Bota

Përvjetori i krimit, nderime ndaj gazetarit të vrarë Khashoggi

Shumë organizata joqeveritare ndërkombëtare, aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut bënë thirrje për shprehje të nderimit ndaj gazetarit saudit Jamal Khashoggi, i cili vitin e kaluar u vra në konsullatën saudite në Stamboll, transmeton Anadolu Agency (AA).

Human Rights Watch (HRW), Amnesty International (AI), Shoqata për mbrojtjen e gazetarëve (CPJ), Gazetarët pa kufij, Shark Forum, Pa drejtësi nuk ka paqe dhe Shoqata e mediave turke dhe arabe (TAM) në një njoftim të përbashkët paralajmëruan se në godinën e konsullatës saudite në Stamboll do të mbahet një minutë heshtje dhe dhënie respekti për gazetarin e vrarë Khashoggi.

Në njoftim theksohet se një minutë heshtje do të mbahet në hyrje të ndërtesës edhe atë në ora 13 e 14 minuta kur edhe hyri në ndërtesë gazetari Khashoggi më 2 tetor të vitit të kaluar, në të cilën u vra.

Programi i paralajmëruar do të zgjas një orë, ndërsa është planifikuar edhe një projeksion i disa incizimeve dokumentare dhe adresime të disa pjesëmarrësve.

Në tubimin do të marrë pjesë edhe e fejuara e Khashoggit, Hatice Cengiz, raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara, Agnes Callamard, nënkryetari i Partisë në pushtet Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) dhe mik i Khashoggit, Yasin Aktay, aktivistët Iyad al-Baghdadi dhe Muhammed Sultan dhe shumë të tjerë.

Jamal Khashoggi, gazetar dhe kolumnist në “The Washington Post”, është vrarë më 2 tetor të vitit 2018 në konsullatën saudite në Stamboll.

Arabia Saudite fillimisht mohoi çdo njohuri mbi vendndodhjen e tij pasi ai u zhduk, por më vonë u përpoq të fajësonte për vdekjen e tij një ekip të operativëve mashtrues.

Detajet për vrasjen e gazetarit saudit Khashoggi ende nuk janë zbardhur. Prokuroria turke zbuloi se ai në mënyrë brutale është mbytur pas hyrjes në konsullatë dhe më pas trupi i është copëtuar dhe shkatërruar.

Ende nuk janë gjetur mbetjet mortore të Khashoggit./ AA

OPINIONE