“Përgjysmim page për përballimin e krizës nga COVID-19”, ja institucionet që iu përgjigjën apelit të Ruçit

Më datën 2 prill, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, iu drejtua me një thirrrje drejtuesve institucioneve të pavarura kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj, për përgjysmimin e pagës së tyre për një periudhë tremujore, në shenjë solidariteti për përballimin e pasojave të pandemisë COVID-19.

Në një njoftim të sotëm shpërndarë mediave, zyra e shtypit pranë kuvendit, ka bërë me dije se cilat janë institucionet që i janë përgjigjur pozitivisht apelit të kryeparlamentarit.

Sipas njoftimit, në Bankën e Shqipërisë thirrjes iu përgjigjën, përveç Guvernatorit Gent Sejko, edhe  anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, administratorët dhe drejtorët e Bankës. Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, përvec përgjysmimit të pagës së vet, u bëri thirrje edhe vartësve të tij në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prokuroritë e rretheve të bëjnë të njëjtin veprim, si detyrim moral.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, mori vendim për përgjysmimin e pagës deri në fund të vitit 2020.

Thirrjes së Kryetarit të Kuvendit i janë pergjigjur pozitivisht anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, Ilir Toska, Brikena Ukperaj, Dritan Hallunaj, Erjon Muharremaj  dhe Fatmira Luli. Njëkohësisht KLDGJ u përcolli thirrjen e z. Ruçi të gjithë gjykatave për t’u solidarizuar në mënyrë vullnetare.

Thirrjes së Kryetarit të Kuvendit i janë përgjigjur deri tani edhe Avokatia e Popullit Erinda Ballanca, Këshilli Lartë i Prokurorisë,Inspektori i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe i Konfliktit të Interesit, Shkëlqim Ganaj, Autoriteti i Mediave Audioviozive, Kryetari i Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi; Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës Juliana Latifi; Komisionerja për Mbikqyrjen  e Shërbimit Civil, Pranvera Strakosha;  Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, Petrit Ahmeti; Kryetari i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Donald Duraj; Drejtuese e komanduar e Institutit të Statistikave, Elsa Dhuli dhe anëtarja e Komisionit të Prokurimit Publik, Lindita Skeja./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne