Përse duhet të vizitoni Beratin, një nga qytetet më të bukura osmane të Shqipërisë?

Kur fillova të kërkoj për Shqipërinë, pyeta veten se përse nuk kisha dëgjuar më parë për këto vende, shkruan të mërkurën “wanderlustingk.com“.

Shqipëria ka qenë e përjashtuar nga shumë lista destinacionesh dhe ne duam të bëjmë pjesën tonë për të ndihmuar njerëzit të zbulojnë bukurinë shqiptare.

Kur fillova të kërkoj për udhëtimin tim në Shqipëri, përfundova e fiksuar me Beratin, pasi pashë fotot mahnitëse të shtëpive të tij të periudhës osmane. Thjesht, ai është një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë dhe ne do t’ju zbulojmë tri arsye se përse ju duhet të vizitoni Beratin.

Historia e Beratit

Sapo hyni në kështjellën e Beratit, do ta kuptoni që jeni në një vend special. Portat e kështjellës ju ftojnë të hyni brenda dhe ju menjëherë mund të imagjinoni koçitë dhe rojat e kësaj kështjelle mijëravjeçare.

Gjatë periudhës ilire, Berati ishte një nga kështjellat e Ilirisë, megjithatë romakët shkatërruan muret dhe vranë gjithë burrat. Pas rënies së Perandorisë Romake, Berati u fut nën sundimin e Perandërisë Bizantine. Në një mënyrë mjaft interesante Berati u quajt Qyteti i Bardhë (Beligrad – Beograd), i njëjti emër për kryeqytetin aktual të Serbisë, për shkak të mureve të bardha të kësaj kështjelle. Nën sundimin otoman, Berati u shndërrua në një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë dhe ende atje ka një pazar të shekullit XVIII, dëshmi e ndikimit të këtij qyteti mahnitës. Në periudhën e vonshme osmane, Berati u bë influent brenda lëvizjes nacionaliste shqiptare, që çoi në pavarësinë e Shqipërisë.

Kështjella e Beratit daton 2 500 vite më parë edhe pse ajo u rindërtua më vonë, në shekullin XIII. Kalaja, zona përreth saj, ka shumë kisha dhe xhami që datojnë që nga epoka mesjetare. Shtëpitë ikonike me dy kate të Beratit datojnë ndoshta nga shekulli XVI, ndërkohë që shumë prej tyre janë të papërdorshme sot.

Berati njihej edhe gjatë pushtimeve të Shqipërisë nga të huajt për bukurinë dhe historinë e tij të mahnitshme.

Në vitin 2008, Berati, ashtu si edhe Gjirokastra, u listua nga UNESCO-ja si trashëgimi botërore për arkitekturën e tij otomane të ruajtur mirë.

Edhe përpara kësaj, Shqipëria ishte kujdesur të ruante këto ndërtesa për të konservuar arkitekturën e mrekullueshme të Beratit.

Ne shpresojmë se ai do të jetë këtu edhe për shumë vite të tjera. Ka një numër muzeumesh në Berat, përfshirë Muzeun Kombëtar Etnografik, që tregon sesi ka qenë jeta në Beratin e shumë viteve më parë.

Macet e Beratit

A janë macet një arsye më shumë për të vizituar një vend ? Jemi të sigurtë që mund të jetë një arsye. Unë jam një adhuruese e madh e maceve dhe kam parë kaq shumë mace të bukura dhe të mirëushqyera në Berat! Nëse ndiheni të tërhequr prej tyre, ndaloni në një dyqan për kafshët dhe blini ndonjë ushqim për të ushqyer macet endacake miqësore.

Shumica prej tyre duket se kanë gjetur një shtëpi komode në Berat. Nuk kam parë kaq shumë mace në vendet e tjera të Shqipërisë, të paktën aty ku isha unë, kështu që isha shumë e lumtur kur mbërrita në Berat.

Në hotelin tim gjendej një mace miqësore që i pëlqente buka edhe pse përfundova duke takuar pronarët e një dyqani që ofronin kafshë shtëpiake në këmbim për të hyrë në dyqanin e tyre.

Arkitektura e Beratit

Sa shpesh mund të thoni se keni qenë brenda një kështjelle 2 500-vjeçare? Nga dritarja e dhomës sime, unë iu gëzova pamjeve të të paktën 10 shtëpive, teposhtë kodrës. Berati është i njohur si ”qyteti i një mbi një dritareve” për numrin e madh të tyre, ndërkohë që banorët lokalë bëjnë shaka duke thënë se çatia e dikujt mund të jetë ballkoni juaj për shkak se shtëpitë janë kaq pranë njëra-tjetrës sa ka mundësi që të ngjitesh në çatinë e tjetrit.

Në zonën historike të kështjellës, ju mund të shikoni ndërtesat mahnitëse prej guri që janë përforcuar me dru. Pjesa më e madhe e banorëve në këtë zonë i përkasin historikisht besimit të krishterë. Numërohen rreth 40 kisha të vjetra brenda qytetit të Beratit.

Aktualisht vetëm disa prej tyre kanë mbetur të paprekura, megjithatë ato ruajnë ende një pamje e mrekullueshme.

Vizitorët nuk duhet të humbasin pamjen e mahnitshme të Kishës së Shën Mëhillit, e cila është ndërtuar në kodrën afër kështjellës së Beratit dhe daton në shekullin XIV dhe Xhaminë e Plumbit, e cila daton në vitet 1500. (Në qytetin e Beratit ekzistojnë edhe shumë kisha dhe xhami të tjera!) Shumë nga ndërtesat  fetare përmbajnë afreske mahnitëse dekorative brenda tyre!

Për të shijuar arkitekturën mahnitëse të Beratit, thjesht duhet të endesh nëpër rrugët mahnitëse të qytetit. Mos u shqetësoni, një nga lokalet më të afërt do t’iu ndihmojë duke iu dhënë udhëzime, por ndonjëherë kur humbet rrugën argëtohesh më shumë (Shënim: Vishni këpucë të mira, pasi rrugët me kalldrëm mund të jenë të rrëshqitshme!)

Sigurohuni të ecni përtej lumit Osum për të eksploruar një nga lagjet e tjera të vjetëra dhe një nga pamjet më të mira të kështjellës (sidomos gjatë perëndimit të diellit). /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne