Bota

Përgjigja e Koresë së Veriut ndaj kërcënimeve të Trump

Në përgjigje të kërcënimeve të reja të Presidentit të SHBA, Donald Trump, Koreja e Veriut e cilësoi turneun e tij rajonal si pikënisje e një lufte bërthamore.

Sipas gazetës së Koresë së Veriut “Rodong Sinmon”, e cila pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Penianit, turneu i Donald Trump në rajonin e Azisë Lindore, nuk ka arritur të rezultojë në reduktimin e tensionit dhe kërcënimit të një lufte bërthamore. Gazeta në fjalë i bëri thirrje popullit amerikan të shkarkojë presidentin Trump nëse dëshiron të evitojë tmerrin e luftës bërthamore. Ambicia bërthamore e Penianit ka qenë në axhendën e Donald Trump gjatë turneut të tij në vendet e Azisë Lindore ku ai si një biznesmen i rafinuar, sërish u përpoq t’i bindte këto vende të blejnë sa më shumë armë amerikane për t’i bërë ballë rrezikut nga Koreja e Veriut dhe për të balancuar bilancin tregtar me SHBA. Presidenti i SHBA, Donald Trump, i cili është në Kinë, deklaroi se Uashingtoni dhe Pekini kanë rënë dakord mbi nevojën që Koreja e Veriut të denuklearizohet krejtësisht. “E gjithë bota e civilizuar duhet të bashkohet për t’u përballur me kërcënimin serioz bërthamor të Koresë së Veriut,” tha Trump, duke shtuar se të dy liderët kishin diskutuar më herët gjatë ditës “angazhimin e tyre të përbashkët për të përfunduar denuklearizimin e Koresë së Veriut”.

Tensionet janë duke u rritur në gadishullin Korean pas një sërë testesh bërthamore dhe raketore nga Peniani, si dhe pas kërcënimeve dhe fyerjeve personale të shkëmbyera midis Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Trump, i cili po zhvillon turneun e tij të parë në Azi si president, kishte kërcënuar Veriun me sulm ushtarak gjatë dy ndalimeve të para në Japoni dhe Korenë e Jugut. Trump i ka kërkuar Presidentit të Kinës, Xi Jieping të përdorë ndikimin e tij tek Peniani për ta detyruar atë të braktisë programin e tij bërthamor. Por Kina ka thënë se deklaratat mbi ndikimin e saj mbi Korenë e Veriut janë të pasakta. Pekini mbetet partneri më i afërt dhe më i madh i Penianit, duke blerë rreth 83 për qind të eksporteve të Koresë së Veriut dhe duke shitur 85 për qind të mallrave të importuara nga vendi komunist. Trump, i cili kishte gjatë qëndrimit në Pekin lënë mënjanë retorikën e tij të zakonshme kundër Kinës, tha se Kina mund të zgjidhë problemin bërthamor të Veriut “lehtë dhe shpejt”, duke e quajtur presidentin Xi si një “president të madh”, që sapo të punojë fort për të arritur diçka, “ajo do të ndodhë. Nuk ka dyshim për këtë”, tha presidenti amerikan. Kina tashmë ka thënë se nuk do të mbështesë ndonjë veprim apo kërcënim ushtarak kundër Veriut, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të zgjidhin çështjen përmes bisedimeve. Por kjo zgjidhje kërkon që aktorët e rëndësishëm rajonalë të kenë vullnetin e mirë, gjë që deri më tani nuk është parë as në Uashington, as në Penian, dhe secili prej tyre po ndjek interesat dhe objektivat për të përfituar nga kriza bërthamore e Koresë së Veriut./ PT

OPINIONE