme e të sotme të marrëdhënieve shqiptaro-turke, por do të parashtroj lirshëm disa perceptime si qytetar shqiptar, me njëfarë përvoje në fushën e mendimit e të veprimit diplomatik e politik, duke u nisur nga bindja dhe fakti se, për shkak të rrethanave ballkanike, Turqia mike dhe kombi turk janë aleatët më të natyrshëm, më të afërt e më të sinqertë të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë.

*          *          *

Në të folurën politike zyrtare dhe në propagandën shqiptare përdoren shpesh termat se Shqipëria është në partneritet strategjik me një numër shtetesh. Kam përshtypjen se është pakëz i tepruar një vlerësim i tillë i pozitës së sotme të Shqipërisë si partnere strategjike, në kuptimin e plotë të fjalës, sidomos me shtete që luajnë role parësore në zhvillimet europiane e botërore. Potencialet e kufizuara dhe gjendja e pastabilizuar ende nuk i lejojnë Shqipërisë të jetë më shumë se ajo e një partneri strategjik asimetrik me disa shtete të tjerë. Ndërkaq copëtimi kombëtar ua zvogëlon shqiptarëve aftësinë për të luajtur realisht rolin që u përket si faktor stabilizues në Ballkan. Por, nevojat kombëtare e shtetërore i detyrojnë shqiptarët e Shqipërinë të kërkojnë partneritetet strategjike më të mundshme, duke i bazuar në premisa reale, interesa objektivisht të qëndrueshme, të sinqerta dhe afatgjata. Partneritete të tilla të mirëfillta strategjike Shqipëria nuk mund t’i realizojë me një numër të madh shtetesh, madje as me çdo aleat të NATO-s, sepse kjo Aleancë është ngritur mbi politika dhe interesa globale, jo mbi përputhje të plotë të objektivave aleancore të të gjithë anëtarëve.

Nga ky këndvështrim jam i prirë të veçoj karakterin më të natyrshëm, e veçanërisht të dobishëm, të partneritetit strategjik asimetrik të Shqipërisë me Turqinë, që është një fuqi rajonale në zonën përreth nesh dhe ka treguar, shpesh me fakte, vullnetin e mirë e vendosmërinë e sinqertë që t’u gjendet në krah Shqipërisë e shqiptarëve në situata të turbullta e të rrezikshme për identitetin, dinjitetin e sigurinë e tyre shtetërore. Partneritetin asimetrik strategjik turko-shqiptar e favorizojnë interesat e përbashkëta, pikëtakimet e shumta për mirëkuptim politik e shpirtëror dhe mungesa e ambicieve të kundërta, që mund të çojnë në fërkime e përplasje veprimtarish shtetërore.

Marrëdhëniet e sotme shqiptaro-turke janë fatmirësisht mjaft të gjera, kanë rrënjë të thella dhe zhvillohen në një sfond historik të pandryshueshëm, që jep siguri edhe për të ardhmen. Kontaktet e para turko-shqiptare kanë nisur me ballafaqime popullsish e formacionesh parashtetërore në Mesjetë. Por, siç urdhërojnë shpesh ligjësitë e zhvillimit historik, ato janë zhvilluar e forcuar më vonë si marrëdhënie bashkëveprimi midis kombesh në formim, deri në daljen në skenë të shteteve kombëtare, shqiptar e turk, që objektivisht u vunë në pozitat e aleatëve qysh në hapat e tyre të parë të jetës, si subjekte të veçanta të së drejtës ndërkombëtare moderne. Edhe nacionalizmat e mirëfilltë turk e shqiptar, qysh në fillimet tyre, kanë pasur interesa që më shumë të mbështeteshin tek njëri-tjetri se të përplaseshin, siç u ka ndodhur me nacionalizmat e tjerë ballkanikë, të cilët lakmonin jo vetëm dëbimin e Perandorisë Osmane nga Ballkani, por dhe copëtimin, midis tyre, të territoreve etnikisht shqiptare. Është një ngjarje domethënëse që në vitet 1912-13 ushtarët osmanë e shqiptarë luftuan nën komandë të përbashkët dhe shpëtuan Shkodrën shqiptare nga kërcënimi pushtues e aneksues malazez, çka nuk u arrit për Janinën që u aneksua nga Greqia.

Si rregull historia e vulos për periudha të gjata, ose edhe përgjithmonë, fatin e njerëzve e të popujve. Shqiptarët e turqit e kanë ndarë bashkë, për mirë e për të keq, fatin në Perandorinë Osmane dhe kanë qenë për shekuj edhe në simbiozë pushtetore, kulturore e fetare. Gjurmët e këtyre dukurive janë të pashlyeshme, pavarësisht nga disa perceptime të gabuara, konfuze, kontradiktore e herë-herë antiturke, që vihen re ende sot në mendimin politik, në historiografinë dhe në propagandën shqiptare dhe që ndikojnë nganjëherë keq në mendësitë popullore në Shqipëri. Prandaj, ndodh që të bëhen polemika të ashpra në mendimin politik e publicistikën shqiptare për vendin që e kanë pasur e dobinë që e kanë nxjerrë shqiptarët gjatë shekujve të përfshirjes në Perandorinë Osmane, për të mirat që kanë Shqipëria e shqiptarët nga roli i sotëm dhe pesha në rritje e Turqisë në zhvillimet e ngjarjeve ballkanike e më gjerë. Është gjë pozitive që politikat zyrtare shtetërore në Shqipëri, gjatë gjithë kohërave e regjimeve politike, nuk kanë lejuar të dëmtohen në mënyrë të pandreqshme marrëdhëniet e mira ndërshtetërore shqiptaro-turke, për shkak të disa perceptimeve të gabuara nga rryma të ndryshme të mendimit politik shqiptar. Është gjë pozitive që edhe sot politika qeveritare shqiptare vijon në të njëjtën traditë.

Një gjë me shumë vlerë është se politikat zyrtare shtetërore turke janë treguar gjithmonë fisnike e mirëkuptuese ndaj problemeve që i ka kaluar Shqipëria dhe nuk kanë shfaqur shenja padurimi ndaj paqartësive të vërejtura herë pas here në politikën e propagandën shqiptare. Kjo dashamirësi edhe sot është një mbështetje e fortë për dëshirat e ndërsjella që marrëdhëniet të shkojnë sa më përpara. Prandaj, u takon mekanizmave të shtetit e të shoqërisë shqiptare tani t’i vlerësojnë me seriozitet paralajmërimet e shtetit turk që në Shqipëri të shmangen ndikimet e dukurive që kanë krijuar shqetësime brenda në Turqi.

Një faktor mirëbërës me rëndësi parësore në marrëdhëniet shqiptaro-turke është opinioni zyrtar e publik në Turqi, që ka qenë dhe mbetet tejet pozitiv ndaj shqiptarëve, për çka ne duhet të jemi mirënjohës. Në krijimin e forcimin e këtij opinioni dhe të politikës mirëdashëse të shtetit turk ndaj shqiptarëve e ka rolin e vet të madh e të pazëvendësueshëm prania në Turqi e disa milionë shtetasve turq me prejardhje shqiptare. Këtë faktor, mbase, duhet që të dyja palët ta vlerësojnë e shfrytëzojnë edhe më shumë se deri sot.

Republika e Turqisë dhe Republika e Shqipërisë kanë interes t’i kushtojnë vëmendje të përbashkët edhe një realiteti të veçantë shqiptar të krijuar në Ballkan, pas njohjes së Republikës së Kosovës si shtet i pavarur e sovran, që ka nevojë për mbështetje të gjithanshme. Në Ballkan ka probleme shqetësuese e tensione në rritje për shkak të diskriminimit të pjesëve të kombit shqiptar, që kanë mbetur jashtë dy shteteve shqiptare, Shqipërisë e Kosovës, si dhe të pakicës kombëtare shqiptare, që nuk njihet në Greqi. Shumica e shqiptarëve e ka pritur me mirënjohje të thellë kujdesin që ka treguar e tregon Republika e Turqisë për çlirimin e pavarësimin e Kosovës, sidomos njohjen e menjëhershme të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, si dhe mbështetjen e sinqertë turke për forcimin e shtetshmërisë ende të kërcënuar të këtij shteti të ri. Por, shqiptarët janë të dëshiruar që nga Turqia t’u vijnë edhe më shumë shenja mirëkuptimi për çështjen e pazgjidhur kombëtare shqiptare në tërësi. Kjo çështje përbën paradoksin aktual më të madh, sepse është e vetmja çështje kombëtare që ka mbetur e pazgjidhur qysh nga shpërbërja e Perandorisë Osmane. Në këtë kuptim mund të thuhet se hija dëshpëruese, që la pas për shqiptarët shpërbërja e kësaj Perandorie, që çoi në copëtimin e trojeve shqiptare, ende nuk është davaritur tërësisht. Njerëzit me gjak shqiptari në Ballkan ose edhe në Anadoll, nuk mund ta kenë shpirtin e mendjen plotësisht të qetësuar kur problemi kombëtar shqiptar nuk është përmbyllur.

Vëmendja e politikave zyrtare dhe mendimi politik e historiografik në Shqipëri e në Turqi duhet të drejtohen më shumë tek trashëgimitë historike dhe pasojat e tyre të sotme, që nuk kanë gjetur rregullimin përfundimtar. Opinioni publik shqiptar ka shumë nevojë të qartësohet për këto trashëgimi e këto pasoja, sepse – për fat të keq – herë pas here në mendimin politik e propagandën shqiptare shpërthejnë edhe fushata që i fajësojnë osmanët e djeshëm e turqit e sotëm edhe për të këqijat që kombit e shteteve shqiptare ua kanë sjellë dhe ua sjellin të tjerët. Në dijeninë time në Turqi nuk ndodh që shqiptarët të fajësohen për ndonjë pësim historik të kombit turk. Ndonëse historia e marrëdhënieve shtetërore midis Shqipërisë e Turqisë është e shkurtër, historia e simbiozës në marrëdhëniet pushtetore e shtetërore e kulturore midis shqiptarëve e turqve është shumë e gjatë dhe e larmishme dhe ka lënë vulë të pashlyeshme në proceset e formimit e të formësimit të dy kombeve modernë të sotëm, në lindjen e forcimin e nacionalizmave shqiptar e turk.

Në këtë sfond historik ka vlerë të madhe të nxirret edhe sot si duhet në pah fakti që shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë e hapësirat e tjera etnike të tyre janë një komb me shumicën dërrmuese të popullsisë të besimit mysliman, janë praktikisht kombi europian më i madh autokton me këtë përkatësi fetare të veçantë në Europë. Kjo e vë Turqinë, si vend mysliman, në pozitën e shtetit e të kombit më të përshtatshëm për t’u dhënë këtyre lidhjeve shpirtërore turko-shqiptare peshën që u takon në zhvillimet e përgjithshme ballkanike dhe europiane. Shqiptarët nuk kanë përse të frikësohen nga interesimi i Turqisë në këtë drejtim, sepse ajo ka të drejtën dhe barrën historike e shpirtërore të veprojë kështu. As europianët nuk kanë përse t’i shohin me dyshim marrëdhëniet më të ngushta shqiptaro-turke për shkak se në të dyja vendet Islami është feja mbizotëruese, sepse edhe në praktikat europiane përkatësia fetare në Krishterizëm trajtohet si faktor kompaktësues i lidhjeve midis shteteve, popujve e shoqërive qytetare. Besoj se edhe turqit nuk kanë përse të stepen për t’i trajtuar lidhjet fetare turko-shqiptare si faktor plotësues për lehtësimin e rolit e të ndikimit të Turqisë si fuqi rajonale ballkanike.

Nuk mund ta anashkaloj as përshtypjen se mekanizmat e integrimit europian dhe politika e disa shteteve në gjysmë heshtje kanë një sjellje të posaçme ngurruese ndaj pranimit të Turqisë e të Shqipërisë në BE dhe, prej vitesh, kërkojnë një zgjidhje hibride që Turqia e Shqipëria, me përkatësi në fenë islame, të shmangen nga rruga normale e pranimit në BE. Është bërë trysni e hapur propagandistike mbi shqiptarët se pa një konvertim masiv të myslimanëve në të krishterë Europa e ka të vështirë t’i pranojë në gjirin e saj. Në politikën europiane dallohen edhe prirje që përkatësia islame e shumicës së popullsisë së Shqipërisë e të Kosovës të bëhet sa më e padukshme, madje janë përvijuar zgjidhje anakronike, që në Europën e Bashkuar të mos figurojnë zyrtarisht dy shtete anëtarë shqiptarë. Po kërkohet një version i modifikuar rregullimi me mbivendosje shtetërore, si në Bosnjë, që prania e elementit mysliman të mos bjerë fort në sy në fizionominë e shtetshmërisë së shqiptarëve. Këtë shqetësim e ushqejnë përpjekjet e njohura si “Nisma e Berlinit”, për të sajuar në Ballkan një konglomerat të ri mbishtetëror dyqendërsor (Beograd-Tiranë) me emrin e koduar “Ballkani Perëndimor”, që ka gjasa të shoqërohet dhe nga eksperimenti për të formuar një si “Euromilet”, duke bashkëngjitur e shkartisur popullsi me tipare krejt të ndryshme etnike, gjuhësore e fetare. Pra, po përvijohet një kopje e keqe sllavo-shqiptare e ish-Jugosllavisë. Këto zhvillime mund të cenojnë rëndë, në radhë të parë, dy identitetet themelore të shqiptarëve: identitetin kombëtar-shtetëror dhe atë fetar. Prandaj, në gjykimin tim, intensifikimi i marrëdhënieve vëllazërore shqiptaro-turke do t’u jepte më shumë siguri shqiptarëve t’i ruajnë këto dy identitete, sikurse ka pas ndodhur edhe në shekujt e Perandorisë Osmane.

Pranimi i Turqisë në BE do ta mënjanonte pretekstin fetar për trajtim diskriminues të shqiptarëve dhe do ta bënte të pakuptimtë synimin për të mos lejuar “enklava shtetërore myslimane” në Europën e Bashkuar. Më duket e udhës të çojmë në mendje se janë edhe motive të tilla që mbajnë ende pa kurrfarë kuptimi në Ballkan një “njollë të paeuropianizuar”, që ruhet ende pa kurrfarë justifikimi një “geto kosovare” për shqiptarët brenda hapësirës së Europës së Bashkuar dhe që turqit ndjehen për dekada më të margjinalizuarit e kombeve që kanë shprehur me kohë dëshirën për anëtarësim në BE. Pranimi i Turqisë në BE do ta zhdukte “pretekstin fetar mysliman” të mbajtjes larg sa më gjatë të shqiptarëve. Zvarritja e pahijshme e pranimit të Turqisë në BE, me sa duket, po i afrohet pikës më kritike, ku pritet një vendim përfundimtar nga njëra ose tjetra palë. Për shqiptarët kjo do të ketë implikimet veta.

Në rrethanat e sotme, një rëndësi të veçantë për marrëdhëniet e mëtejshme shqiptaro-turke marrin përpjekjet e përbashkëta për ta njohur edhe më mirë e më nga afër njëri-tjetrin. Në Shqipëri qytetarët ende dinë shumë pak për Turqinë e sotme dhe ende më pak për pozitën që e kanë pasur në Perandorinë Osmane. Në Shqipëri janë të paktë mekanizmat studimorë e propagandistikë për t’i dhënë fund kësaj padijenie. Ndoshta nga kujdesi i përkryer për të mos krijuar fije dyshimi për ekspansion propagandistik ose “ambicie neo-otomaniste” të tepruara (siç e përflasin disa shqiptarë), shteti turk është frenuar për t’u përfshirë aq aktivisht sa vende të tjera në Shqipëri në veprimtaritë propagandistike.

Unë kam bindjen se, ashtu si në të kaluarën, edhe në kohën e sotme në çastet më të vështira shqiptarët mund t’i drejtojnë sytë pa ngurrim dhe me besim tek mirëkuptimi e mbështetja prej kombit vëlla turk dhe Turqisë mike, më shumë se ndaj çdo vendi tjetër. Kombi e shteti turk, natyrisht, mund të mos i kenë gjithnjë mundësitë për të ndihmuar aq sa kanë nevojë shqiptarët, sepse vetë përballen me jo pak probleme të vështira brenda vendit e në arenën ndërkombëtare, por kapërcimi i këtyre sprovave me rezultatet e referendumit të 16 prillit 2017 dhe, sidomos, me rezultatet e zgjedhjeve të 23 korrikut 2018 e heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, që shënojnë ndryshime thelbësore në rendin politik politik të Turqisë, do t’i japin dinamizëm të ri politikës për frenimin e gërryerjeve të brendshme në vend dhe rolit diplomatik të Turqisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Këto zhvillime pritet të kenë ndikime të dobishme dhe në marrëdhëniet turko-shqiptare dhe i sjellin dobi Shqipërisë, së cilës prej tri dekadash i gërryhen themelet e ngrehinës politike dhe po i dëmtohet imazhi ndërkombëtar. Shqiptarëve, nga Turqia, mund t’u vijnë vetëm të mira dhe asnjë e keqe. Edhe shqiptarët duhet ta çmojnë e nderojnë në mënyrë të veçantë rëndësinë që ka për ne miqësia me kombin e shtetin turk./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne