Përfundon vlerësimi i dëmeve në Al-Aksa

Kanë përfunduar punimet e katër komiteteteve të ekspertëve të formuar nga Administrata e Vakëfeve Islame në Jerusalem për të identifikuar dëmet e shkaktuara nga bastisjet e policisë izraelite ndaj kompleksit Al-Aksa.
Në raportin e përgatitur si rezultat i vlerësimeve teknike përfshihen dëmet e shkaktuara nga bastisjet e datave 14-27 korrik nga policia izraelite në zyrat dhe ndërtesat në Al-Aksa.

Në një deklaratë nga Administrata e Vakëfeve thuhet se “Harem-i Sherif gjatë datave 14-15-16 korrik i është nënshtruar një lëvizjeve serioze të inspektimit, ku zyrat dhe mesxhidet e saj janë trazuar dhe ka kaluar nëpër kërkime”.

“Nuk ka vjedhje të monumenteve historike”

Në deklaratë thuhet se pohimet që në bastisjet e kryera nga policia izraelite janë humbur ose janë dëmtuar monumentet historike nuk janë të vërteta. “Sipas raporteve në vlerësimet e bëra në Qendrën e Mbrojtjes së Veprave Historike të Al-Aksës, në Muzeun Islam, në dy biblioteka dhe në pjesën e shkrimeve të dorës nuk është parë ndonjë mungesë apo vjedhje të monumenteve historike apo të veprave me vlera historike”.

“Dënojmë fuqishëm veprimet e Izraelit në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”

Në deklaratën ku dënohen shkeljet e Izraelit kundër Al-Aksës thuhet: “Dënojmë fuqishëm aktet e paligjshme dhe shkatërrimin e disa substancave kimike të cilat përdoren në përmirësimin e shkrimeve të dorës dhe të dokumenteve historike, thyerjen e drunjve, shpërndarjen dhe përzierjen e gjërave të dollapëve të mbyllura si dhe shkeljet e nderimit të Al-Aksës gjatë bastisjeve të forcave pushtuese izraelite”.

Administrata e Vakëfeve Islame në Jerusalem javën e kaluar njoftoi se janë formuar 4 komitete ekspertësh për zbulimin e dëmeve të shkaktuara gjatë bastisjeve të policisë izraelite në Al-Aksa.

Çfarë ndodhi brenda tre javësh?

Përshkallëzimi i situatës në Al Aksa ndodhi kur autoritetet izraelite mbyllën xhaminë Al-Aksa dhe anuluan namazin javor të së premtes për herë të parë pas gati pesë dekadash, pasi më 14 korrik policia izraelite vrau tre palestinezë me arsyetimin se kanë ndërmarrë sulm të armatosur, ndërsa pohoi se dy policë izraelitë kanë humbur jetën si pasojë e incidentit.

Xhamia më vonë u rihap pasi policia instaloi detektorë metali dhe kamera në portat e saj.

Muslimanët protestuan kundër masave dhe falën namazin para portave të kompleksit, ndërsa hasën në ndërhyrje nga forcat izraelite. Përplasjet me policinë çuan në vdekjen e 11 personave, përfshirë 8 palestinezë.

Megjithatë, Izraeli refuzoi të hiqte detektorët, duke pohuar se masat e sigurisë ishin të ngjashme me procedurat e përdorura në vende të tjera të shenjta anembanë botës.

Duke u përkulur ndaj presionit ndërkombëtar, Izraeli hoqi detektorët e metalit më 25 korrik, por tha se një sistem i ri i mbikëqyrjes që përdor “kontrolle të zgjuara” bazuar në teknologjinë e përparuar do të vihej në vend të tyre.

Autoritetet izraelite më 27 korrik hoqën edhe barrierat e hekurit të vendosura pranë portave të Al-Aksës, ndërsa muslimanët atë ditë u mblodhën për të falur namazin e ikindisë në Al-Aksa pas thirrjes së dijetarëve të Jerusalemit.

Fillimisht, policia izraelite nuk hapi disa porta të kompleksit, por pas reagimit intensiv të palestinezëve, në Al-Aksa u hapën të gjitha portat dhe dhjetëra mijëra persona filluan të hyjnë në kompleks.

Një ditë më vonë, 28 korrik, ditën e premte, teksa muslimanët planifikonin të falnin namazin e xhumasë në Al-Aksa, policia izraelite kësaj radhe ndaloi hyrjen në kompleks të meshkujve nën moshën 50 vjeç.

Pas kësaj ndalese, mijëra muslimanë falën namazin në rrugët dhe rrugicat përreth kompleksit Al-Aksa që çojnë drejt qytetit të vjetër.

Së fundmi pas 3 javësh më 4 gusht u fal namazi i parë “pa probleme” në Al Aksa./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne