Pesë rrenat e kapitalizmit rentier

Guy Standing

Jetojmë në epokën e kapitalizmit rentier. Kjo është pika e krizës e Transformimit Global, gjatë së cilës pretendimet që janë bërë më parë për kapitalizmin, tashmë janë rrënuar tërësisht prej sistemit që po zhvillohet, i cili është rrënjësisht ndryshe prej asaj që thonë mbrojtësit e tij. Ata pohojnë se besojnë në “tregjet e lira”. Kjo është e pavërtetë. Sot kemi sistemin më pak të lirë të tregjeve.

Si mund të thonë politikanët se kemi një sistem tregjesh të lira kur patentat garantojnë të ardhura monopolistike për 20 vite, duke ndaluar çdo konkurrencë? Si mund të pretendojnë se ka tregje të lira kur të drejtat e autorit të garantojnë të ardhura edhe për 70 vite pas vdekjes së personit? Larg prej çdo përpjekjeje për t’i ndalur këto e mohimet e tjera të lirisë së tregjeve, qeveritë po krijojnë rregulla që i nxisin ato.

Sistemi i shpërndarjes së të ardhurave i shekullit XX, është prishur. Që prej viteve ’80 pjesa e të ardhurave që shkon tek punëtorët ka ardhur duke u rrudhur në shumicën e vendeve me ekonomi domethënëse. Rrogat reale mesatarisht kanë stagnuar ose kanë rënë. Sot një pakicë shumë e vogël njerëzish e korporatash po akumulojnë pasuri të mëdha jo për shkak të “punës së rëndë” që bëjnë apo për shkak të aktivitetit krijues, por prej të ardhurave rentale.

“Rentierët” i marrin të ardhurat prej pronësisë së aseteve që janë të pamjaftueshme, ose që artificialisht bëhen të pamjaftueshme. Më e zakonshmja është e ardhura rentale prej tokës, pronës, minierave apo investimeve financiare, por kanë pasur rritje edhe të ardhurat rentale prej burimeve të tjera. Këto përfshijnë huadhënësit që përfitojnë prej interesit të huasë; të ardhurat prej zotërimit të një “pronësie intelektuale”; fitimet kapitale mbi investimin; fitimet “mbi normalen” të kompanive (kur një firmë ka një pozicion dominant në një treg); të ardhurat prej subvencioneve; dhe të ardhurat e ndërmjetësve financiarë që vijnë prej transaksioneve të palëve të treta.

Një gabim keynesian?

Keynesi siç dihet e përbuzte rentierin si “investitor pa funksion”, i cili fitonte thjesht prej faktit që zotëronte kapital, duke ia shfrytëzuar “vleftën e pamjaftueshmërisë”. Në veprën e tij epokale “The General Theory of Employment, Interest and Money” ai nxirrte përfundimin se përhapja e kapitalizmit do të sillte “eutanazinë e rentierit, e si rrjedhojë edhe eutanazinë e fuqisë së grumbulluar e shtypëse të kapitalistit për të shfrytëzuar vlerën e pamjaftueshmërisë së kapitalit”. Tetëdhjetë vjet më vonë rentierët jo vetëm që nuk janë zhdukur, por janë bërë përfituesit kryesorë të sistemit të shpërndarjes së të ardhurave të kapitalizmit modern.

Gjatë kohës që neoliberalizmi po formësohej, në vitet ’80, koncepti i “konkurrueshmërisë” u bë obsesion. Një vend mund të zhvillohej shpejt vetëm nëse ishte më konkurrues se të tjerët, e kjo donte të thoshte që të kishte kosto prodhimi më të ulëta dhe përfitueshmëri më të lartë se “konkurrentët”, si dhe taksa më të ulëta për investitorët potencialë.

Deri atëherë ekonomia klasike ishte fokusuar tek tregtia, e udhëhequr prej “përparësisë krahasimore”; vendet duhet të specializoheshin tek ato të mira e tek ato shërbime për prodhimin e të cilave ishin më efikase, krahasuar me vendet e tjera. Por befasisht mesazhi i ekonomisë ndryshoi, dhe u shndërrua në mesazhin se të gjitha vendet duhet të ishin sa më të mira në të njëjtat gjëra.

Loja ndërroi, tash vendet duhet të gjenin mënyra për të tërhequr e për të mbajtur investime të huaja, të nxisnin eksportet e të kufizonin importet. Kjo çoi tek justifikimi i uljes së taksave direkte, sidomos të atyre mbi kapitalin, si dhe çoi tek subvencionimi i investuesve. Por korporatat dhe financierët e përdorën pushtetin e tyre që t’i shtynin qeveritë dhe financën ndërkombëtare që të ndërtonin një kornizë globale institucionesh dhe rregullimesh të cilat ia mundësonin elitave maksimizimin e të ardhurave rentale. Pretendimi se kapitalizmi global bazohet në tregjet e lira është rrena e parë e kapitalizmit rentier.

Të drejtat e pronësisë intelektuale dhe subvencionimet

Që nga viti 1995, kur u miratua marrëveshja TRIPS (Trade-Related Aspects of Intellectual Property – Aspekte të Pronësisë Intelektuale të Lidhura me Tregun), e cila i detyron gjithë anëtarët e OBT-së, pronësia intelektuale është bërë burimi kryesor i të ardhurave rentale: kjo rritje erdhi si pasojë e pushtetit që krijojnë në treg markat tregtare, të drejtat mbi krijimin, të drejtat mbi projektimin, treguesit gjeografikë, sekretet tregtare dhe patentat. Industritë e dijes intensive, të cilat sot përbëjnë 30% të prodhimit global, fitojnë po aq prej pronësisë intelektuale sa edhe prej prodhimit të të mirave apo të shërbimeve. Kjo pasqyron një zgjedhje politike për t’ia dhënë monopolet mbi dijen interesave private, duke i lejuar ato që ta kontrollojnë qasjen mbi dijen, dhe ta rrisin çmimin e asaj qasjeje tek dija, apo të produkteve e të shërbimeve që e mishërojnë atë.

Pretendimi se të drejtat e pronësisë intelektuale nxisin ata që marrin përsipër rrezikun është rrena e dytë e kapitalizmit rentier. Shumë prej shpikjeve të patentuara janë të bazuara në studime të mbështetura prej subvencioneve publike. është publiku ai që paguan, përmes taksave që financojnë studimet dhe kërkimet shkencore, pra nga njëra anë çmime të larta për prodhime të patentuara e nga ana tjetër humb pronësia e publike intelektuale. Dhe shumica e novacioneve që sjellin të ardhura të mëdha përmes patentimit etj. janë rezultat i një sëre idesh dhe eksperimentesh që i atribuohen shumë individëve apo grupeve të ndryshëm. Psh. kontributi i Bill Gates në avancimin teknologjik ka qenë veç një guriçkë në një mal të tërë. Nuk ka asnjë arsye morale që ai dhe ata si ai të marrin si shpërblim gjithë malin.

Shumë patenta nuk regjistrohen që të përdoren, por vetëm që të bllokojnë të tjerët që mund të përdorin ato ide. Dhe, ç’është më e keqja, korporatat plutokratike kanë “ndërthurur” me mijëra patenta me njëra-tjetrën, duke e kthyer kështu në ortek të vërtetë të ardhurën monopolistike që rrjedh prej aplikimit të njërës apo disave prej tyre.

Rrena e tretë e kapitalizmit rentier është se struktura institucionale e kapitalizmit e cila është ndërtuar në periudhën e globalizimit është “e mirë për rritjen”. Përkundrazi: ajo e ka penguar rritjen dhe atë rritje që mund të ketë ndodhur e ka bërë më pak të qëndrueshme, me kosto që ekologjike gjithnjë e më të lartë të cilat janë pjesërisht rrjedhojë e mekanizmave rentiere, sidomos marrëveshjet tregtare e të investimit, të cilat janë më shumë se 3000. Nuk ka asnjë evidencë se këto marrëveshje e promovojnë investimin. Shumica e studimeve kanë zbuluar se korrelacionet mes atyre traktateve dhe rritjes së investimeve janë tepër të dobëta ose jo-ekzistuese. Por korrelacionet mes atyre traktateve dhe paqëndrueshmërisë financiare, nga ana tjetër janë ato që ekzistojnë.

Një rrenë e katërt e kapitalizmit rentier është pretendimi se fitimi është pasojë e efikasitetit menaxherial dhe i të ardhurave që vijnë prej sipërmarrjes së rrezikut. Në realitet fitimi gjithnjë e më i madh shkon tek ata që marrin të ardhura prej rentave, pjesa më e madhe e të cilave është e lidhur me asetet financiare, të drejta të pronësisë intelektuale, si dhe me gjithë strukturën e subvencioneve që i jepen kapitalit.

Për t’i vënë kapak gjithë kësaj, procesi jodemokratik ISDS (Investor-State Dispute Settlement – Arbitrazhi mbi Dallimet mes Investuesit dhe Shtetit) i jep kompanive shumëkombëshe një sigurim përkundër ndryshimeve që mund të ndodhin në politikat qeveritare të cilat potencialisht mund t’i cënojnë fitimin atyre kompanive. Imagjinoni sikur edhe ne si individë ta kishim të drejtën të hidhnim në gjyq qeverinë nëse do të mendonim se ndryshimet e politikave që ajo bën, prekin të ardhurat tona.

Platforma me përfitim

Një tjetër burim i të ardhurave rentale është risia e kapitalizmit të platformave, siç janë përshembull Uber apo TaskRabbit. Kjo risi po e transformon tregun e punës drejtpërsëdrejti, duke punësuar miliona “taskers”, por edhe tërthorazi përmes impaktit tek ofruesit tradicionalë të atyre shërbimeve.

Platformat maksimizojnë fitimin që rrjedh prej pronësimit të aparatit teknologjik, i cili është i mbrojtur nga patenta dhe nga forma të tjera të të drejtave pronësore intelektuale, por edhe përmes shfrytëzimit më të madh të punës, duke marrë deri në 20% më shumë fitim se sa nga ofruesit tradicionalë të shërbimeve. Zotëruesit e platformave janë rentierë, fitojnë shumë duke bërë pak, nëse e pranojmë vetë pretendimin e tyre se ata thjesht ofrojnë teknologjinë për të vënë në lidhje klientët me “kontraktorët e pavarur” të shërbimeve.

çështja është se të ardhurat prej punës janë gjithnjë e më të vogla, për shtresën me mbijetesë ekonomike të pasigurt (prekariatin), ndërsa të ardhurat që vijnë prej rentave janë duke u rritur. E kështu pra vijmë tek rrena e pestë e kapitalizmit rentier: pretendimi se puna është rruga më e mirë për të dalë prej varfërisë. Por ushtria e “taskers-ave” dhe përgjithësisht prekariati janë dëshmitarë se kjo është veç rrenë.

Si përfundim, sfida është si të mbërrihet ajo që Keynesi e quante eutanazi e rentierit. Do të jetë betejë, por është e mbërritshme. Nevojitet një sistem i ri për shpërndarjen e të ardhurave, një element i të cilit do të duhej të ishte një e ardhur fillestare për të gjithë, e cila do të paguhej prej një takse të vënë mbi të gjitha format e të ardhurave rentale. Nëse s’e bëjmë këtë gjë, do të na kanosen kohë të errëta. Politika do të bëhet gjithnjë e më e shëmtuar, deri në momentin kur do të fillojë të zvogëlohet përmasa e rentës, dhe deri në momentin kur të kuptohet e të adresohet nevoja për një siguri fillestare ekonomike për të gjithë.

Ky artikull bazohet në librin e autorit “The Corruption of Capitalism: Why Rentiers thrive and Work does not pay”

Përktheu: Arbër Zaimi – rreth.org

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne