Perla e Ruçit për holandezët që ankohen për krimin shqiptar: Ne kemi 3 këngëtarë në Eurovizion!

Maksimumi që Gramoz Ruçi mund t’u thotë deputetëve holandezë, që pak ditë më parë vizituan vendin tonë të shqetësuar për dyfishimin e krimit shqiptar në prag të vendimit për hapjen e negociatave, janë tre këngëtarët shqiptarë në Eurovizion dhe Igli Tare që është një nga drejtorët sportivë më të kërkuar në Itali.

“Besoj nuk ka tre hollandezë që konkurojnë në Eurovizion por ka tre shqiptarë. Njëri përfaqëson Qipron, njëri Italinë dhe tjetri Shqipërinë.
Unë e kam ndjekur Milanin dhe i kam idhull ato hollandezët që kanë luajtur dikur, por shembulli i Igli Tares në Itali është shembulli më i sukseshëm që kërkohet në të gjithë Italinë nga klubet sportive. Po ashtu ka me dhjetëra lojtarë dhe instrumentistë shqiptarë që vlerësohen në botë” u shpreh Ruçi.

Deputetët holandezë që vizituan Shqipërinë ishin skeptikë me rezultatet e vetingut, që sipas tyre është ende në fillimet e tij. Gjithashtu ata kërkuan që zyrtarët e korruptuar të cdo niveli të dalin para drejtësisë. Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputetët ishin edhe kriminaliteti shqiptar në Holandë, që sipas tyre është rritur në vitet e fundit.

“Ne jemi këtu për të parë zbatimin e 5 kushteve dhe progresin e bërë deri më tani. Në lidhje me 5 prioritetet ne kemi folur me gjyqtarë të përfshirë në veting dhe tani kemi 6 apo 7 raste vetingu por totali është 800 për t’u shqyrtuar. Kemi parë gjithashtu progres në luftën me krimin e organizuar por nga ana tjetër shikojmë që në Holandë numri shqiptarëve të arrestuar për krime serioze është dyfishuar krahasuar me vitin e shkuar” tha Pieter Omtzigt nga partia Kristian Demokrate

Gjatë konferencës për shtyp deputetët holandezë u pyetën edhe për hetimet që kanë nisur ndaj Saimir Tahirit dhe nëse arrestimi i tij do të jetë një kusht shtesë për dritën jeshile për negociatat.

“Ne jemi në dijeni të çështjeve të një niveli të lartë. Por duhet ta kuptoni se do të jetë shumë e çuditshme dhe jo me vend nëse nga njëra anë ne kërkojmë një gjyqësor të pavarur dhe nga ana tjetër të flasim për një emër konkret për ta çuar atë në burg. Ky do ishte një mesazh i dyfishtë që nuk keni për ta dëgjuar nga ne. Megjithatë ne e vlerësojmë çfarë është bërë deri me tani me ndëshkimet e zyrtarëve në nivelet ulëta dhe të mesme. Por ne nuk jemi këtu për të thënë nëse njerëzit duhet të shkojnë në burg. Kjo do të ishte e kundërta e asaj që themi dhe kërkojmë për drejtësinë e pavarur” u shpreh Omtzigt duke folur para gazetarëve shqiptarë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne