Përgjegjësia e BE-së për skllavërinë në Libi

Nga Joey AYOUB*

Emigrantët dhe refugjatët që shiten si skllevër në Libi nuk është në të vërtetë një lajm i ri. Në prill 2017, Organizata Ndërkombëtare për Emigraconin, IOM raportoi se përgjatë rrugëve emigratore të Afrikës së Veriut, stafi i saj kishte zbuluar “tregje skllevërish” ku qindra burra të rinj afrikanë torturoheshin.

Por, pas publikimit të pamjeve nga CNN, që tregonin sesi shiteshin burrat në një ankand për shuma deri në 800 dollarë, pati më në fund zemërim ndërkombëtar. Pati demonstrata në Paris, Stokholm dhe Nju Jork me sllogane të tilla si “Lironi vëllezërit tanë!” apo “Njerëzit me ngjyrë nuk janë skllevër!”. Kreu i Unionit Afrikan, presidenti i Guineas, Alpha Conder kërkoi procedimin e këtyre krimeve dhe Libia njoftoi se po niste hetimet për çështjen. Por, ndërsa reagimi u fokusua tek autoritetet libiane, është injoruar roli që Bashkimi Europian ka luajtur në vendosjen e një abuzimi të tillë të neveritshëm.

BE u aktivizua për të reduktuar emigracionin dhe shtrëngoi kontrollet në kufijtë e vet, por nuk arriti të mundësojë rrugë alternative dhe ligjore për emigrantët dhe refugjatët. Kjo, në mënyrë të pashmangshme, solli kushte akoma edhe më të vështira për njerëzit që tashmë ndodheshin tranzit në vende të tilla si Libia. Skllavëria për fat të keq, ka qenë një pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj.

Në përgjigje të videos së CNN-it, “Malta Independent” shpallte në një editorial: “duhet ta na bëjë ne europianët të turpërohemi për marrëveshjen që liderët tanë arritën në emrin tonë kur u mblodhën në Maltë shkurtin e kaluar për të adresuar vdekjet në rritje në detin Mesdhe, por që në fakt, ishte një fasadë për të fshehur qëllimin e tyre të vërtetë – të përforconin fortesën Europë”.

Ajo që i referohet gazeta malteze është ajo që në mënyrë eufemistike quhet “jashtëzim i kontrollit të emigracionit”. BE “po ia kalon përgjegjësinë” autoriteteve në vende të tilla si Libia dhe Nigeri, pavarësisht paralajmërimeve nga organizatat ndërkombëtare dhe OKB se asnjë prej të dyjave nuk ka infrastrukturën apo trajnimin për të zbatuar ligjin ndërkombëtar dhe për të trajtuar emigrantët në mënyrë njerëzore.

BE ka dhënë me dhjetëra milionë euro për të përforcuar kontrollin në kufij dhe për të nxitur policinë nigeriane që ishte ngarkuar me detyrën e ndalimit të emigrantëve që përpiqeshin të kalonin në Libi. Në prill, BE po ashtu u zotua të japë 90 milionë euro për “menaxhimin e përmirësuar të migracionit” në Libi.

Qeveria italiane i dha Rojes Bregdetare Libiane anije të reja dhe miliona euro për të mbështetur operacionet. E bëri këtë duke mos marrë parasysh akuzat se forcat e saj rrethonin emigrantët dhe refugjatët dhe i dërgonin në burgje, ku abuzimet ishin të përhapura në të gjitha fazat.

Një roje bregdetare libiane, madje, tha për “Human Rights Watch” në prill se përdorimi i forcës kundër emigrantëve ishte “i nevojshëm për të kontrolluar situatën pasi nuk mund të komunikosh me ta”. Në maj 2017, ekipet vullnetare të shpëtimit raportuan se Roja Bregdetare Libiane hapi zjarr gjatë një operacioni “shpëtimi” të refugjatëve në ujërat ndërkombëtare.

Mbështetja për Rojen Bregdetare Libiane dhe mënyrat e saj të dhunshme ka reduktuar, në një farë mënyre, numrin e anijeve që përpiqen të kryejnë udhëtimin përmes Mesdheut. Por kjo do të thotë se ka më shumë njerëz tani në Libi që ndodhen në rrezikun e shfrytëzimit, torturës, skllavërisë në duart e trafikantëve apo të grupeve të armatosura.

Kombet e Bashkuara kanë dënuar ndihmën që BE dha për autoritetet libiane në ndalimin e emigrantëve dhe i ka përshkruar veprimet e tij si “jonjerëzore”. Monitoruesit e OKB-së vizituan disa nga qendrat e ndalimit në Libi dhe “u tronditën” nga ajo që panë. Ata gjetën “mijëra burra, gra dhe fëmijë të traumatizuar, të grumbulluar njëri sipër tjetrit, të mbyllur në hangar pa asnjë akses edhe për nevojat më elementare, dhe të zhveshur nga dinjiteti njerëzor”, ata gjetën se rrahjet dhe përdhunimet ishin të zakonshme.

Në të njëjtën kohë, OJQ-të po detyrohen të braktisin atë që e shohin si detyrimin e tyre moral, me pasoja shkatërruese. Qeveria italiane i detyroi OJQ-të e përfshira në operacionet e saj të kërkim-shpëtimit të nënshkruanin “kodin e sjelljes” për të mos hyrë në ujërat territoriale libiane dhe për të mos penguar operacionet e Rojes Bregdetare Libiane. BE u angazhua në një fushatë shpifjesh kundër sjelljes së OJQ-ve në operacionet e kërkim-shpëtimit, duke i akuzuar ato për “ndihmë të paqëllimshme” ndaj trafikantëve ndërsa nuk solli asnjë provë për këtë pretendim.

Ndërsa BE vijon të derdhë miliona euro të taksapaguesve në politikat e sigurisë duke shkelur të drejtat e njeriut në vendet tranzite, shkalla e vdekjeve të emigrantëve dhe refugjatëve që kalojnë Mesdheun vijon të rritet. Vetëm midis janarit dhe korrikut të këtij viti, afërsisht 2 mijë njerëz u mbytën në det.

Ne na është thënë sesi tragjeditë shpesh ndikojnë politikën. Na është thënë, për shembull, se bota u trondit nga imazhi i trevjeçarit sirian Alan Kurdi, shtrirë i pajetë në një plazh në Turqi. Por që kur ai u mbyt në det, jo shumë larg nga kufiri i fortesës Europë, qindra fëmijë kanë pasur fatin e tij. Midis janarit dhe shtatorit 2016, 600 fëmijë u mbytën. Në tre muajt midis dhjetorit 2016 dhe shkurtit 2017, u mbytën 190 fëmijë.

Në vend të shihnim ndryshim drejt diçkaje më racionale dhe njerëzore në politikat e BE-së, ashtu si shpresuan më optimistët mes nesh në vitin 2015, ne pamë përkeqësim të një problem lehtësisht të zgjidhshëm. Tani që viti 2017, na solli provat e skllavërisë në kufijtë e fortesës Europë, çfarë mund të presim në vitin 2018?

* Joey Ayoub është redaktor i MENA-s për ngjarjet globale sikundër edhe kërkues libanez që jeton aktualisht në Edinburg. Ai është themelues i “Hummus For Thought” dhe shkruan më së shumti për Sirinë, Izrael-Palestinën dhe Libanin. Mban diplomën e universitetit amerikan në Bejrut, master në shkencat kulturore nga universiteti i Londrës dhe përgatit doktoraturën në universitetin e Edinburgut. Artikulli u botua në “Al Jazeera”./ tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne