Pikëpyetjet e skrapit nga Libia në Portin e Durrësit

GJERGJ THANASI

Në prill të vitit 2017 z. Berisha ngriti alarmin për mundësinë e ndotjes së mjedisit në Shqipëri nga skrapi (hekurishtet) të ardhura në Durrës nga Libia me anije. Bëhej fjalë për anijet  Sally M (flamur panamez), Walid M (flamur Tanzanian) dhe anija Abalone (flamur të Sierra Leones). Pavarësisht nga propaganda e “geishave” të Rilindjes në doganat shqiptare z. Berisha në thelb kishte të drejtë, sepse Certifikata e Radioaktivitetit me nr. 000462 e lëshuar nga autoritet shqiptare gjoja pas matjeve të kryera në anije faktikisht ishte lëshuar në një datë, kur anija ishte ende në lundrim disa qindra milje detare larg Durrësit.

Për një vit në Durrës mbërritën anije me skrap nga Turqia, Gjermania dhe Izraeli, por jo nga Libia. Në prill 2018 rifillon ardhja e anijeve me skrap nga Libia. Në Durrës në mesin e prillit u shkarkua anija Queen Zen me flamur të Ishujve Palau me 5 300 ton skrap. Anija e kishte ngarkuar skrapin në Portin e Bengazit në Libi.

Me fillimin e majit në Portin e Durrësit pati një vërshim anijesh të ngarkuara me skrap libian. Përkatësisht në Terminalin Lindor të portit është bregëzuar e po shkarkon anija Millac me flamur të Ishujve Komorre. Kjo anije “veterane” 46 vjecare po shkarkon rreth 3300 ton skrap të ngarkuar në portin libian të Tarabullusit. Në radën e Durrësit ka hedhur spirancën edhe anija Farah Princess me flamur të Togos me një ngarkesë prej rreth 4500 tonësh skrap. Anija e ka ngarkuar skrapin në Portin e Mars El Brega-s në Libi. Në radën e Portit të Durrësit po ashtu po qëndron edhe anija Osman Prince me flamur po të Ishujve Komorre. Anija ka një ngarkesë prej rreth 6450 tonësh skrapi libian. Anija është e tipit porta container (e përshtatshme për transport kontejnerësh) me kapacitet kontejnerësh prej 1006 TEU. Transportimi i skrapit me kontejner dhe jo rifuxho (bulk, alla rinfusa) është dicka pak e zakontë në praktikën e transportit detar.

Bije në sy që të tre anijet me rreth 14000 ton skrap libian janë nisur nga 3 porte të ndryshme libiane, që janë nën kontrollin e tre qeverive të ndryshme libiane(Sic!). Ka pak të ngjarë që një vend në thuajse anarki totale si Libia ka arritur që të kontrollojë me skrupulozitet këto tre ngarkesa skrapi, që mos të kenë materiale ndotëse për mjedisin në Shqipëri. Të tillamateriale janë mbetje të municioneve amerikane me përbërje edhe të uraniumit të varfëruar (depleted uranium), apo skrape të grumbulluara nga hapësira, ku shtrihet “Tajura Nuclear Research Center” ekujvalenti libian i Institutit të Fizikës Bërthamore të Zbatuar  shqiptar, apo edhe hekurishte nga magazinat e vendosura në shkretëtirë afër qytezës së Sabha-s.

Përdorimi i një anijeje kontejner mbajtëse për të transportuar skrap, si edhe pasja e të 4 anijeve (përfshirë atë të mesit të prillit 2018) të të ashtuquajturve “flag of convenience” Togo, Palau, Sierra Leone etj. është tipike për të tërhequr vëmendjen e specialistëve të profilit të rriskut. Anijet janë vjetërsira, gjë, që po ashtu duhet të tërheqë vëmendjen e specialistëve, që përcaktojnë profilin e rrezikut. Anija kontejner mbajtëse Osman Prince është nisur nga Bengazi i Libisë për në Durrës më datën 10 prill 2018 dhe ka mbërritur më 28 prill 2018. Për anije me shpejtësi normale prej 12-15 nyjesh distanca Bengazi-Durrës përshkohet për 4-5 ditë, ndërsa anija jonë  e përshkoi distancën për 18 ditë, ndonëse kushtet e motit janë optimale për lundrim, ndonëse shpejtësia e saj ekonomike (normale) është prej 18 nyjesh!! Ku vallë të jetë vërdallosur kjo anije para se të mbërrinte në Durrës?!?!?!?!

Ka dicka që nuk shkon me rifillimin e importimit të skrapit libian në Shqipëri. Le të shpresojmë që organet kompetente të Rilindjes do të përqëndrojnë vëmendjen dhe angazhimin e duhur për të tilla anije me skrap libian, në të kundërt minimum rrezikojmë ndotjen e mjedisit dhe maksimumi…../ Gazeta Impakt

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne