“Përgatitesha për luftë në tokat e SHBA-ve”

Shtetasi amerikan Michael Christopher Estes i cili u kap me një çantë me bombë në aeroportin Asheville të shtetit federal Karolina e Veriut në SHBA tha se “po përgatitej për luftë në tokat e SHBA-ve”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të faqes lokale të internetit “Citizen Times” i cili më pas u përpunua më gjerë në platformën e lajmeve “Intercept”, Estes të premten e kaluar kishte lënë një çantë me bombë në aeroportin Asheville.

Në kamerat e sigurisë ishte parë se Estes ka hyrë në aeroport me një çantë dhe ka dalë me duar bosh. Pas kësaj policia e aeroportit e cila kishte sjellë në vendngjarje qentë për zbulimin e bombave, identifikoi se çanta ishte e mbushur me eksploziv.

Bomba, përzierje e nitratit amoniak dhe benzinës

Bomba e çmontuar nga ekspertët ishte e kurdisur, ndërsa përbëhej nga përzierje të nitratit amoniak dhe benzinës.

Në raportin policor thuhet se bomba ishte kurdisur të shpërthejë në ora 06.00 në kohën kur në aeroport ka një numër të madh të hyrje-daljeve.

“Përgatitesha për luftë në tokat e SHBA-ve”

Në raportin policor thuhet se në deklaratat e tij Estes ka thënë se “Ishte në përgatitje të luftës në tokat e SHBA-ve” ndërsa edhe bombën e ka përgatitur me këtë qëllim.

Vazhdon gjykimi i Estes, i cili u arrestua nga policia me aktakuzën për “tentim për përdorim të eksplozivëve” dhe “posedim të eksplozivëve në aeroport”.

Rasti nuk u paraqit në media

Ndërkohë, Shaun King i cili u mor me këtë çështje në mënyrë të gjerë në shkrimet e tij në njërën nga platformat kryesore të lajmeve në SHBA, në Intercept, kritikoi mospërfshirjen e këtij sulmi të mundshëm terrorist në një aeroport në mediat amerikane.

“Rasti nuk u përhap ndërsa as Trump nuk shkroi ndonjë postim në Twitter lidhur me këtë sepse bomba nuk ishte vendosur aty nga një musliman apo meksikan. Bomba ishte vendosur nga një plak i bardhë dhe i mirë Michael Christopher Estes. Për dallim nga sulmuesi i Las Vegasit Stephen Paddock, Estes tregoi haptazi se qëllimi i tij ishte që të përhapë luftë në tokat amerikane”, vlerësoi King./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne