Bota

Përmbysja e madhe, Serbia në rolin e ri të paqebërësit në Ballkan

Diçka serioze ka ndryshuar në Ballkan dhe Serbia duket se po regjistron veten në krahun e fituesit. Pas një dekade izolimi dhe akuze për projektimi dhe zbatim planesh të spastrimit etnik, Beogradi zyrtar gjendet sot në rolin e një protagonisti të paqes dhe stabilitetit. Madje duke u cilësuar nga aktorët ndërkombëtarë si vendi kyç për këtë gjë. Përveç aftësive manovruese të Serbisë, një rol ka këtu edhe ndryshimi i qëndrimeve të komunitetit ndërkombëtar. Ndonëse në formë një çëshyje juridike, vendimi për krijimin e Gjykatës Speciale në Kosovë si dhe qëndrimi i fundit i Gjykatës së Hagës për shpalljen e Kroacisë një vend agresor në Bosnje, një ditë pasi dha gjashtë dënime për ish-ushtarakë të këtij vendi. Presidenti serb, Aleksander Vuçiç është bërë mishërim i këtij ndryshimi teksa edhe së fundmi, në një takim me një delegacion të rinisë së Partive Popullore Europiane, ka folur për nevojën e paqes në Ballkan.
“Topat kanë heshtur por situata është sërish e rrezikshme. Serbia është në rrugën europiane, mbi të gjitha një rrugë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon, kyçe për zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor…”, tha ai.

http://www.b92.net/eng/news/politics.php?yyyy=2017&mm=12&dd=01&nav_id=102939
Ndërkohë që Serbisë po i tolerohet kjo sjellje dhe e ashtuaquajtura doktrinë e neutralitetit ushtarak, Kroacia, një vend anëtar i BE-së i është dashur që të komentojë vendimin e Hagës.
“Kroacia nuk ka qenë një vend agresor. Serbia ka qenë dhe e ashtuquajtura Ushtri Popullore Jugosllave”, tha Presidentja, Kitaroviç duke iu referuar luftës së Bosnjes.

http://www.b92.net/eng/news/region.php?yyyy=2017&mm=11&dd=30&nav_id=102930
Ngjan e çuditshme kjo situatë politike ku Serbisë i tolerohet mbi të gjitha një vështrim historik mbi zhvillimt e dy dekadave të fundit në Ballkan, ndërkohë që vetë BE-ja ka bërë përgjegjëse Serbinë për atë që ndodhi në ish-Jugosllavi. Vetëm së fundmi, Beogradi caktoi në Akademinë Ushtarake ish-ushtarakë të luftës së Kosovë, gjykuar për krime lufte dhe ky akt kaloi pa ndonjë mesazh domethënës nga BE-ja. Nevoja për stabilitet po kthehet në një perceptim në emër të të cilit komuniteti ndërkombëtar po bën shumë kompromise duke lënë mënjanë atë solidaritet dhe angazhim që solli çmontimin e makinerisë së Milosheviçit.

Është ky kuadër ofensiv që dikton që edhe nismat rajonale të mos funksionojnë si derë e hapur por të kenë disa kushtëzime. Shqipëria ka ende llogari të hapur me Serbinë, për shkak edhe të detyrimeve që ka ndaj Kosovës dhe interesave jetike të botës shqiptare. E ardhmja kërkon lëshime, por jo mohim dhe harresë të historisë. Le të mbajmë parasysh se Serbia edhe për një çështje si ajo e shenjtërimit apo lumturimit të peshkopit kroat, Aloise Stepinac, ka imponuar një komision dypalësh me Vatikanin, ndërkohë që nuk pranon të lëvizë asgjë nga krimet e kryera në Kosovë. Serbia ka kërkuar falje për atë që ndodhi në Bosnje, por vijon ta trajtojë Kosovën si provincë të humbur të vetën.

Në këtë kuadër dhe nisur nga politika e saj edhe në Maqedoni së fundmi, është e qartë se Shqipëria me Serbinë, jo vetëm kanë qëndrime të ndryshme, por edhe interesa të kundërta në disa çështje. Për këtë arsye marrëdhënia duhet të kushtëzohet, në mënyrë që kjo përmbysje vetëm 18 vjet pas Luftës së Kosovës, të mos konvertohet së shpejti në një realitet gjeopolitik ku interesat shqiptare do të komplikoheshin edhe më shumë.