PËRRALLAT E HAXHI ZENELIT PËR TË RRITUR

(Reagim ndaj shkrimin të Haxhi Zenelit“ Ndoshta edhe Hoxhë Maku  është “laraman”)

Autori: Senad Maku

Deri tash vonë kam menduar se përrallat janë për fëmijët e vegjël, por tani gjithnjë e më shumë po e shoh, se ato janë edhe për të rriturit që duan të thonë diçka, kur nuk kanë gjë për të thënë. Sikurse atë “derrin që e sollën tre here rreth xhamisë dhe u bë dele”, kështu edhe gënjeshtrën, mjafton në fillim ti thuash “e vërtetë” dhe ajo bëhet “e vërtetë”, sa për të shkruar një artikull. Me “të vërtetën” në gojë e filloj edhe Haxhiu artikullin e parë, por në pjesën më të madhe të saj dominoj e pavërteta, natyrisht nga këndvështrimi im.

Ne e dimë tashmë se për katër dekada, tek shqiptarët dominoj një ideologji që desh e “vrau” Zotin, për tu bërë vetë një “perëndi”, duke asgjësuar të gjithë ata që kuptuan se “religjioni” i tij ideologjik ja shkatrronte vlerat më të rëndësishme morale që e kishin mbajtë me shekuj shqiptari. Kjo njëkohësisht na shpiku edhe një histori të paqenë, bazuar kryekëput në historiografinë sllave me të cilët aso kohe kishin “mardhënie vëllazërore”. Këta të mençurit e dy dekadave të fundit nuk bënë gjë tjetër veç copërtimin e kësaj “ideologjie” në më shumë pjesë të quajtura parti e shoqata misionarësh që të ftojnë të dalish nga vetja. Tani jetojmë në mesin e një “ideologjie” të çuditshme ku secili “bluan” gjithëçka nën tuelën e “shqiptarisë”, me të cilën gojën e kanë plot, por njohin vetëm një ngjyrë, atë të parasë. Janë kjo skotë e shqiptarëve që tregon anekdota e Konicës, se kur e pyetën një herë shqiptarin: “A do të shkosh në ferr?”, ai i pyeti: “Sa është rroga atje?”

Pavarësisht “dyzenit” që përpiqen ti bien, është mjaft e dukshme se ne nuk kemi problem me ekstremizmat fetarë, por me ekstremizmat politik, ku secili dëshiron ti rreshtojë ushtarët e vet, ti ketë shkrimtaret e vet, dhe të fitojë sa më shumë pëlqime! Ne jetojmë në llojin më pervers të komunizmit, ku çdo parti është komuniste përveç emërtimit që mban. Pikërisht atë llojë komunizmi që na solli ateistët (mohuesit) të cilët, tani që u ka dalë doret “stupci”, përdorin maskën e “shqiptarisë” për ti mbajtë njerëzit në “vathën e të humburve” dhe për tja lehtësuar punën djallit. Thonë se djajt prangosen në muajin e bekuar të Ramazanit, por shumë prej njerëzve që bëjnë “moral” janë vetë djalli. Janë ata që duke dashur të njollosin Islamin njollosin edhe vetë shqiptarët, që paskëshin qenë aq fikacakë, sa ndryshe nga të gjithë popujt e Ballkanit, i qenkan nënshtruar “shpatës” konvertuese!

 

Zotni Haxhi dhe lobi yt, do tu lutesha që këto rreshta të rënditura ti lexoni nga 2 apo 3 herë për ta kuptuar mirë të vërtetën e duke u larguar nga përrallat e juaja dhe dezinformimet që dëshironi të jua shisni popullit dhe bashkombasve tanë. Lexoni me vëmendje:

 

  1. Haxhiu ka të drejtë kur më kujton “Shkallë Mushkën”, por aty nuk luftonin turko/malazezët siç i pëlqen Haxhiut, por shqiptarët kundër forcave të Dervish Pashës, për korrektësi pjesmarrësit Isuf Sokoli dhe Mehmet Gjyli nuk ranë aty, nuk e di nëse Haxhiu i ka informatat e gabuara (ti kanë servuar ashtu), apo ja ke futë kot.

Pastaj thotë: “iu falë Malit të Zi për të shpëtuar Izmirin”. Hajde mendje hajde…, çudi njëmend që nuk ja falën Izmirin për ta shpëtuar Ulqinin, të cilën e prisnin pastaj anijet fuqive të mëdha të Evropës për ta fundosur në detë!

Kur ke lexuar Hamdi Bushatin, si ka mundësi mos ta keshë parë përleshjen në Rrezigaqe ku turqit dhe shqiptarët luftonin bashkë kundër malazezëve?! Vërtetë nuk e ke kuptuar Haxhi, se Ulqinin nuk ja fali Malit të Zi “Turqia” por Evropa, apo bën sikur nuk e ke kuptuar!?

 

  1. Haxhi nuk ke pse brengosesh për “laramanizmin” tim. Të parët e Senadit kanë qenë muslimanë, sepse të tillë e krijoj Zoti njeriun e parë mbi këtë tokë. Gjithë ato që kanë qenë ndërmjet atëherë e tani, kanë qenë vetëm devijime të përkohëshme, për mua mjafton që nuk e kanë ulë veten në shkallën e ateistit, anipse pa të, po na venë damkën e “antishqiptarisë”.

 

  1. Deri tash, xhaminë ku unë dhe besimtarët shqiptarë gjejnë prehjen shpirtërore, janë munduar të ma bëjnë turke e arabe, tani Haxhiu me fjalën “bashkëjetesë” në gojë, ma mëson një të re: që xhamitë tona veç që po na i ndërtojnë arabo-turqit, po ndihmojnë edhe ruso/serbët!? (Këto janë fjalët tuaja në artikullin për konveritme) Se ku don me dalë mund ta dish ti Haxhi dhe lobi yt, por me këtë thua se “kishte për qëllim të na afrojë si shqiptar pa dallim feje”. Ne jemi mësuar me idiotizma të këtilla, të cilat gjithëherë provojnë ta bëjnë të bardhën të zezë, nuk e kanë për gjë, por ata vërtetë nuk e dallojnë ngjyrën e bardhë. Natyrisht, nëse ju nuk bëni pjesë në atë që xhamia ime duhet te jetë ose ruse ose arabe, Haxhiu mund të ketë aftësitë e matjes së patriotizmit dhe tu shpallë “antikombëtarë”, në qoftëse nuk pajtoheni me shkrimin e tij. Unë për vete nuk e kam vështuar as nga këndi fetarë as nga ai kombëtarë, sepse artikulimi nuk mendoj se ja vlen nga asnjëra. Natyrisht ai do ti gjej “myshteritë” dhe “aferimet” e veta në rrjetet sociale, ata të njëjtit e të zakonshmit, që nuk e dallojnë ngjyrën e bardhë.

 

  1. Kur e thashë se njerëzit shkruajn kundër muslimanëve shqiptarë dhe Islamit për të mbërri karrierë, e thashë në përgjithësi dhe nuk e kisha mendjen vetëm tek ti Haxhi, karriera nuk bëhet me 5-6 artikuj që ke bërë, ai duhet të vazhdojë dhe tua bëjë ferr bashkëkombasve të tij muslimanë.

Ndryshe nuk ka pse mendon Haxhiu se vetem ai është “nga gjiri i popullit dhe vetëm ai e njeh mirë mentalitetin e popullit”. Unë mendoj se ne që jemi këtu e njohim mentalitetin e popullit më mirë se Haxhiu, që e ka lënë këtë truall para 30 vjetëve. Haxhiu mund ta njohë më mirë se unë “popullin e fejsbukut”, se shumicën i ka atje.

Haxhiu nuk ka pse mërzitet nëse unë ja kujtova që do të ishte etike një urim për Ramazanin (ne e shkruajm me të madhe), tek e fundit nëse ai nuk e ndejn për etikë, edhe ne nuk na duhet, por nejse…

 

  1. Eshtë e vërtetë ajo që thotë Haxhiu se: “Për të ju hyrë në qejf ithtarëve te ti, Zotri Hoxhë Maku bën një shkrim dhe në fund të shkrimit, rreshton një varg autorësh”, po për çfarë vallë Haxhiu citon herë pas here Malcolm-in, Baldacin, Edvin Zhak-un, e madje edhe Nicola Guy të njohur për qëndrimet e tij antishqiptare. Apo ndoshta për arsye se, ndryshe nga Haxhiu, Unë (Senadi) citova autor shqiptarë.

 

  1. Kur më jep Haxhiu sygjerimin që hulumtimet të mos bëhen të njëanshme dhe të fillohet nga shekulli i parë i “okupimit osman”, kam përshtypjen se Haxhiu lexon vetëm disa faqe të librit, ose ai nuk bën vetë atë që këshillon të tjerët. Meqenëse citon Malcolm-in [në librin “Kosova – një histori e shkurtër”], si ka mundësi të mos e ketë parë rëndësinë e ruajtjes së shqiptarisë nga Islamizimi i shqiptarëve, ndërsa Malcolm tekstualisht shkruan: “Duke marrë parasysh mbisundimin e ser­b­ë­ve ortodoksë, si edhe të gjuhës serbe në Kosovën mesjetare, ka arsye të mendohet se rrjedha e përgjithshme e asimilimit ka qenë në favorin të serbëve”, se: “shumë veta të cilët iu nënshtruan këtij procesi, duhet të kenë lënë gjuhën e tyre shqipe dhe janë bërë serbë”. Ose karakterin Islamik të Lidhjes së Prizrenit (f.234 e tutje).

