Bota

Pjesëmarrja e Emirateve dhe Bahreinit në eventin sportiv izraelit është një ‘turp’: Komiteti Olimpik Palestinez

Komiteti Olimpik Palestinez (POC) tha se pjesëmarrja e Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në garën çiklistike Giro d’Italia që nisi në Izrael është një “turp” i madh.

POC i bëri thirrje të dielën komiteteve kombëtare të dy vendeve arabe të Gjirit Persik për ti tërhequr ekipet e tyre të çiklizmit nga ngjarja që ai e përshkroi si “një turp për këdo që merr pjesë në të ose e përkrah atë”.

Gara me famë botërore, e cila nisi të premten nga Jeruzalemi, po mbahet për herë të parë jashtë Evropës që kur eventi filloi.

Pas nisjes nga Jeruzalemi, gara 21-ditore vazhdoi gjatë fundjavës nga Haifa për në Tel Aviv dhe nga Be’er Sheva për në Eilat në jug. Rreth 176 çiklistë nga 22 skuadra po marrin pjesë në ngjarjen e cila do të vazhdojë në Itali ku do të përfundojë në kryeqytetin e Romës.

Vendimi për nisjen e ngjarjes në Izrael ka ndezur një zemërim tek zyrtarët dhe aktivistët palestinezë që i akuzuan organizatorët për “mbulimin e krimeve të vazhdueshme të Izraelit”.

Gjithashtu në deklaratën e tij të së dielës, POC kritikoi ashpër çiklistët arabë për “pabesinë” e treguar në marrjen pjesë në event dhe për një ofrim “shërbimi falas ndaj okupimit izraelit që nuk njeh asnjë lloj ligji ndërkombëtar, rezolutë dhe kartë të Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e popullit palestinez. Të drejta të cilat i janë mohuar vazhdimisht prej Izraelit edhe për krijimin e shtetit të tyre të pavarur në tokën e tyre dhe me Kudsin (Jeruzalemin) si kryeqytetin e tij”.

Aktivistët krijuan një faqe interneti ku përshkruhej itinerari i Giro d’Italia që kalonte nëpër rrënojat e vjetra të Palestinës historike, ku më shumë se 500 fshatra dhe qytete palestineze u spastruan etnikisht gjatë Nakbas (katastrofës), që kur regjimi izraelit u krijua në vitin 1948.

“Raportohet se Izraeli ka ofruar 10 milionë euro për të pritur eventin Giro d’Italia si pjesë e përpjekjeve të tij propaganduese, duke imituar kështu regjimin e aparteidit në Afrikën e Jugut, në përdorimin e sporteve për të fshehur okupimin e gjatë ushtarak dhe spastrimin që i bën popullit palestinez”, thuhet në një deklaratë të faqes së BDS-së (Boikotim, Shpronësim, Sanksionim).

Gara u zhvillua vetëm disa kilometra larg Rripit të rrethuar të Gazës, ku forcat izraelite kanë vrarë 45 palestinezë dhe kanë plagosur rreth 7,000 të tjerë gjatë protestave të “Marshit të Madh të Kthimit”, i cili filloi më 30 mars.

Më herët këtë javë, Amnesty International Angli e dënoi gjithashtu nisjen e garës pranë Jeruzalemit Lindor ku palestinezët rregullisht përballen me shkatërrimin e shtëpive, ndërtimin e paligjshëm të vendbanimeve dhe kufizimet e lëvizjes.

“Autoritetet në Jeruzalem mund të kenë menduar se shfaqja sportive Giro d’Italia mund të ketë efekt të mirë në heqjen e disa prej njollave Izraelit në të drejtat e njeriut. Përkundrazi, ka gjasa që ti kthejë ato sërish në fokus,” tha Kate Allen, drejtor i Amnesty International Angli.

“Nisja e evenitit nga Jerusalemi do të thotë në mënyrë të pashmangshme se të dhënat për të drejtat e mjerueshme të njeriut do të jenë në qendër të vëmendjes.”

I gjithë Jerusalemi aktualisht është nën kontrollin e Izraelit, ndërsa regjimi po pretendon gjithashtu edhe pjesën lindore të qytetit, e cila ruan vendin e tretë më të shenjtë të Islamit.

Sipas ligjit ndërkombëtar, qyteti është përcaktuar si “i pushtuar” që nga lufta e vitit 1967. Shtetet arabe, veçanërisht ato të Gjirit Persik, tradicionalisht e kanë përshkruar veten si armiq të Izraelit dhe mbështetës të çështjes palestineze kundër pushtimit të Tel Avivit të territoreve palestineze./press/gazeta Impakt

OPINIONE

INTERVISTA