Personat me aftësi të kufizuara protestojnë kundër arrogancës së qeverisë

Nga Gerard Gega

Shoqatat e të verbërve dhe personave me aftësi të kufizuara zhvilluan sot një protestë përpara Kryeministrisë “kundër arrogancës qeveritare, bullizmit dhe përpjekjeve për të shkurtuar të drejtat e tyre”.

Me të njëjtat pankarta të protestave të viteve më parë, dhjetëra të verbër, paraplegjikë dhe tetraplegjikë kërkuan më shumë të drejta dhe mundësi ekonomike.

Organizata e Kombeve të Bashkuara kanë vlerësuar me shqetësim se të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri po cënohen. Në një raport të bërë publik ditën e hënë u tha se personat me aftësi të kufizuara po përjashtohen nga jeta publike, aksesi në sistemin e drejtësisë mbetet i mangët pa ndihmë juridike falas apo interpretues të gjuhës së shenjave në dhomat e gjyqit e stacionet e policisë.

Përveç këtyre të drejtave gjendja ekonomike duket problemi më i rëndë për personat me aftësi të kufizuara. Vetë protestuesit u shprehën përpara Kryeministrisë se kërkojnë rritjen e pagësës për aftësinë e kufizuar – aktualisht sipas planit kombëtar 2016-2020 paguhet 10,030 lekë deri në 11,390 lekë në muaj – dhe ndryshimin e ligjit.

Në këtë pjesë personat me aftësi të kufizuara kërkojnë që qeveria të mos marrë vendime pa u konsultuar me ta. Në këtë pjesë personat me aftësi të kufizuara kujtojnë se të ashtuquajturën “reformë vlerësimi të aftësisë” qeveria e miratoi përpara se të mbahej konventa kombëtare e të gjitha organizatave.

Mbi 164 mijë persona janë me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Prej këtij numri, mbi 12,300 janë të verbër dhe mbi 6,400 paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Fondi që qeveria vuri në dispozicion këtë vit ishte 6 milionë euro./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne