Pheniani: Manovra mes SHBA dhe Koresë së Jugut çon në konflikt bërthamor

Koreja e Veriut e ka cilësuar stërvitjen e përbashkët ushtarake të trupave amerikane dhe koreano-jugore si një sjellje të pamatur, që po çon drejt luftës bërthamore.

Por sipas Uashingtonit, ky kërcënim nuk do të pengojë zhvillimin e stërvitjes siç është planifikuar. Pheniani ka paralajmëruar se stërvitja e përbashkët ushtarake mes trupave amerikane dhe koreano-jugore është “një sjelle e pamatur që po e çon situatën në fazën e pashmangshme të luftës bërthamore”. Koreja Veriore deklaroi se ushtria e vendit mund të godasë Shtetet e Bashkuara në çdo kohë, dhe as Guami, Hauai apo vetë SHBA-të nuk do të mund të shmangin “sulmin e pamëshirshëm”. Mesazhi në ‘Rodong Sinmun’, gazeta zyrtare e qeverisë, vjen një ditë përpara se Shtetet e Bashkuara të fillojnë stërvitjen e përbashkët ushtarake me Korenë e Jugut. Tensionet mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut janë rritur ndjeshëm në javët e fundit. Pheniani deklaroi një javë më parë se kishte finalizuar planin për hedhjen e katër raketave në territorin amerikan të Guamit. Media shtetërore raportoi se lideri Kim Jong-un do të vlerësonte lëvizjen e ardhshme të Shteteve të Bashkuara përpara se të jepte urdhrin për veprim. Sipas zyrtarëve të administratës Trump dhe ushtrisë amerikane, stërvitja 10-ditore e përbashkët do të zhvillohet siç është planifikuar. Ky bashkëpunim mes Uashingtonit dhe Seulit antagonizon Penianin, që e sheh këtë si një praktikë për pushtim./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne