Përkujtimi i ditës së 13 qershorit 1999

Pushtetin shtetëror serb nga Kosova për herë të parë e dëboi perandoria osmane në vitin 1389, për herë të dytë perandoria austrohungareze në vitin 1915, për herë të tretë perandoria gjermane në vitin 1941, dhe për herë të katërt, dhashtë Zoti të fundit, perandoria amerikane në vitin 1999

 

nga Faik Miftari.

Me 12 qershor 2019 u mbushën plot 20 vjet që kur trupat e KFOR-it hynë në Kosovë dhe çliruan Kosovën nga ushtria dhe policia serbe, pas bombardimeve të pandërprera 77 ditëshe të aleancës veriatlantike të NATO-së në misionin e tyre të ashtuquajtur intervenim humanitar për të ndalur dhunën dhe terrorin serb ndaj popullit të shumëvuajtur shqiptar të Kosovës.

Në historinë e mijëvjeçarit të dytë të Kosovës, ushtrinë serbe dhe pushtetin shtetëror serb nga Kosova për herë të parë e dëboi perandoria osmane në vitin 1389, për herë të dytë perandoria austrohungareze në vitin 1915, për herë të tretë perandoria gjermane në vitin 1941, dhe për herë të katërt, dhashtë Zoti të fundit, perandoria amerikane në vitin 1999.

20 vite pas, kur e përkujtoj ditën e 13 qershorit, më bien ndërmend kujtimet e hidhura të periudhës më të vështirë të luftës në Kosovë, periudhës kohore prej 24 marsit e gjer më 13 qershor 1999, si njëri nga aktorët e shumtë të popullit shqiptar në përgjithësi e të qytetarëve prizrenas në veçanti, që përjetuam”live” këtë tmerr dhe terror të paparë gjatë luftës në Kosovë. Me të vërtetë këto 77 ditë të përjetuara në ankth, më sillen vërdallë në kokë, çdoherë kur vie 13 qershori, një ditë me rëndësi të madhe historike për qytetin historik të Prizrenit. Shpesh shtroja pyetje vetevetes , vallë a thua do të ishte më mirë të isha larguar në atë kohë nga Kosova, se sa që mbeta i ngujuar në ankthin e pritjes së vdekjes gjatë 77 ditëve të bombardimeve të pandërprera nga ana e NATO-së. Tani, pas kësaj periudhe kohore 20 vjeçare të kaluar, me të vërtet mendoj se kam qenë i “krisur” që qëndrova dhe përjetova atë presionin të paparë psikologjik të luftës në Kosovë.
13 qershori 1999, ishte ditë e cila do të mbetet përherë e shënuar me shkronja të arta në historinë më të re të qytetit të Prizrenit, ditë kur trupat e ushtrisë gjermane hynë dhe çliruan Prizrenin nga trupat ushtarake dhe policore serbe. Ka qenë ditë që vetëm mund të përjetohet e assesi të përshkruhet. Vështrimi i gjithë atë erupsioni të shpërthyer të qytetarëve prizrenas për përjetimin më në fund të lirisë për qytetarët e Kosovës në përgjithësi e të qytetarëve prizrenas në veçanti, pas plot 77 ditëve të bombardimeve nga ana e NATO-së, që më në fund solli lirinë e shumëpritur, ka qenë diç e papërshkruar.

13 qershori 1999, për babain tim(shpirti i tij rahmet pastë) ishte gëzimi edhe më i veçantë, pasi që ai e përjetonte për herë të dytë ”live” çlirimin e qytetit të Prizrenit nga ushtria gjermane. Përjetimi i parë “live” i çlirimit të Prizrenit për babain tim ka qenë viti 1941 kur atdhetari i shquar shqiptar Qazim Bllaca solli

trupat gjermane nga drejtimi i Ferizajit, të cilët hynë dhe çliruan Prizrenin nga ushtria dhe xhandameria serbe e cila me të madhe kishte nisur me djeg qytetin e Prizrenit. Gëzimi i tij ishte pa masë dhe i rrjedhnin lotët nga sytë e tij nga përjetimi i tij që në moshën e tij të shtyrë 86 vjeçare pati rast për herë të dytë në jetën e tij të përshëndes ushtrinë gjermane e cila çliroi qytetin tonë të bukur.

Si sot, 20 vjet pas, më kujtohen fjalët e babait tim, për ngjarjen që shpesh më ka rrëfyer, që ka ndodh gjatë vitit 1944 në Prizren. Në një prej ditëve të verës në qendër të qytetit në Shadërvan të Prizrenit para masës së tubuar të qytetarëve të Prizrenit, iu drejtua me një fjalim koloneli Shmit-huber komandanti i divizionit “Skënderbe”: “Dëgjoni këto fjalët e m’ia, të dashur qytetarë të Prizrenit, të dini gjersa të jetë prezent këtu këmba e gjermanit, këtu ka me qenë Shqipëri, atë ditë që këmba e gjermanit nga Prizreni largohet, prapë do të rikthehet Serbia (Jugosllavia)”. Me të vërtetë ashtu edhe ndodhi, nuk kaluan as 6 muaj nga ky fjalim i kolonelit gjerman Shmit-huber, me 17 nëntor të vitit 1944 përsëri në Prizren u rikthye Serbia(Jugosllavia)

Në këtë përvjetor të 20-të shënimit të ditës së 13 qershorit 1999, m’u kujtua edhe hoxha, hafëzi dhe atdhetari prizrenas Abdullah ef Sagdani, ish major për çështje fetare në divizionin “Skënderbe”, i cili gjatë gjithë jetës së kaluar të tij, ka qenë përherë i anatemuar nga komunistët, dhe i cili falë fshatarëve të Kabashit të Prizrenit të cilën e kanë strehuar plot 7 vite pas ardhjes së pushtetit serb në Prizren, ka arritur të shpëtojë dhe më vonë pas shpalljes së amnistisë së përgjithshme ka vazhduar i lirë të jetojë. Në një rast pak para se të ndërrojë jetë në një bashkëbisedim me të, e pyeta hafëzin e nderuar, i cili ka jetuar plot 80 vite, se “cilat ishin vitet më të lumtura gjatë jetës së tij 80 vjeçare”. Hafëzi i nderuar (shpirti i tij rahmet pastë) m’u përgjigj:”gjatë jetës sime 80 vjeçare, vetëm gjatë 3viteve kam përjetuar çastet më të lumtura, periudhën e viteve 1941-1944 kur ishin këtu gjermanët, dhe kur kemi qenë së bashku me nënën Shqipëri”.

Në përfundim të këtij përkujtimi të përvjetorit të 20-të ditës së 13 qershorit 1999, do t’i përmbyll me fjalët e ish presidentit amerikan Bill Klinton, njeriun më të merituar për ndihmën ofruar popullit shqiptar, nën udhëheqjen e së cilës u ndërmor aksioni humanitar në Kosovë për shpëtimin e popullit shqiptar nga ushtria, policia, dhe pushteti serb në Kosovë:”nuk do të lejojmë më që në Evropë njeriu të vritet vetëm për shkak të mënyrës së falurit tek Zoti. Njeriu nuk do të vlerësohet për shkak të përkatësisë etnike, racore, fetare, por për karakterin multietnik dhe devotshmërinë e tij ndaj Zotit dhe humanitetin e treguar ndaj popujve tjerë”./Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne