Peskov: Disa informata për zjarrin në nëndetësen ruse janë sekret shtetëror

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitriy Peskov në lidhje me zjarrin që ra në nëndetësen për studime nënujore, me çrast humbën jetën 14 marinarë rusë, deklaroi se disa të dhëna janë sekret shtetëror dhe se nuk do të publikohen.

Në prononcimin e tij në interes të gazetarëve, Peskov tha se Presidenti Vladimir Putin posedon të gjitha informatat në lidhje me zjarrin që mori jetët e 14 marinarëve rusë.

Duke bërë të ditur se është “shumë e natyrshme” që të mos publikohen disa të dhëna në lidhje me zjarrin, zëdhënësi Peskov tha: “Disa të dhëna në lidhje me zjarrin janë sekret shtetëror dhe nuk do të publikohen. Ruajtja e disa informatave në dobi të shtetit dhe sigurisë kombëtare nuk do të thotë se ka gjëra të paligjshme”.

Peskov mohoi pretendimet se nëndetësja kishte reaktor bërthamor, ndërsa tha se “Kjo është çështje e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë”.

Në komunikatën me shkrim të lëshuar të martën nga Ministria e Mbrojtjes së Rusisë thuhet se më 1 korrik në nëndetësen ruse, e cila bënte studime nënujore të oqeanit për Forcat Detare të Rusisë, ka rënë një zjarr.

Zjarri ra gjatë kryerjes së matjeve biometrike me çrast humbën jetën 14 marinarë.

Ndërkaq në lajmet e publikuar në disa media ruse thuhej se zjarri ka shpërthyer në nëndetësen e inteligjencës që mban emrin “Losharik” dhe e cila punon me energji bërthamore./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne