Pesë vjet pas tërmetit, qindra shqiptarë ende presin shtëpitë e reja

Shteti u premtoi të gjithëve që mbetën të pastrehë nga një tërmet i vitit 2019 një shtëpi të re në vitin 2020. Disa prej tyre vazhdojnë të jetojnë ende në mjerim.

Pesë vjet pasi shtëpia e tij u dëmtua nga një tërmet shkatërrues, 78-vjeçari Vate Bregaj jeton i vetëm në një kthinë të rikonstruktuar, nën një llambë të vetme të zhveshur dhe një çati prej llamarine. Telat e energjisë elektrike rrotullohen rreth një oxhaku të improvizuar.

Pesëdhjetë e një persona humbën jetën dhe mijëra mbetën të pastrehë nga tërmeti 6.4 ballë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor 2019. Tre ditë më vonë, kryeministri  bëri një premtim: Kushdo që humbi shtëpinë do të kishte një shtëpi të re në 2020.

“Të gjithë duhet të jenë në një gjendje më të mirë se para tërmetit”, tha Rama. Muaj më vonë, një konferencë ndërkombëtare donatorësh mblodhi më shumë se një miliard euro në para, donacione, grante dhe kredi për të ndihmuar Shqipërinë të rimëkëmbej. Shuma ishte “përtej asaj që kishim imagjinuar ndonjëherë”, tha Rama.

Bregaj, megjithatë, është ende duke pritur pjesën e tij. Ajo që mbeti nga shtëpia e tij e vjetër, në fshatin Torovicë në qarkun verior të Lezhës, u shemb nga bashkia për t’i hapur rrugë një të reje. Sipas ligjit, shtëpinë ose duhet ta ndërtojë bashkia, ose vetë Bregaj duhet të kërkojë leje për ta ndërtuar. Bregaj ka aplikuar, por thotë se ende nuk ka marrë një përgjigje.

Ai merr 200 euro në muaj nga shteti si bonus qiraje, por ato para ai i shpenzon për një apartament në qytetin e Lezhës për djalin e tij dhe familjen e djalit të tij, të cilët jetonin bashkë me të në Torovicë para tërmetit. Qindra familje në rajonin e Lezhës dhe Laçit në veri të Shqipërisë janë në një situatë të ngjashme.

Personi fillimisht i ngarkuar për rindërtimin është në arrati sepse akuzohet për korrupsion, miliona euro janë humbur për shkak të mashtrimeve dhe deri në vitin 2023 vetëm 32 për qind e fondeve të rimëkëmbjes ishin shpenzuar.

“Pyeta komunën; u kërkova që ta ndërtojnë ata”, tha Bregaj. “Por më thonë se materialet e ndërtimit janë të shtrenjta. Dhe më pas asgjë nuk ndodh.” “Kështu që plotësova letrat për të marrë paratë dhe për ta ndërtuar vetë, por ata nuk m’i dhanë ato që thanë se do të më jepnin. Nuk ka para. Jetoj vetëm, shoh fushën dhe qaj.”

Vate Bregaj, banesa e të cilit u dëmtua rëndë nga tërmeti. Foto: BIRN.

Abuzim me fondet e rimëkëmbjes

Pas tërmetit, qeveria e Edi Ramës njoftoi një program rindërtimi që do të drejtohej nga një ministri e posaçme nën drejtimin e Arben Ahmetajt. Ahmetaj u shkarkua në vitin 2022 dhe ka qenë në arrati që nga mesi i vitit 2023, kur prokurorët specialë e akuzuan atë për korrupsion, pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh në një çështje që nuk ka lidhje me rindërtimin. Ministria e infrastrukturës dhe energjisë mori përsipër përgjegjësinë për programin e rindërtimit.

Deri në tetor 2023, sipas të dhënave buxhetore, vetëm një e treta e fondeve të destinuara për rimëkëmbjen ishin shpenzuar. Ministria e infrastrukturës dhe energjisë ia referoi kërkesën e BIRN për një koment mbi mënyrën se si u shpenzuan paratë e rimëkëmbjes Ministrisë së Financave, e cila nuk iu përgjigj deri në momentin e publikimit.

Në Durrës, pesë zyrtarë bashkiakë u akuzuan në shtator të këtij viti për shpërdorim detyre, falsifikim dhe mashtrim në shpenzimin e fondeve të rindërtimit në 78 raste të veçanta me vlerë rreth 353 milionë lekë ose 3.6 milionë euro.

Zyra e prokurorit vendas nuk iu përgjigj një kërkese për më shumë informacion.

Kërkesës për koment nuk iu përgjigj as bashkia e Lezhës, ku banon Bregaj. As Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Alfrida Marku, një këshilltare lokale e Partisë Demokratike të opozitës në Lezhë, tha për BIRN: “Edhe pse kanë kaluar pesë vjet nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pavarësisht nga fondet që janë vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit, ende nuk ka një zgjidhje për rikonstruksionin e një pallati në qendër të qytetit dhe 41 apartamenteve individuale brenda njësisë administrative.”

Marku u ankua se një nga pallatet që u rindërtua në qendër të qytetit filloi të kishte probleme me ujërat e zeza.

Kristina Marku, 66 vjeçe, jeton në një zonë tjetër të shkatërruar nga tërmeti – ne Laç, në bashkinë e Kurbinit.

Pasi shtëpia e saj u dëmtua rëndë, Marku u kualifikua për bonusin e qirasë nga bashkia dhe ka marrë me qira një apartament në qytetin e Lezhës për dy vjet. Më pas, asaj iu ndërpre bonusi i qirasë dhe asaj iu desh të kthehej në Laç.

“Gjashtë muaj pas tërmetit, jetova në një tendë. Më pas u transferova në një apartament me qira në Lezhë, sepse nuk gjeta shtëpi në Laç. Tani nuk kam as bonus qiraje, as shtëpi”, tha Marku për BIRN. “Kam shpresë veçse te Zoti.” Bashkia nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress