Pitajka, simboli më i dashur i Ramazanit në Prizren

Në qytetin historik të Kosovës, në Prizren muaji i shenjtë i Ramazanit vazhdon të ruajë traditën e tij ndërsa atmosfera që sjell ky muaj është më ndryshe se në qytetet e tjera të Kosovës.

Që nga orët e mëngjesit qyteti është tejet i qetë, restorantet e kafenetë janë të zbrazëta. Qetësia vazhdon deri në iftar, ku pothuajse koha e vetme kur lëvizja e qytetarëve është e madhe është koha e “pitajkave” (ndonjëherë edhe pitalkave) apo “pitajkave me vezë”. Ky ushqim tradicional për Prizrenin, i cili zakonisht përgatitet vetëm gjatë këtij muaji është shndërruar në simbol të Ramazanit.

Para ardhjes së kohës së iftarit qytetarët përgatisin “harxhin” që do të çojnë në furrë për ta përgatitur ushqimin e tyre të domosdoshëm në tryezën e iftarit, pitajkën me vezë.

Pitajka përgatitet nga brumi i përgatitur në furra, pra mund të jetë e thatë, ose me farë të zezë sipër, ndërkaq qytetarët sipas dëshirës së tyre i dërgojnë nëpër furra pjesën që do të shtrohet sipër pitajkës, e cila zakonisht përbëhet nga gjiza dhe vezët, yndyra, e ndonjëherë sipas dëshirës edhe ndonjë lloj mishi, barishte, djathë etj.

Qytetarët zakonisht disa orë para iftarit, për shkak të kërkesës së madhe, e çojnë në furrë harxhin e përgatitur, ku shihet që në afërsi të furrave qytetarët formojnë radhë të gjata duke pritur pitajkën e Ramazanit me tepsia në duar.

Edhe pse shumica e qytetarëve agjërojnë me orë të tëra, dashuria për pitajkat nuk i kthen ata nga rruga e pritjes ndonjëherë edhe disa orëshe që t’iu vije radha e pitajkës së tyre.

Me çmimin e volitshëm prej 30 centësh pitajka i përshtatet çdo kategorie të shoqërisë. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne