Bota

Përshkallëzohet kërcënimi amerikan kundër Teheranit

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një sistem mbrojtës raketor si dhe luftanije, në Lindjen e Mesme.  Qeveria amerikane miratoi vendosjen e sistemit të mbrojtjes raketore Patriot qe do t’i bashkohet luftanijes Abraham Lincoln. Ato tashmë kanë kaluar përmes kanalit Suez të Egjiptit dhe aktualisht po lundrojnë në Detin e Kuq.

Shtetet e bashkuara deklarojnë se vendosja e pajisjeve ushtarake në rajon vjen në përgjigje të “rritjes së gatishmërisë iraniane për të kryer operacione sulmuese”. Më herët Uashingtoni dërgoi edhe një forcë ushtarake amerikane e cila tashmë ndodhet në bazën ajrore amerikane Al Udeid në Katar.

Në një deklaratë për shtyp Pentagoni njoftoi se “Departamenti i Mbrojtjes vazhdon të monitorojë nga afër aktivitetet e regjimit Iranian.

Irani ka reaguar duke thënë se masat e marra nga SHBA-të, janë një “luftë psikologjike” që po përdoret për të frikësuar Teheranin.

Tensionet mes Uashingtonit e Teheranit vijnë pas tërheqjes së njëanshme të Trump nga marrëveshja bërthamore me Iranin. SHBA kanë akuzuar vazhdimisht presidentin Hassan Rouhani se nuk ka respektuar marrëveshjen, duke detyruar presidentin amerikan të deklarojë tërheqjen e vendit të tij nga pakti ndërkombëtar dhe vendosjen e sanksioneve ekonomike.

Pas tërheqjes së Uashingtonit, Irani ka vazhduar planin e tij me programin bërthamor. Madje Teherani ka kërcënuar edhe me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës për konsum global.

OPINIONE