Opinion

Përtej retorikave me Kirschbaum

Nga Redi SHEHU

Të gjitha mediat u fokusuan me të drejtë në një ndër etapat më të rëndësishme të proçesit integrues të Shqipërisë siç ishte edhe rekomandimi që Komisoni Evropian dha për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimn Evropian. Por ama, intensitetin më të madh këto media e shfaqën me fenomenin “Kirschbaum” gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në Berlin në kuadër të një fushatë lobuese për të bindur Gjermaninë si domethënia politike Unionit për të votuar pro anëtarësimit të vendit tonë në BE. Nuk dua të ndalem në pse-të dhe cic-micet e detajeve që mbushën mediat në formë dikotomike sipas rreshtimit partiak për ngjarjen, por dua të theksoj një fakt i cili për mendimin tim qëndron përtej ngjarjes dhe përtej debatit “Kirschbaum”. Këto ngjarje që po ndodhin së fundmi, janë një fytyrë e re e marrëdhënieve ndërkomëbëtare ku gjeopolitika dhe fuqia e qendrave të pushtetit po lëviz me shpejtësi, dhe Shqipëria e ndodhur në një zonë tektonike aksesh pushteti rrezikon të çorientohet politikisht dhe ekonomikisht.

Tashmë proçesi integrues në BE ka kaluar fazën e vet të normalitetit dhe po futet në një proçes sforcimi i cili vjen pikërisht si pasojë e këtyre lëvizjeve të fundit të qendrave të pushtetit. Sidomos kjo nëse flasim për Ballkanin dhe boshtet e mëdha qytetërimore të cilat përplasen në këtë rajon. Bota përherë ka qenë e konfiguruar nga ekzistenca e disa boshteve dominuese qytetërimore të cilat kanë qenë hegjemonikë në kuptimin politik, ekonomik dhe fetaro-kulturor. Në fillim u shpërfaq Evropa gjatë dy shekujve të periudhës moderne deri në LDB si boshti dominues në botë duke imponuar kulturalisht, ekonomikisht dhe politikish me anë të kolonizimeve dhe më vonë me anë të përcaktimit të kufinjve, qëllimet e veta. Pas LDB, u pa një rënie e Evropës si bosht civilizues dhe stafetën e mori SHBA si fuqi civilizuese ushtarake, ekonomike me bumin e saj ekonomik dhe politik po ashtu. Kurse gjatë luftës së ftohtë, boshti i Amerikës së Veriut dhe ai Bashkimit Sovjetik përbënin dy akse përplasëse me njëri-tjetrin.

Është pikërisht fillimi i Bashkimit Evropian si nocion tregtar dhe me pas politik që bëri që boshti i Amerikës së Veriut të bashkohet në boshtin e madh dominues të deri kohëve të fundit që u quajt boshti Euro-Atlantik. Ndërkohë akse të tjera ekonomike u krijuan në nivelin e shteteve si Kore e Jugut, Taivan, Hong-Kong dhe Singapor dhe aksi tjetër si Malajzi, Tajlanda, Indonezia dhe Filipine.

Ahmet Davutoglu, në teorinë e tj mbi boshtet civilizues thekson se ato nuk janë një ambient statik, por janë një atmosferë dinamike e krijuar nga tensioni mes forcave të qendrës së boshtit dhe forcave centrifugale periferike, ku forcat e qendrës tërheqin periferitë drejt saj dhe periferitë që tentojnë të shkëputen. Pra me një fjalë, Evropa e Bashkuar dhe Amerika e Veriut përbëjnë deri në kohët e vona qendrën e botës dhe pjesa tjetër, periferia që rrotullohet rreth saj në formë centrifugale. Ndryshime ekonomike të rëndësishme sjellin zhvendosjen e akseve qytetërimore.

Sot vërehet një forcimin e aksit aziatik me Kinën si forcë qendërsuese. Një aks tjetër i rëndësishëm është ai rus me një ekspansion politik dhe ekonomik të fuqishëm. Në të njëjtën kohë, një qendër e re e një aksi qytetërimor të ri në formim e sipër që përveç anës ekonomike shquhet për veçantinë kulturore si forcë qendërzuese e për rrjedhojë edhe politike me qendër të saj Turqinë e sotme.

Në spektrin shqiptar, integrimi në strukturat e BE-së ka marrë formë dhe trajtë të ndryshme. Ashtu si në pjesën më të madhe të vendeve të Ballkanit, integrimi për qeverinë shqiptare është kthyer në një prioritet të shkallës së parë. Por, në ndryshim nga vendet e tjera apirante për t’u bërë anëtare të BE-së, Shqipëria si bartëse e një identiteti kulturor të ndryshëm, përballet me një realitet integrues sa të veçantë aq edhe qesharak. Të veçantë në trajtimin që BE duhet t’i bëjë Shqipërisë dhe shqiptarëve të shpërndarë në të gjitha vendet ballkanike që aspirojnë integrimin dhe qesharak në politikat, strategjitë që ndjekin shpesh qeveritë dhe elita kulturore shqiptare.

Nëse do merrnim tezën e boshteve civilizuese të Davutoglusë dhe ta vendosnim në kontekstin shqiptar dhe rajonal, do të shohim se Shqipëria ndodhet në një zonë ku aktualisht tre boshte civilizuese takohen në të njëtin rajon: aksi euroatlantik tashmë i rrënjosur si realitet politik, ekonomik dhe deri diku kulturor (Ballkanin Perëndimor); aksi rus si realitet historik kulturor dhe së fundmi edhe ekonomiko-ushtarak (Serbi, Mal i Zi, Maqedoni, Greqi); aksi me qendër Turqinë si realitet historik e kulturor dhe së fundmi edhe ekonomik (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni)

Mirëpo thamë që boshtet civilizuese janë dinamike përmes përplasjes së forcave të qendres që tërhiqen nga aksi dhe atyre të periferive që herë pas herë ushtrojnë rezistencë në kahun e kundërt. Ne ndodhemi në një zonë tektonike në gjeopolitikë që Hungtington e ka quajtur “vende të shqyera”, pikërisht së duke qenë në rolin e trefishtë të satelitit të tre boshteve civilizuese, luhaten dhe tërhiqen nga forca gravitacionale të tre boshteve njëkohësisht.

P.sh. Serbia, Mali i zi, Maqedonia tërhiqen politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht nga aksi euroatlantik; por tërhiqen kulturalisht e ushtarakisht, e deri diku ekonomikisht edhe nga aksi rus; ndërsa joshen ekonomikisht dhe kulturalisht (gjysma e Maqedonise) nga aksi turk. Shqipëria, Kosova dhe gjysma e Maqedonisë, tërhiqen politikisht, ekonomikisht ushtarakisht nga aksi euroatlantik, tërhiqen ekonomikisht, kulturalisht dhe pjesërisht politikisht nga aksi turk, dhe joshen nga aksi rus.

Pra të qenurit satelit i një boshti është problematik se je gjithmonë nën presionin forcës shtytëse dalëse e cila është në drejtim të kundërt me qendrën. Ndërsa të jesh satelit i tre boshteve njëkohësisht të bën të jesh “vend i shqyer” nga të gjitha pikëpamjet. Në këtë situatë, të gjithë këto vende, në një farë mënyrë ngrenë të njëjtën pyetje lidhur me atë se si duhet të sillen tani kur balanca e boshteve po lëkundet dhe ku të parët që flutrojnë jashtë forcës gravitacionale janë vendet periferike të tij.

Ajo çka po ndodh me integrimin tashmë, ajo që ndodhi me kryeminstrin Rama në Berlin dhe çfarëdolloj debati apo hatërmbetje të ndonjë deputeti gjerman, janë në funskion të forcës së tyre gravitacionale për të mos e lënë Shqipërinë të tërhiqet sa në një bosht në tjetrin. Analizat tona bëjmë mirë t’i përqëndrojmë në këto pista duke dalë nga narrativa individuale me flokë dhe mustaqe të individëve, por të lexojmë se çfarë do të ndodhë së afërmi kur forca gravitacionale e tre boshteve është shtuar së tepërmi dhe Shqipëria nëse nuk shton peshën e vet specifike të rëndesës, rrezikon të hidhet tej si leckë e shqyer. /tesheshi

OPINIONE