Përgjimet e Armir Grimaj, pse doli blof arrestimi i trajnerit të Kombëtares së Femrave

Nga Boldnews.al

Arrestimi i ish-futbollistit të njohur shkodran Armir Grima, aktualisht trajner i Kombëtares së Femrave si pjesë e grupit “Bajri”, në Shtator 2018, shkaktoi habi tek të gjithë ata që e njihnin si sportist dhe si njeri.

Megjithatë, Policia njoftoi se e kishte arrestuar Grimën, në kuadër të operacionit “Oaz”, pas një hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda, ku në qendër ishte Safet Bajri, një personazh i njohur i botës së paligjshmërisë në Shkodër.

Megjithëse Armir Grima u rendit në listën e “grupit kriminal”, akuza ndaj tij ishte për “Përcaktim të garave sportive”, një vepër penale e papërfillshme, krahasuar me ato që rëndonin mbi klanin “Bajri”.

Rreth një vit pas arrestimit të bujshëm, në 23 Tetor 2019, gjykata e Shkodrës pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe e shpalli të pafajshëm Armir Grimën. Prokuroria rrëzoi akuzat ndaj trajnerit të Kombëtares së Femrave, duke rikthyer, megjithëse me vonesë, drejtësinë në vend.

“Boldnews.al” ka siguruar në mënyrë ekskluzive vendimin e gjykatës së Shkodrës, e cila vendosi përfundimisht pafajësinë e Armir Grimës. Në vendimin e gjykatës gjenden edhe tre episode përgjimesh, të kryera më herët nga Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të të cilave u urdhërua arrestimi i tij.

Gjykata e Shkodrës, në analizë të të gjithë veprimeve hetimore, konstatoi se tre përgjimet, në biseda shumë të shkurtra mes Armir Grimës dhe Safet Bajrit, nuk përbëjnë shkak për dënim për “caktim ndeshjesh”, aq më tepër për t’u konsideruar si bashkëpunëtorë në grupin e strukturuar kriminal.

Nga hetimet e kryera fillimisht nga Prokuroria për Krime të Rënda, në kuadër të hetimeve për grupin “Bajri”, u krijuan dyshime se Armir Grima dhe Safet Bajri kishin diskutuar për “fiksimin” e ndeshjes së futbollit Vllaznia B – Tërbuni, e zhvilluar në 5 Maj 2018 dhe që përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të ekipit shkodran.

Situata duket “paradoksale”, pasi Armir Grima nuk kishte asnjë lidhje me ekipin Vllaznia B. Ai, prej Prillit të vitit 2016, pra rreth 2 vjet para përgjimeve të Krimeve të Rënda, ishte emëruar trajner i ekipit kombëtar të futbollit të femrave, duke zëvendësuar në atë post ish-lojtarin e njohur, Altin Rraklli.

Nga ana tjetër, në përgjime nuk rezultonte asnjë e dhënë konkrete që biseduesit diskutonin për ndeshje, aq më tepër se për cilën ndeshje. Po ashtu, në telefonatat e përgjuara nuk rezulton asnjë bisedë për shuma parash që do të shpërndaheshin për shkak të “fiksimit” të ndeshjes. Pra, nuk rezultonte asnjë e dhënë për kryerjen e veprës penale.

Megjithatë, kjo situatë u sqarua vetëm një vit pas arrestimit të tij. Armir Grima qëndroi rreth 4 muaj në paraburgim, para se të dilte me “arrest shtëpie” në Shkurt 2019. Tashmë ai ka fituar pafajësinë e plotë.

Përgjimet ekskluzive

Në datë 04.05.2018, Safet Rustemi (Bajri) kryen bisede me Armir Grimaj;
Grima – O Safet!
Bajri – Ë Miri…
Grima – Si të kam?
Bajri – Unë jam me këtë shokun. A mundesh me ardh ti vetëm deri te lokali im, në pedonale përballë
Grima – Vij unë me makinë ku të jeni ju, ose te Visi, ku të duash.
Bajri – Jo, hajde vetëm. Po vij unë aty ku doli Visi. Hajde se po flasim në makinën teme.
Grima – Mirë.

Në të njëjtën ditë, Safet Bajri i telefon Armir Grimaj;
Grima – Hë Safet?
Bajri– Në rregull, Miri.
Grima: Hajd, je i madh!
Bajri: Isha me të në makinë, t’u bë një xhiro me të.
Grima: Je gjigand
Bajri: Vetëm thuj t’ja fusi nga larg dikush, vetëm po nuk erdhi asnjë gjë aty, tha.
Grima – Hajd se t’i biem ne.
Bajri: I thashë ka me të gjujt dikush nga larg, kam me të gjujt unë nga jashtë fushe. Po ja fus nai top prej aty.
Grima: Je i madh, je gjigand.
Bajri: Hajd pra.

Në datë 05.05.2018, Safet Rustemi (Bajri) bisedon me Armir Grima;
Grima: Krejt mirë mo vëlla!
Bajri: Po ti krejt mirë, i thashë edhe atij farë burri; po ik o dreq, e ke të kryme, ti të ça bythën.
Grima: Jo krejt mirë, edhe ishte mirë, se nuk ra në sy ky.
Bajri: Kërcitja prej larg, thuj, topin nga mesfusha dhe ec.
Grima: I madh je, po nihena (dëgjohemi) prap.
Bajri– Hajd.

Këto janë 3 bisedat, në total 10-12 sekonda, për të cilat Prokuroria për Krime të Rënda vendosi të arrestojë ish-futbollistin Armir Grima. Bisedat janë kryer pak orë para se të zhvillohej ndeshja Vllaznia B- Tërbuni, e cila përfundoi me rezultatin 2 me 1 në favor të shkodranëve.

Gjykata e Shkodrës, në vendimin e pushimit argumenton se vepra penale nuk ekziston, për disa arsye. Së pari, në aq sa rezulton nga bisedat e Safet Bajrit me Armir Grimën, nuk ka asnjë element që të provojë se po diskutonin për ndeshjen “Vllaznia B-Tërbuni.

Nga ana tjetër, bëhet fjalë për një ndeshje tërësisht të parëndësishme për të dy ekipet dhe që nuk ishin të kuotuara në kompanitë e basteve.

Gjithashtu, në bisedat Bajri-Grima nuk është identifikuar asnjë element që lidhet me shkëmbim parash për favorizimin e ndeshjes.

Të gjithë këto elementë kanë bindur Prokurorinë e Shkodrës, e cila e mori rastin për kompetencë nga Krimet e Rënda, se Armir Grima është i pafajshëm. Ky qëndrim i prokurorisë u përkrah edhe nga gjykata.

Arrestimi i sforcuar i Bajrit

Safet Bajri, një personazh i njohur për aktivitete kriminale në Shkodër, për një kohë të gjatë ka vepruar i pashqetësuar nga autoritetet policore, situatë për të cilën opozita e djathtë mendon se ka ndodhur për shkak të lidhjeve të tij me eksponentë të lartë të Partisë Socialiste në pushtet.

Në Shtator 2018, si pasojë e presionit të autoriteteve belge, që e kishin skeduar Safet Bajrin për aktivitete kriminale në vendin e tyre, Prokuroria për Krime të Rënda e drejtuar nga Donika Prela dhe Policia, nën drejtimin politik të Fatmir Xhafaj, u detyruan të zhvillojnë operacionin “Oaz” për arrestimin e Safet Bajrit dhe anëtarëve të tjerë të bandës.

Për t’i dhënë më shumë bujë një operacioni të sforcuar, prokuroria lëshoi urdhër-arreste edhe për persona të tjerë, për faktin se kishin komunikuar me Safet Bajrin, siç ishte edhe rasti i Armir Grimës.

Por, natyrisht, në rrjetën e Prokurorisë dhe Policisë nuk ranë persona me pushtet politik, të cilët duhet të kenë biseda të natyrave të tjera me Safet Bajrin.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne