Përderisa bota lufton virusin COVID-19, populli i Kashmirit lufton për të shpëtuar nga plumbat

Përderisa bota lufton koronavirusin e ri (COVID-19), populli i Kashmirit përgjatë Linjës së Kontrollit (LoC) lufton për të shpëtuar nga plumbat.

Kufiri ‘de fakto’ e ndan luginën e diskutueshme të Kashmirit midis Pakistanit dhe Indisë, por një valë e re e granatimeve ndërkufitare kanë përshkallëzuar tensionet pas lëshimit të mortajave të rënda më 10 prill në zonat Dhudnial të sektorëve Shahkot përgjatë Linjës së Kontrollit në Kashmirin e administruar nga Pakistani.

Ushtria pakistaneze tha se trupat indiane “drejtuan shkeljet e paprovuara të armëpushimit” duke përdorur artileri dhe mortaja të rënda me qëllim shënjestrimin e popullatës civile.

“Në fshatrat Bessan Wali dhe Chhari katër civilë të pafajshëm, përfshirë një vajzë 15-vjeçare, pësuan lëndime të rënda. Trupat e ushtrisë së Pakistanit u përgjigjën në mënyrë efektive me kalibër të njëjtë, duke shënjestruar ato poste të Ushtrisë Indiane që filluan zjarrin”, shkroi në twitter Babar Iftikhar, zëdhënës i ushtrisë pakistaneze.

Iftikhar njoftoi se gjatë tre ditëve të zjarrit, pa dallim me armë të rënda apo mortaja, një 2-vjeçar u vra dhe 10 civilë të tjerë u plagosën.

Më 4 mars, ministri shtetëror indian i Mbrojtjes, Shripad Naik, tha se midis 1 janarit dhe 23 shkurtit ndodhën “646 incidente të shkeljes së armëpushimit” përgjatë kufirit ndërkombëtar indiano-pakistanez dhe në Linjën e Kontrollit.

Ai tha se në vitin 2019 gjithsej 1.586 incidente të shkeljeve të armëpushimit kanë ndodhur përgjatë Linjës së Kontrollit.

Ministri indian i Mbrojtjes, Rajnath Singh, në muajin shkurt tha se 15 ushtarë u vranë vitin e kaluar në zjarrin ndërkufitar.

Më 11 prill, ushtria indiane lëshoi një deklaratë ku akuzoi trupat pakistaneze se shkelin armëpushimin përgjatë Linjës së Kontrollit në sektorët Balakote dhe Mendhar, pa dhënë detaje për vitkima.

Marrëdhënie të tensionuara midis Pakistanit dhe Indisë

Marrëdhëniet tashmë të tensionuara midis dy rivalëve bërthamorë të Azisë së Jugut janë rritur më tej pasi India gushtin e kaluar revokoi një dispozitë të kushtetutës së saj që i jepte status të veçantë rajonit Xhamu dhe Kashmir.

Sipas një zyrtari pakistanez, 59 civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë dhe mbi 280 të tjerë u plagosën gjatë vitit 2019 në granatimet ndërkufitare në anën pakistaneze të Kashmirit.

“Në vitin 2019, India ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit 3.351 herë, ndërsa vetëm këtë vit forcat indiane pushtuese në IOJ&K (Xhamu dhe Kashmiri i pushtuar nga indianët) kanë kryer mbi 765 shkelje të armëpushimit, duke rezultuar në martirizimin e tre civilëve, si dhe në lëndime të rënda të 54 civilëve të pafajshëm”, tha Aisha Farooqui, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Pakistanit.

Farooqui theksoi se numri i shkeljeve të armëpushimit në katër vitet e fundit ka shkuar në 7.766.

Të premten, shefi i ushtrisë indiane, M.M. Naravane, në një deklaratë pas vizitës së tij në Kashmir akuzoi Pakistanin për “eksportimin e terrorit” që pasoi nga rritja e granatime ndërkufitare.

“Përderisa India po dërgon ekipe mjekësore në vende të tjera dhe eksporton ilaçe, Pakistani po eksporton vetëm terror”, tha Naravane.

Pakistani hodhi poshtë këto komente dhe i cilësoi si akuza mashtruese dhe krejtësisht të rreme.

“Këto pretendime të pabaza indiane janë krijuar me përpikmëri për të devijuar vëmendjen globale dhe të brendshme nga shteti i terrorizmit i Indisë, si dhe nga shkeljet e egra të të drejtave të njeriut dhe shtrëngimi i lirive themelore në IOJ&K, veçanërisht pas 5 gushtit të vitit 2019”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit.

Situata në Kashmirin e administruar nga India 

Më 12 prill, sipas banorëve të zonës, të paktën tre persona, duke përfshirë një fëmijë, u vranë gjatë një shkëmbim zjarri midis forcave indiane dhe pakistaneze.

Ghulam Qadir, kreu i fshatit Tumina në Kashmirin e administruar nga India, tha se kur trupat e të dy vendeve shkëmbyen zjarr të rëndë artilerie ishte e frishme dhe se i kujtoi atij luftërat e viteve 1965 dhe 1971 midis Indisë dhe Pakistanit.

Ndërsa, kreu i fshatit Reddi, Hyder Ali, tha se një 17-vjeçar dhe një 36-vjeçar, banorë të fshatit të tij, u vranë pasi u goditën nga copëza artilerie.

“Bota është në mbërthim të një pandemie. Nuk është koha për të luftuar”, tha Ali.

Javën e kaluar u zhvillua një protestë nga fshatarët në Panzgamin fqinj dhe me popullsi të dendur, pasi ushtria zhvendosi armë artilerie në një fushë dhe filloi sulmet drejt pozicioneve pakistaneze. Protestuesit ishin të frikësuar nga ajo se mund të ishin shënjestër sepse kampi i ushtrisë indiane është vetëm disa qindra metra larg.

India dhe Pakistani e kontrollojnë Kashmirin në pjesë, por e pretendojnë atë të plotë. Kina po ashtu kontrollon një pjesë të këtij rajoni të kontestuar, por India dhe Pakistani kanë zhvilluar dy luftëra mbi Kashmirin./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne