Nga Artur Shkurti
Drejtor i shkollës
“Udha e shkronjave”
6 korrik 2026
Naim Frashëri
Fet’ e besëtë t’i kemi po të ndarë të mos jemi,
Hoxh’ e xhami e dervishë, priftër’ e kllogjër’ e kishë
Nderë që kanë ta kenë, po të duan Mëmëdhenë,
Të duan njerëzinë, dhe të tërë Shqipërinë,
Mirësit’ e urtësitë t’i kenë përpara dritë,
Të ken’ udhë njerëzinë, dhe zot gjithë Perëndinë;
Me dritët të Perëndisë t’i ndihinë Shqipërisë,
E të ngrenë Shqipëtarë të bëhet si ish më parë.
Dështim në Edukimin Kombëtar
Poeti Kombëtar Naim Frashëri në mbyllje të poemës së njohur “Bagëti e Bujqësi”, kur i lutet Perëndisë, e sheh kështu programin hyjnor me shqiptarët.
Tregomu dhe shqipëtarëve udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër, edhe thjesht shqipëtarë.
Falmi, falmi Shqipërisë, ditën’ e bardh’ e lirisë,
Udhën’ e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.
Institucionet fetare bashkë me Kartelin Politik kanë dështuar në mënyrë katastrofike në çdo zë të këtij programi të Rilindjes Kombëtare. Ato nuk mund të thonë se ka dështuar Sistemi Arsimor dhe Politik, sepse ndërkohë që dështonte ky sistem, një sistem tjetër po përparonte sistemi i pasurimit të institucioneve fetare me prona, shkolla, faltore, dhe kompaktësi bashkësish fetare. Ky pasurim ndodhi gjatë kohës që politika kapi majat e korruptimit.
Dështim në njohjen e shenjtërisë
Meskinitetin, karakterin e ulët nuk e provon asgjë tjetër më hapur sesa shpërfillja ndaj dëmtimit të Naim Frashërit prej kartelit politiko-fetar më të korruptuar që ka patur Shqipëria. Shqiptarët kanë një dhe vetëm një shenjtor të vërtetë dhe ai është Naim Frashëri.
Poetët shqiptarë nuk e teprojnë kur e quajnë “profet”, “shenjtor” dhe e barazojnë me Jezu Krishtin dhe Muhamedin. Nuk ka në lartësinë e Naim Frashërit në shumicën e Evropës.
Sado lartë të jenë të tjerët, krahasuar me Naim Frashërin janë shumë shumë më poshtë. Naim Frashëri është autor i sintezës së besimeve fetare, autor i programit të edukimit të karakterit dhe të virtyteve të bujarëve shqiptarë, autor i Sistemit Arsimor Kombëtar, autor kryesor i programit të edukimit të Vetëdijes Kombëtare. Vepra e tij nuk bëhet më, siç nuk bëhet e Jezu Krishtit apo e Muhamedit! Të gjitha veprat e tij rrezatojnë një thelb fetar të jashtëzakonshëm, që u bë bazë e Rilindjes Kombëtare, thelb që u shpreh aq bukur nga Pashko Vasa në frazën “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Pashkoja dha devizën por punën voluminoze dhe të realisht sintezë e bëri Naim Frashëri.
Kisha Katolike e dëmtoi Naim Frashërin duke ndërhyrë rëndë në nderimin kombëtar, duke e detyruar shtetin të shpallte Ditë Pushimi Zyrtar ditën e vdekjes së Nënë Terezës, si katolike në çdo aspekt dhe duke e detyruar shtetin të hiqte Urdhrin “Naim Frashëri” që i bënte “hije” Nënë Terezës. Ka shenja të investimit në figurën diabolike të Ismail Kadaresë që u varros duke patur në krye Nënë Terezën. Kujtojmë që Ismail Kadareja është autor i konceptit “Naim Frashëri – Flutur e Qiririt të Islamit” dhe Kadareja u propozua për President nga At Zef Pllumi që i dha edhe parathënien e librit “Rrno për me tregue”. Tani shqiptarët kanë ditë pushimi për një të dalluar katolike të Vatikanit, por nuk kanë pushim as për Skënderbeun, as për Naim Frashërin, as për Gjergj Fishtën, pra është sulm i “fetares” ndaj “kombëtares” është sulm i “sektit” ndaj “universales”. Poeti Kombëtar Naim Frashëri është jashtëzakonisht më edukativ sesa Nënë Tereza si në thelbin fetar ashtu edhe në atë kombëtar, qoftë ky thelb i zhveshur nga fe konkrete! Vlerësime tepër të fuqishme ai i mori nga poetët e krishterë Fishta, Gjeçovi, Grameno, Asdreni, Çajupi, Lasgushi etj.etj. Edukimi udhëhiqet kryesisht nga dy dhe vetëm dy edukime: edukimi global dhe edukimi kombëtar. Edukimi fetar hyn kryesisht në logjikën e edukimit global, por nuk është baras. Botës Nënë Tereza i flet si “katolike” dhe nuk ka pothuaj asgjë të rëndësishme në edukimin kombëtar, të asaj rëndësie që ka Naimi apo Fishta. Naim Frashëri është jashtëzakonisht lart në thelbin e përbashkët fetar, në formimin global të njeriut shqiptar dhe natyrisht në edukimin kombëtar.
Kryegjyshata Bektashiane nuk e mbrojti Naim Frashërin nga dëmi i ligjit 93/2022. Përkundrazi i ka dalë kundër programit kombëtar të Naim Frashërit, dhe të Rilindjes Kombëtare.
Kisha Ortodokse nuk nderon shenjtorët shqiptarë ortodoksë jo të njohë Naim Frashërin. Për të ekziston vetëm përparësia e nderimit të figurave të Kishës Greke si Anastas Janullatos. Për Komunitetin Mysliman, u kemi shkruar dhe nuk kthejnë përgjigje për dëmtimin e Naim Frashërit. Protestantët qartësisht janë kundër Naim Frashërit, duke u marrë me devijimin e narrativës së Rilindjes Kombëtare (shih narrativën për mësonjëtoret), sidomos në Korçë e Manastir. Të gjithë klerikët kanë dashur “shenjtërimin” e vetes dhe duan ta quajnë se “posti fetar” është edhe shenjtëri. Kjo është arsyeja që bëjnë indiferentin ndaj Naim Frashërit. Të ishte në dorën e tyre ata bënin indiferentin edhe ndaj Jezu Krishtit edhe Muhamedit, por nuk munden.
Bekuan korrupsionin, forcuan përçarjen
Janë kaq të neveritshme fotot e tyre me figurat më të korruptuara të politikës, që ata i quajnë “përfaqësues të shtetit”. Kleri duhet të jetë matës i të mirës dhe të keqes. Politikanët e korruptuar mbushin radhët e para të kishave, xhamive etj. dhe janë “dhuruesit” më të mëdhenj të përfitimeve për faltoret. Meqë synimi i tyre është shthurja e kombit, në vend të forcojnë Sistemin Arsimor dhe Universitetet, pasuritë i çojnë në atë drejtim që siguron një përçarje më të madhe.
Dështim në edukimin e karakterit
Këtë punë e kanë bërë në radhë të parë duke dështuar Sistemin Arsimor Shqiptar, për makutëri fetare, pra për t’u provuar në mënyrë të turpshme besimtarëve të tyre se Sistemi Kombëtar Shqiptar dështon ngaqë nuk është fetar, jo ngaqë sulmohet nga vetë klerikët përmes sistemit politik të cilët duan përparësinë e edukimit fetar në shkollat private fetare. Nëse ata do ta kishin seriozisht fatin e shqiptarit, do ta mësonin besimtarin shqiptar si të tillë dhe jo vetëm si “i krishterë” apo “mysliman”, duke i thënë atë që thotë Sami Frashëri “Nuk mund të jetë i mirë morali i individit nëse është shprishur morali i shoqërisë”, pra nuk mund të jetë i mirë morali i katolikut, ortodoksit, protestantit, myslimanit, nëse morali i përgjithshëm i shqiptarëve është prishur. Këtu jemi.
Krijuan kushtet për ndërhyrjen e huaj
Për të vjelë sa më shumë financime nga shtetet që i përkrahin ata ia hapën katër kanatësh udhën ndërhyrjes së huaj. Kjo ndërhyrje e huaj po komandonte narrativat dhe po shtrembëronte shtyllën kurrizore të kujtesës kombëtare, të historisë kombëtare, konceptin për edukimin kombëtar. Tashmë nuk ka mbetur një grup i saktë me edukim kombëtar që t’i bëjë ballë kësaj shqyerje të Kulturës Kombëtare. Klerikët dhe faltoret e tyre nuk e kanë ndalur atë proces dekompozimi kombëtar që Sami Frashëri e për shkruan kështu.
“Shthurja është një lumë i rrëmbyer që ecën midis popujve dhe i rrëmben popujt që janë mbrojtur me muret e një morali të mirë dhe me anën e një administrimi të mirë i dërgon nëpër grykëderdhje pranë detit ku ato janë të paracaktuar të mbyten.”
Dështuan proceset e sintezës fetare
Për të forcuar pozitat e Sistemit Arsimor Shqiptar, ne si shkollë, e kemi konkretizuar sintezën me botimin e librit të shenjtë “BESA, feja ime, e fëmijëve të mi dhe e bujarëve shqiptarë” (2009). Faltoreve as u shkon në mend të bëjnë diçka të tillë, se ua prish “biznesin” e përçarjes dhe kompaktësisë sektare. Këtë sintezë e gjetëm kryesisht tek Naim Frashëri, e mbështetëm me poetët më të mirë shqiptarë të Rilindjes Kombëtare dhe të shek.XX dhe donim krijimin e Faltoreve të Bujarëve Shqiptarë, që duhej të ishin realisht shkollat shqipe të konvertuara në shqiptare.
Institucionet Fetare zmadhuan çdo gjë që nuk i përkiste thelbit të përbashkët fetar. Naim Frashëri duke qenë edhe fetari më i madh shqiptar ushtroi edhe kritikën më të fuqishme ndaj klerikëve, si nga këndvështrimi i thelbit fetar, ashtu edhe nga këndvështrimi kombëtar. Tek “Fletore e Bektashinjve”, pasi kishte dhënë porositë morale, e mbyll me fjalët “Kur t’i bëni këto, atëherë u them atë e udhërrëfenjës, pa sot s’mund t’iu them dot”. Për priftërinjtë thotë: Ju priftërë mjekrë-gjatë! Q’u quan kombi uratë uratë e Perëndisë, q’është drit’ e gjithësisë! Mund të bëhi të pa-besë për të mirët të Moresë? Mund të lini Perëndinë? Dhe Krishtin’ e Shqipërinë? Edhe i fali Moresë? Q’është pa-fe e pa besë.

















