Përgjegjësia e dështimit politik të fetarëve

Shkruan: Abdullah Klinaku

Përderisa ditëve të vikendit kemi hapësirë dhe kohë me shëtit me mendimet nëpër kohë, veprimtari e zhvillime të ndryshme sot me një mik timin evokuam përvojat tona politike në Partinë e Drejtësisë. Një parti që ka qenë shpresë dhe mundësi për të gjithë ata që besojnë në vlera të përbashkëta dhe të mirëfillta kombëtare, kulturore e fetare. Ishte mundësia e organizimit dhe fuqizimit të identitetit tonë kombëtar e fetar. Madje ishte edhe mundësia e organizimit të përbashkët e njerëzve të mirë për të dhënë kontribut në shtet formimin e vendit tonë. E gjitha kjo mundësi dhe shpresë brenda pak vitesh u rrënua, po thuajse tërësisht.

Tani jemi afër zgjedhjeve lokale. Pak muaj pas zgjedhjeve qendrore. Zgjedhje ku fetarët të cilët kanë qenë të lidhur me profilin politik të PD-së, përjetuan debaklin më të madh që nga fillimi i organizimit politik. Ishin një numër i madh i kandidatëve që konkurruan për deputetë përmes shumë partive, listave, grupeve e klaneve. Të gjithë dështuan. E bashkë me ta edhe ne që i mbështetëm. Asnjëri nuk e fitojë pozitën e deputetit madje pësuan rënie shumë të madhe.

Dështimin më të madh e përjetoi Partia e Drejtësisë, përmes dy kandidatëve të saj. Madje aq dështim të thellë përjetoi PD sa që veç egoizmi i sëmurë politik nuk le vend për reflektim përndryshe e gjithë kjo strukturë e brishtë, e pa aftë dhe dështuese do të duhej të jepnin dorëheqje.

Njëjtë do të duhej të reflektonin, për mendim timin sigurisht edhe “shefat” e grupeve të tjera politike apo tentim partive të dalura nga PD. Tërheqja e tyre nga rendi i parë i politik bërjes më të mbrapshtë deri tani që kemi parë, do të krijonte mundësi reale për formacion të mirëfilltë politik, pjesë e së cilës do të duhej të ishin edhe këta si mbështetës. Fatkeqësisht këtë reflektim politik nuk e pamë. Këta vazhduan me aventura të njëjta politike. Duke mos ndjerë asnjë pikë përgjegjësie për gjendjen në të cilën i sollën fetarët. Realisht, veç ndonjë i papjekur sikur puna ime mund të shpresoj në këtë reflektim sepse këta po që se kishin shpirt reflektimi dhe vetëkritikë nuk do ta bënin çdo njëri prej tyre “pashallëkun” e vet, për ta marr epitetin “kryetar”.

Dështimi i madh në zgjedhjet qendrore dhe përçarja e thellë edhe para zgjedhjeve lokale është dëshmi e egoizmit të pariparueshëm të “liderëve” tonë politik. Përderisa jemi në të njëjtën situatë sikur se në atë të para zgjedhjeve qendrore edhe rezultati do të jetë i njëjtë. Dëshpërues e ndëshkues. Një thënie e Ajnshtajnit që qarkullon herë pas here se budallallëku më i madh është pritja e rezultateve të ndryshme me veprimet e njëjta është vizioni i rezultatit të gjendjes sonë. Të përçarë, të ndarë, me veten n’qef, me ëndërra sikur jemi lider botëror, me fotografi duke u fal e me shëtitje e sorollatje nëpër Turqi duke shpresuar me marr bereqetin e hazreti Hizrit, nuk kemi si e presim rezultatin më të mirë se sa atë të zgjedhjeve qendrore. Madje mendoj se do të jetë edhe më dëshpërues. Zgjedhjet lokale të vitit 2017, janë edhe një mundësi e reflektimit pas këtij dështimi të radhës. Prapë shpresoj dhe pse kot e besoj!

Duke qenë se fetarët në politik kanë dështuar, pjesë e së cilës kam qenë edhe unë, duhet pushim dhe reflektim. Në bazë të kësaj as në zgjedhjet lokale që do të mbahen nuk do të kandidoj për asnjë pozitë. Nuk dua të jem pjesë e këtij cirku politik të fetarëve. Madje besoj fuqishëm se mësimi më i mirë është bojkotimi i plotë i këtyre listave të improvizuara të dala nga këto tentim parti të fetarëve. Në Vushtrri, përkundër një angazhimi solid që kemi pas në drejtorin që e kemi udhëheq dhe përkundër shumë rekomandimeve që të angazhohemi në këto zgjedhje kemi vendosur që personalisht mos të jem pjesë e listave zgjedhore. Partia e Drejtësisë, aktivitetin brenda së cilës e kam pushuar qe një vit po thuajse, nuk ka asnjë të drejt të thirret në punën që e kemi bërë ne dhe dy asambleistët që i kemi pas në Kuvendin e Komunës në këtë mandat. Puna jonë është ndërtuar mbi mbështetjet që i kam pas nga miqtë tonë në Kosovë, përmes së cilëve kemi gjet miq edhe jashtë Kosovës. Asnjë aktivitet, projekt apo individ që ka pas nevojë nuk më është mbështet nga qendra e PD, e as nga kryetari i PD-së. Madje shpesh herë faqja zyrtare e PD-së i ka bojkotuar edhe aktivitetet e mia. Kështu që puna jonë ka qenë punë ekipore me grupin reformues brenda PD-së. Nga ky grup që aktualisht thirret në emër të PD-së në Vushtrri dhe atyre që janë në qendër, janë veç një grup që i kanë bërë dëme të pariparueshme PD-së. Nuk jam pjesë e PD-së, dhe sa i përket Vushtrrisë, besoj që duhet të jemi hapur kundër këtij grupi të instrumentalizuar nga individ dhe nga qendra.

Shpresoj që dështimi i sigurt në këto zgjedhje do ta pensionojë politikisht këtë strukturë të dëmshme për të na u krijuar mundësia e dhënies së kontributit tonë me elita të reja që do ti udhëheqin këto procese./ kosovapost

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne