Përdorimi politik i myslimanëve

FITIM ZEKTHI

Kryeministri Rama është padyshim politikani me pjesëmarrjen më të lartë në iftare publike, në botë. Të dielën, ai ishte për iftar në Elbasan. Javën e kaluar, ai ishte për iftar në Berat. Vjet, që ishte edhe kohë e fushatës elektorale, ai mori pjesë në iftare gati çdo ditë. Ramazani është një muaj kthimi te vetja, te familja dhe te shoqëria. Ramazani është një muaj vlerësimi dhe meditimi për jetën, është një muaj ku çdo besimtar mendon thellë për kuptimin e jetës, për qëllimet dhe përparësitë që ai ka.

Qëllimi bazë është përmirësimi dhe pastrimi i vetes, trupit, shpirtit, zemrës përmes agjërimit, lutjeve dhe akteve të tjera që tregojnë përkushtim ndaj mësimeve të Zotit. Shkurt, Ramazani është një muaj kërkimi për kuptimin e jetës, një muaj ku vetëkufizimi dominon dëshirat sipërfaqësore, iluzionet dhe orekset artificiale. Është një kohë ku hahet më pak, ku meditohet dhe ku jepet më shumë. Jo këtë vit, por gjithnjë Kryeministri Rama as që e ka pasur ndonjëherë idenë se çfarë është muaji i Ramazanit. Për Kryeministrin Rama, ai është një instrument për t’u shfaqur para publikut si njeri që respekton fenë dhe që përkujdeset.

Duhet thënë se në shumë vende të botës dhe në Shqipëri politikanët marrin pjesë në iftare ose shtrojnë iftare. Kjo bëhet që politikani apo qeveritari, kur është ateist ose i një besimi tjetër, të tregojë respekt për ata që besojnë dhe për besimin e tyre dhe të tregojë se përpara tij dhe qeverisë të gjithë qytetarët janë njëlloj të respektuar. Në rastin kur politikani është besimtar, ai merr pjesë në aktin e adhurimit, e jeton edhe vetë agjërimin ose çfarë- do qoftë, por nuk harron të tregojë se besimi që ai ka, nuk e pengon të respektojë njëlloj të gjithë besimet e tjera.

Politikani përpiqet të shmangë çdo fjalë apo detaj që ia zhveshin shenjtërinë festës, në rastin tonë muajit të Ramazanit. Politikani është i përunjur, flet pak. Ka edhe qeveritarë që nuk shtrojnë iftare, por dërgojnë një mesazh urimi duke mbyllur çdo mundësi që të akuzohen se përdorin për politikë momente të tilla. Theresa May, Kryeministrja britanike, për shembull, dërgoi një mesazh. Presidenti Macron mori pjesë në një iftar të organizuar nga Komuniteti Mysliman në Francë, foli shkurt, tha se “prania e tij ishte për të treguar se përballë vështirësive të mëdha ai ishte në anën e tyre”.

Ai iu uroi agjërim të pranuar. Presidenti Trump po ashtu dërgoi një mesazh ku uroi një “muaj të gëzueshëm”. Kryeministri Zaev ishte për iftar në lagjen e Çarshisë në Shkup, foli shkurt dhe uroi besimtarët. Kancelarja Merkel shtroi një iftar ku uroi besimtarët dhe ku tha, për të kundërshtuar edhe partitë ekstremiste, se “islami i përket Gjermanisë”. Rama ka kohë që përpiqet të sillet si mik i myslimanëve, si dashamirës i tyre, si një njeri që i çmon vlerat e islamit.

Në fakt, Rama është një njeri që përpiqet me çdo grup social, kulturor, fetar etj. të sillet sikur është duke punuar për të çuar përpara vlerat e tyre. E vërteta është se Rama është kulturalisht antifetar dhe politikisht kundër një roli të fesë në përvijimin e ideve që sendërtojnë politika publike. Më në fokus të antifetarisë së Ramës është islami. Rama i trajton iftaret si kohë e lirë, si kohë për argëtim, si kohë ku të gjithë mund të rrinë bashkë, si kohë festimi. Në fakt, tërë kultura sekulare synon që vazhdimisht çdo detaj i jetës fetare, çdo formë adhurimi, çdo kremtim të sekularizohet, të humbë shenjtërinë etj.. Megjithatë, politikanët tregohen të kujdesshëm.

Siç e thamë, Macron, ndonëse jo mysliman dhe jo fetar, nuk përdor një gjuhë sekularizuese apo një gjuhë që kërkon ta zhveshë nga shenjtëria Ramazanin. Merkel, një e krishterë, nuk përdor një gjuhë që e zhvesh nga shenjtëria Ramazanin. Presidenti Trump nuk përdor një gjuhë të tillë. Kryeministrja May gjithashtu nuk përdor një gjuhë ku Ramazani të jetë i zhveshur nga shenjtëria. Po e anashkalojmë faktin që Rama përdor regji qendrore, përdor disa kamera, përdor ngjyra spektakli, mban fjalimin kryesor, transmetohet live në tv, flet mbi 15 minuta kur myftiu foli 7 minuta (që është një fjalim i gjatë për çdo kryetar shteti edhe po ta mbajë në Parlament) dhe po merremi me ato që thotë.

Të dielën në Elbasan, gjuha e Ramës ishte e gjitha pa asnjë lidhje me muajin e Ramazanit, ishte një gjuhë që e zhvesh plotësisht Ramazanin nga shenjtëria. Ishte një gjuhë që nuk kishte lidhje në asnjë aspekt me Ramazanin si muaj reflektimi, kërkimi i kuptimit të jetës, shikimi nga vetja, meditimi, përpjekje për të pastruar shpirtin dhe zemrën etj.. Rama foli për rreth tre-katër minuta për bashkëjetesën fetare në Shqipëri (një aspekt që e vënë re historianët apo sociologët), foli për çeljen e agjërimit me topa, foli për pasurinë e madhe të tolerancës, foli për trashëgiminë kulturore, për xhamitë dhe kishat që janë pranë e pranë (dëshmi e bashkëjetesës, por që nuk ka të bëjë me atë që është Ramazani).

Më pas, Rama foli për tre-katër minuta për arritjen e qeverisë në restaurimin e xhamive dhe kishave (asnjë lidhje me shenjtërinë e Ramazanit, këtë fjalim mund ta mbante Rama edhe përpara grupit të PS-së, jo në kohë Ramazani). Pastaj foli për doktrinën islame apo aciden, siç e quajnë myslimanët. Tha se Zoti i ka pajisur njerëzit me cilësi që i ka Ai vetë. E tha me lehtësinë që mund ta ketë vetëm ai.

Për gjëra të tilla, dijetarët kanë qëndruar me vite mbi libra dhe kanë debatuar me shekuj dhe nuk e thonë dot kaq serbes. Pastaj, citoi një dijetar mysliman, Abdyl Rezak Bedr, që kush e di se kush ia ka thënë. Sot bota vuan pikërisht sepse njerëz të paditur marrin tek-tuk fjalë nga dijetarë të ndryshëm, sidomos të panjohur ose periferikë (i njohur edhe si ekstremist) si ky që citoi Rama. Shkurt, gjithë fjalimi i gjatë ishte një himn çshenjtërues për Ramazanin, ishte një përpjekje për ta parë Ramazanin si një muaj ku rrimë bashkë, duam njëri-tjetrin, etj., togfjalësha të rëndomtë për gjuhën e OJF-ve. Pak ditë më parë, Rama ishte për iftar në Berat.

Një fjalim gati i njëjtë për nga struktura. Bashkëjetesa, arritjet e qeverisë, trashëgimia kulturore dhe …një citim nga një dijetar mysliman. Këtë herë citimi ishte i famshëm, sepse bëhej fjalë për një nga dijetarët e mëdhenj të islamit, Ibn Kajjim El Xheuzije. Sigurisht që Rama as ia ka idenë se kush është Ibn Kajjimi dhe sigurisht që e citoi në mënyrë krejt jo profesionale, merr një fjali, nxirre nga konteksti dhe thuaje. Duhet t’ia kenë shkëputur nga “Google”.

Në një iftar të para dy viteve, Rama jo vetëm përdori një gjuhë edhe më problematike dhe që e sheh Ramzanin si diçka pa lidhje me të shenjtën. Ai tha aty se një mik i tij ateist nuk kishte pranuar të merrte pjesë në iftar sepse nuk ishte besimtar. Rama tha se “miku i tij kishte gabuar që nuk erdhi. Ai që lë vendin bosh në iftar, tha ai, lë vendin bosh për të gjithë”. Rama tha gjithashtu se miku tjetër i tij, Filip Çakulli, ndonëse ateist, kishte ardhur dhe ai nuk do ngelej pa u prekur nga kjo tryezë.

Tërë gjuha e Ramës e zhvesh Ramazanin nga e shenjta. Edhe dekori, kamerat, të ftuarit janë po në këtë gjatësi vale. Rama thotë në çdo iftar se kemi bashkëjetesë, islami është paqe, islami kërkon dijen, citon dijetarë, myslimanë, citon edhe ndonjë varg nga Kurani apo ndonjë hadith nga profeti me qëllim që hoxhallarët, myftinjtë dhe mjaft besimtarë të mendojnë se Rama e do islamin, e respekton islamin dhe vlerat e tij. Në fakt, Rama thjesht e përdor islamin dhe hoxhallarët dhe paralelisht, si askush në botë, përdor një gjuhë që e zhvesh Ramazanin nga shenjtëria.

Vjet ishte fushata elektorale dhe Partia Demokratike në Elbasan nuk shtroi një iftar. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, shtroi një iftar në Tiranë. Fjalimi i tij ishte fare i shkurtër, uroi për agjërimin, foli për vlerat e sakrificës së agjëruesve dhe tha se te kjo sakrificë gjendet shpresa. Nuk kishte aty asgjë që e zhvishte Ramazanin nga shenjtëria. Unë nuk pranova të shtroj një iftar sepse më vinte zor që në fushatë ta bëja diçka të tillë, më dukej sikur e bëja për t’u kërkuar vota, ndërkohë që besimtarët agjërojnë dhe janë të zhytur në meditimin dhe lutjet e tyre, për të pastruar veten dhe shpirtin. Kjo është një mënyrë shumë më e mirë sesa e Ramës, për të respektuar islamin dhe besimtarët.

Rama e ka treguar me mënyrën se si qeveris dhe se si bën politikë, se jo vetëm është kulturalisht antifetar, por ai islamin e ka shumë më larg vetes se shumëçka tjetër. Në Reformën në Drejtësi, Rama kërkoi që të futej një nen për martesat gay. Tani që po flasim në shkolla po bëhet një pyetësor për fëmijët, nëse ata kanë bërë ndonjëherë seks anal, në Parlament ka një propozim që kërkon që të mos njihen vetëm dy gjinitë mashkull dhe femër, por edhe një gjini e tretë.

Erion Veliaj dhe Edi Rama morën një vendim që pagesën e asistencës sociale ta marrin gratë dhe jo burrat. Kjo u bë për shkak të ideologjisë feministe që ata mbrojnë, një ideologji që thotë se gratë shtypen nga burrat, se roli i tyre social dhe gjinor është i përcaktuar nga burrat, se ato, po të ishte një realitet tjetër, do të ishin me gjini tjetër etj.. Rama nuk ka folur kurrë për vlerat e familjes, nuk ka thënë kurrë se ai mbron familjen që lind nga martesa e një burri dhe e një gruaje etj.. Këto janë idetë më larg se kushdo ndaj islamit, krishterimit dhe çdo feje tjetër.

Gjithashtu, Rama për asnjë çast nuk e sheh islamin në përgjithësi dhe Ramazanin konkretisht si një moment në të cilin hahet më pak dhe meditohet dhe jepet më shumë. Po të ishte kështu, nuk do të ishin dyert e xhamive dhe kishave përplot me lypës, nuk do të përziheshin nga rruga hallexhinjtë që shesin qepë apo lakra, nuk do të mbaheshin në burg njerëz pse protestojnë, nuk do të kërkonin të ikin 300 mijë shqiptarë me lotari, nuk do t’u thuhej njerëzve në Cërrik apo Elbasan, në Fier apo Dibër se punë ka, por nuk ka profesionistë etj..

Rama do të vazhdojë, rruga e tij nuk ka kthim, të përdorë islamin, iftaret dhe. për fat të keq. disa hoxhallarë apo myftinj, të cilët nuk janë vetëm spektatorë iftaresh ku Ramazani shihet si krejt i pashenjtë, por edhe ndihmëtarë që kjo të ndodhë dhe që Rama të tallet me një fe, me disa fe (me të gjitha fetë nesër, ndoshta) dhe gjithë popullin./ panorama

*Pedagog i Shkencave Politike

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne