Rajoni

Përpjekje për koalicione parazgjedhore në Kosovë

Në Kosovë subjektet politike kanë edhe një ditë kohë për të arritur koalicione parazgjedhore. Fushata zgjedhore fillon më 25 shtator, ndërsa, nesër përfundon afati për regjistrimin në KQZ.

Në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka filluar përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare; që do të mbahen me (06.10:) dhe ka caktuar datën e fillimit të fushatës zgjedhore. Fushata do të fillojë me 25 shtator dhe do të zgjasë vetëm 10 ditë. Subjektet politike që po negociojnë në këtë fazë për koalicione parazgjedhore kanë afat vetëm deri nesër (30.08.) që të regjistrohen në KQZ, për t’i hyrë garës zgjedhore.

Zgjedhjet do të kushtojnë rreth gjashtë milion euro dhe këto mjete akoma nuk janë siguruar nga qeveria në largim. Kjo sepse, ky vit nuk ka qenë vit zgjedhor dhe mjetet nuk janë planifikuar në buxhet, që përbën një problem në alokimin e tyre. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë se KQZ nuk merr përgjegjësi për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, nëse KQZ-së nuk i alokohen mjetet.

“Në rast të vonesave eventuale, KQZ-ja nuk merr përgjegjësi për mbarëvajtje të mirë të zgjedhjeve. KQZ nuk mund të ndërmarrë asnjë hap, pa i pasur paratë e alokuara. Që në ditën e parë, që nga momenti kur kryeministri ka dhënë dorëheqje, ne kemi treguar se viti 2019 nuk ka qenë vit zgjedhor dhe KQZ nuk ka mjete për organizimin e zgjedhjeve”, ka thënë Valdete Daka.

Zyrtarë nga Ministria e Financave thonë se paratë për organizimin e zgjedhjeve ekzistojnë, por për alokimin e tyre akoma kërkohet qartësi ligjore, sepse këto mjete nuk kanë qenë të planifikuara në buxhetin e këtij viti.

Sidoqoftë, subjektet politike edhe një ditë para afatit për regjistrimin e tyre në KQZ- akoma janë duke bërë negociata të ndryshme për koalicione të mundshme parazgjedhore. Dy koalicione tashmë janë krijuar, ai ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e udhëhequr nga Ramush Haradinaj dhe Partisë Socialdemokrate dhe tjetri ndërmjet Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës “Kosova e Re” të biznesmenit Behxhet Pacolli. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) akoma është në bisedime që të hyjë në koalicion me lëvizjen Vetëvendosja, mirëpo një gjë e tillë akoma nuk ka ndodhur.

Kjo parti tashmë ka caktuar kandidatin e saj për kryeministër. Ajo është një femër, Vjosa Osmani, deputete dhe anëtare e deritashme e kryesisë së LDK-së. Në anën tjetër, lëvizja Vetëvendosja që po kërkon koalicion parazgjedhore me LDK-së, po kërkon që posti i kryeministrit t’i jepet liderit të saj Albin Kurti. Zyrtarë të Vetëvendosjes kanë thënë se “LDK-ja me nominimin e Vjosa Osmanit për kryeministër e ka larguar koalicionin VV-LDK”.

Mirëpo, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se ai mbetet besnik idesë “që vendi të qeveriset nga partitë e deritanishme opozitare, LDK dhe Vetëvendosje”.

“Nuk i jap të drejtë LDK-së të përzihet se kush nga VV duhet të jetë kryeministër i vendit. Por, nuk i jap të drejtë as VV të na caktojë sesi LDK duhet të vendosë për kryeministrin dhe për njerëzit e fushatës. Bashkëpunimin e konsideroj proces të respektit reciprok”, shkruan në profilin e tij, Isa Mustafa.

Nga ana tjetër Partia Demokratike e Kosovës, (PDK), si duket do të garojë e vetme në këto zgjedhje, ndonëse nuk e përjashton mundësinë e koalicioneve paszgjedhore.

Lista “Srpska” – instrument i rëndësishëm i Serbisë për interesat në Kosovë

Edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës janë duke u përgatitur për zgjedhjet e gjashtë tetorit dhe për këtë është duke u angazhuar edhe Beogradi zyrtar, që serbët të garojnë të gjithë përreth listës “Srpska”, që deri tash kishte 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, thotë se lista “Srpska” është instrument i rëndësishëm i shtetit të Serbisë dhe Beogradit për realizimin e interesave të Serbisë në Kosovë.

“Këto nuk janë zgjedhje në të cilat vendoset në mes të disa partive shembull, si zgjedhjet klasike në Serbi. Këtu mund të ndahemi në njëmijë mënyra, por në rastin e zgjedhjeve në Kosovë duhet të jemi të bashkuar kundër shqiptarëve, të tubohemi rreth Listës Serbe. Këto ditë do të kemi bisedime edhe këtu në Beograd me presidentin Vuciq dhe do të vendosim bashkërisht për gjithçka”, ka thënë për mediat publike në Serbi, Marko Gjuriq.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen me gjashtë tetor në Kosovë, nga analistët po cilësohen si shumë të rëndësishme, pasi qeveria e re pritet të përballet më shumë sfida e në mesin e të cilave edhe me dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ditë më parë shpërndarjen e parlamentit e cilësoi hap të rëndësishëm drejt krijimit të qeverisë së re, duke kërkuar “një fushatë, në të cilën kandidatët ofrojnë ide të reja për bisedime me Serbinë, sundimin e ligjit dhe zhvillim ekonomik, që do të siguronin se Kosova nuk humb më shumë kohë në ndërtimin e një baze për të ardhmen e saj”. /DW/

OPINIONE