 

  1. Nëse merr për “yrnek” dëshmitarin okularë Marin Barletin “për masakrat osmane (turke)”, në trojet Arbërore, si do t’ja bëjë me atë pjesën tjetër që Barleti i bën heroit kombëtarë, duke ma paraqitur Skënderbeun si vrasës (f.73), si besëthyes (f.71), si dhunues (f.74) e si hajn (f.183), jo i turqëve por i Arbërve. Unë mendoj se Barleti gënjen, sepse nuk dua të besoj që kemi pasur një hero aq të lig! Po ta lexoje ti Haxhi dhe lobi yt Barletin prej fillimit deri në fund, ndoshta do të pajtoheshit në këtë pikë.

 

  1. Haxhiu citon Baldaccin, duke harruar se veprën e vet Baldacci e shkroj ndërmjet viteve 1892-1902, kur Italia synonte ta bënte Shqipërinë ose një pjesë të saj të vetën dhe Baldacci e thotë këtë vetë madje në faqet e para të librit. Libri i Baldaccit ka edhe faqen 160, që i shpjegon Haxhiut se pas asaj perandorie “të urryer”, banorët e Orahovës (fshat me 150 shtëpi), më parë ishin katolikë dhe flisnin shqip, tanimë “flasin serbisht…” A i shpjegon Haxhiut diçka kjo!?

 

  1. Haxhiu i referohet Isa Blumit që thekson, se aty rreth vitit 1914, në Mirditë, një rajon kryesisht katolik, vetëm tre veta ishin në gjendje të lexonin shqip. Sikur Haxhiu të lexonte Emile Wiet përshembull [“The Diocese of Lezha and Mirdita”, Paris 1866,] i cili udhëtoj nëpër Dioqezën e Lezhës dhe të Mirditës më 1860, do të gjente injorancën e madhe të tyre, ku: “Prej mbi 17.279 katolikëve të Dioqezës, vetëm 50 prej tyre dinin lexim dhe vetëm 10 prej tyre dinin të shkruanin emrin e tyre”. Nuk kishte as shkolla as individë të gatshëm për tu mësuar fëmijëve të tyre detyrat ndaj kishës. Dhe kush i pengonte, Turku”? JO, i pengonte Kisha – thotë Wiet.

Ndryshe nga muslimanët e Lezhës: “që i çonin fëmijët e tyre te Hoxha ose te muezini të cilët i mësonin të lexojnë dhe të mësojnë fenë e tyre”. E tillë ishte ajo kohë. Dhe ne duhet ti shohim gjërat nga këndvështrimi i kohës, jo sikurse Haxhiu që përpiqet të japë rrëfenjat e historisë nga këndvështrimi i sotëm.

 

  1. Për Masakren e Manastirit (1830), një gënjeshtër e madhe e shpikur nga Kadareja, që e bën të duket si një masakër turke kundër njëmijë kryengritësve shqiptarë, por, Haxhiu mund ta lexojë Konicën, i cili e tregon për rreth 400 zullumqarë shqiptarë, të cilët kishin luftuar mercenarë në Greqi dhe tani që kishte mbaruar lufta, ato bënin zullume mbi popullsinë. Sulltani ishte i dobët dhe prandaj i ftoi në Manastir “tu jepnin rrogat”. Morën pikërisht atë që kërkonin “zullumin”.

Haxhiu është i lirë ta konsiderojë përrallen e Kadaresë si të vërtetë, dhe ta hedh rrëfimin e Konicës në grupin e përrallave për të rritur. Sipas etikës “bushiste” ose me Konicën ose me Kadarenë, le ta emrojë vetë Haxhiu gënjeshtarin.

 

  1. Përgjigjen e pytjes se “përse kjo perandori nuk bëri një gjë para se të ik” e cila nuk mundë të shkruhet brenda një artikulli të till, por i them Haxhiut dhe të tjerëve që ta gjejnë tek Kujtimet e Eqrem Bej Vlorës dhe të Syrja Bej Vlorës. Por meqë ti Haxhi jeton në Amerikë e ke më lehtë ta gjesh veprën e Anton Minkovit: “Conversion to Islam in the Balkans” (2006), të Barbara Jalevich: “History of the Balkans” (1983); të Zachary Carabell: “Peace be upon you” (2007); të Peter F. Sugar: “Southeastern Europe under Ottoman Rule (1354-1804)” (1977); të Jennifer M. Scarce (ed.): “Islam in the Balkans” (1979) dhe Stephen O’Shea: “Sea of Faith” (2006). Janë shkrime akademike nga autorë e studjues me renome botrore dhe të pa anshëm (as muslimanë as shqiptarë). Vetëm atëherë Haxhiu do të kuptojnë se përrallat vërtetë janë për fëmijë.

 

Unë këtu i vë kapakun diskutimit tim me Haxhiun (edhe pse ai përsëri do të shkruaj përralla dhe të pa vërteta), por unë nuk dua ta uli vehten në debate të tilla.

 

Besimtarëve iu uroj agjërim të lehtë në këto ditë të madhërishme të Ramazanit dhe ta kalojmë sa më shumë në ibadet dhe afrimitet ndaj Krijuesit të Plotfuqishëm.

Paqa dhe Mëshira e Zotit qoftë mbi gjithë juve./ infoshqip.me

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne