Bota

Përfundon në Uashington takimi i parë i komiteteve teknike Turqi-SHBA

U realizua në Uashington takimi i parë i komiteteve teknike ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Çështjet mbi tavolinë në takimin e parë ishin nxjerrja jashtë Menbixhit e PYD/YPG-së, fraksioni sirian i organizatës separatiste terroriste PKK, si dhe sistemi raketor S-400 që Turqia do të marrë nga Rusia.

Në këtë takim të parë të komiteteve teknike, pala turke mori pjesë kryesisht me ushtarakë, ndërsa pala amerikane u ul në tavolinë me diplomatë nga Departamenti i Shtetit.

Turqia kërkoi nxjerrjen e organizatës terroriste YPG jashtë Menbixhit dhe mbajtjen e premtimit të SHBA-së në lidhje me këtë çështje.

Pika tjetër e agjendës së takimit të parë mes komiteteve teknike Turqi-SHBA ishte sistemi raketor S-400. Pala turke theksoi se blerja e këtyre raketave nga Rusia nuk ishte zgjedhja parësore, por i është drejtuar opsionit në fjalë pasi SHBA-ja nisi të krijojë probleme në lidhje me shitjen e armëve për Turqinë.

Meqenëse SHBA-ja nuk do që Turqia të blejë raketat S-400 nga Rusia, atëherë Ankaraja i thotë Uashingtonit këto fjalë: “Më shit raketa për sigurinë time kombëtare!”

Tashmë e gjithë vëmendja është përqendruar në takimin që ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, do të realizojë më 19 mars me homologun amerikan, Rex Tillerson./ trt

OPINIONE