Përplasen portalet për Bashën, “Syri” Vs “Lapsi”. Kush ka të drejtë?

Gjatë ditës së sotme, dy portalet “Syri.net” dhe “Lapsi.al” janë përplasur me qëndrimet e tij në lidhje me atë që mendojnë për kreun e opozitës Lulzim Basha.

“Lapsi” ka provokuar me një shkrim me titull “Basha ngre stekën: Nuk pranojmë as qeveri teknike”, por flakë për flakë i është përgjigjur “Syri.net” duke e cilësuar si “Shtrembërime dhe Lapsuse”

ÇFARË SHKRUAN “LAPSI”:

Sa më shumë afrohet afati final për hyrjen në zgjedhje, në vend që të zbutet aq më shumë radikalizohet Lulzim Basha. Këtë gjë ka bërë edhe sot kreu demokrat gjatë një bashkëbisedimi me pedagogë duke hedhur poshtë edhe idenë e një qeveri teknike të çastit të fundit. “Ne nuk do të pranojmë një qeveri teknike – pazar në çastin e fundit, për t’u hedhur hi syve shqiptarëve. Kjo është beteja nga e cila nuk kthehemi pa fitore, pra pa zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, ka këmbëngulur Basha.

Po t’i shikosh në dinamikën e tyre kërkesat e Bashës kanë ardhur duke u thelluar. Fillimisht ai pretendoi qeveri teknike dhe largimin e Ramës. Hodhi poshtë kompromisin me kokën e ministrave të cilët u kishte djegur kukullat në shesh, si Tahiri dhe Beqaj. Pastaj kur iu propozua të ndërpriste bojkotin dhe të votonte së paku ligjin e vettingut, ai u përgjigj që jo vetëm vettingun nuk e votonte pa u realizuar dy kërkesat, por kërkonte edhe negocim për përmbajtjen e 7 ligjeve të reformës në drejtësi. Më pas kur u hapën fjalë se Rama mund të bënte ndonjë tërheqje, ai nuk u mjaftua vetëm me largimin e kryeministrit, por kërkoi edhe me një qeveri teknike që do plotësonte një program të caktuar. Ndërsa tani kur në qarqe diplomatike po diskutohet ideja (e mbrojtur sidomos nga ambasadori italian) për një zgjidhje të minutës së fundit, kreu i PD e refuzon edhe këtë lloj zgjidhjeje për qeverinë teknike.

Pra po të bëhet kronologjia duket sikur Basha po shkon i vendosur drejt mospjesëmarrjes në zgjedhjet e 18 qershorit, të cilat sipas tij do të jenë të blera nga trafikantët, nga policia e lidhur mer hashashin dhe kriminelët, pa barazi në mediat e kapura nga regjimi.

Po pyetja është: pse Basha i maksimalizon përditë e më shumë deklaratat e veta?

Versioni i parë është se në ato pak ditë që mbeten deri më 18 prill (afati i fundit për rregjistrim në KQZ) ai do të risë presionin ndaj Ramës. Ndërsa versioni i dytë që përshpërisin zëra brenda PD është se ai e bën këtë për të fashitur kundërshtimet e brendëshme. Që prej kohës kur futi PD-në në çadër, Lulzim Basha nuk i ka mbledhur më forumet ku do të dëgjohej edhe zëri i kundërshtarëve të bojkotit. Ai i ka hequr Sali Berishës protagonizmin e aulës së parlamentit. Ai i ka tredhur zërat e kritikëve si Bregu dhe Selami. Pra, që prej 18 shkurtit çadra është i vetmi institucion ku Basha mbretëron pa pengesa. Prandaj ai e do vazhdimsinë e saj dhe radikalizmin që e mban atë gjallë. Prandaj edhe të premten e kësaj jave vuri një kusht mbi kusht: “Dua t’u them se nuk ka asnjë shans, zero shans, që ne të pranojmë një qeveri teknike kukull”

ÇFARË SHKRUAN “SYRI”:

Për fat të keq, Lapsi është mprehur trashë sot nga ndonjë mprehëse kontrabandë nga Rama, dhe ka vendosur në ballinë një të pavërtetë që synon, siç rëndom bën sot media e kontrolluar nga qeveria, të godasë opozitën me te pavërteta, gjysëm të vërteta dhe gënjeshtra.

Pretendimi se Basha paska nxjerrë kërkesa të reja, është jo vetëm i pasaktë, por dezinformues.

Asnjë kusht të ri, dhe asnjë ndryshim qëndrimi nuk ka në kursin e opozitës dhe Lulzim Bashës.

Sot paradite, kreu i demokratëve u shpreh:

“Nuk kanë asnjë shans, zero shans, që ne të pranojmë një qeveri teknike kukull sepse në këtë betejë nuk jemi për veten tonë, sepse në këtë betejë nuk jemi për karriket tona, në këtë betejë nuk jemi për fatin e partisë sonë, por për fatin e të gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe ne as nuk kërkojmë as nuk do të pranojmë një qeveri teknike fasadë. Qeveria teknike është mjeti, ndërsa kushti, beteja, nga e cila nuk kthehemi pa fitore, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.

Basha theksoi qartë se nuk mund të jetë zgjidhje një qeveri teknike kukull, që serviret në çastin e fundit jo për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme, por për të shërbyer si alibi për zgjedhje fasade të diktuara nga krimi.

Objektivi i opozitës janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Rruga e parashtruar që ditën e parë, që me 18 shkurt është krijimi i një qeverie teknike që do luftojë drogën, krimin, paratë e narkotrafikut, do të zbatojë dekriminalizimin, pra do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.

Basha ka shpallur që kjo qeveri me mbështetje të plotë politike, të vazhdojë reformën në drejtësi, sipas ndryshimeve kushtetuese të 22 korrikut, që në fakt është, paketa që mori konsensusin politik dhe mbështetjen ndërkombëtare, sipas formulës Nuland-Hahn.

Me 18 shkurt, Lulzim Basha deklaroi në shesh se protesta do të vazhdojë derisa të garantohen zgjedhjet e lira e të ndershme, “Të cilat vijnë vetëm përmes largimit të qeverisë së krimit, dhe krijimit të një qeverie teknike të zgjedhjeve të lira”. Më përpara Basha argumentoi se kjo qeveri teknike ka si detyrë për të dekriminalizuar shtetin, për të zhdukur ekonominë e drogës, për të siguruar votë të lirë e të ndershme.

Me 3 mars, pas mesazheve të Ramës për gatishmëri për dialog, përgjigja e koalicionit opozitar, e publikuar në të gjitha mediat thekson: Koalicioni opozitar shpreh gatishmërinë për një tryezë dialogu të vërtetë, për krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, përmes një qeverie me mbështetje të gjerë politike që do të garantojë:

1-Zbatimin e plotë të dekriminalizimit.

2-Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës.

3-Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

4-Zbatimin e reformës në drejtësi sipas përcaktimeve kushtetutese të 22 korrikut.

Me 8 mars koalicioni opozitar konfirmoi: “Vendimin e marrë nga bashkimi popullor i 18 shkurtit, se vetëm një qeveri teknike që do të zbatojë plotësisht dekriminalizimin, dhe do të angazhohet në luftën kundër drogës, krimit dhe parave të paligjshme kriminale, mund të garantojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Me 27 mars, partitë e koalicionit opozitar dolën me deklaratë, ku rikonfirmuan vendimin e marrë me 18 shkurt: “Zgjidhja e vetme që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, është krijimi i një qeverie teknike me mbështetje të gjërë politike e cila do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, do të luftojë me efikasitet narkotrafikun, krimin e organizuar dhe paratë e pista të drogës, dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme”.

Pra qëndrimi është i qartë dhe i pandryshuar. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme vijnë përmes luftës ndaj krimit, drogës, parave të pista dhe zbatimin e ligjit të dekriminalizmit. Dhe këto, duhet t’i bëjë një qeveri teknike, sepse Edi Rama sigurisht nuk i bën, pasi prej 4 vitesh bën krejt të kundërtën.

Të shpallësh se qeveria teknike qenka Fatmir Xhafaj, dhe turp për opozitën që nuk e paska pranuar, është më e pakta miopi.

Të kërkosh zbatimin e reformës në drejtësi, sipas formulës konsensuale, pra të vijohet aty ku qeveria e dhunoi parimin duke përjashtuar opozitën ne paketën e ligjeve, është i njëjti qëndrim, për drejtësi sipas standardeve dhe jo drejtësi sipas Ramës.

Qëndrimi i opozitës, i z.Basha është i pandryshuar prej 42 ditësh. Protesta ndalet vetëm kur të garantohet vota e lirë dhe e ndershme. (D.D/Shuplaka)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne