Pjesëmarrja e ulët/ Qytetet me rekordin negativ, KQZ nxjerr të dhënat pas mbarimit të afatit ligjor. Sa vota shtuan orën e fundit

Tri orë pasi ishte mbyllur zyrtarisht votimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve doli në një deklaratë për mediat për të pasqyruar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 30 qershorit.

Me një vonesë më shumë sesa herët e tjera, KQZ-ja bëri të ditur edhe numrin e votuesve për çdo bashki mbi bazën e të dhënave që kishin dërguar Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor. Për zgjedhjet vendore të 30 qershorit garonin 3.536.015 votues, por numri i atyre që iu drejtuan kutive të votimit ishte 771.863 votues, ose 21.6% e totalit të tyre.

KQZ përgjatë gjithë ditës së djeshme doli në disa deklarata për pjesëmarrjen në bazë të orareve, por kur erdhi çështja për rezultatin përfundimtar, ajo u vonua me tri orë. Fillimisht KQZ raportoi në orën 11:00, duke theksuar se pjesëmarrja ishte rreth 12% ose 218.981 votues. Ndërsa në orën 13:00, po sipas KQZ-së, kishin marrë pjesë 411.945 votues.

Për orën 15:00 546.388 votues dhe për orën 18:00 671.255 votues. Ajo që bëri më shumë habi ishte rezultati përfundimtar, ai i orës 19:00, ku pati një rritje me rreth 100 mijë vota në krahasim me të dhënat e orës 18:00, ndonëse nga vëzhgimi në terren u pa që numri i pjesëmarrësve në votime kishte ardhur në rënie që në orët e para të mesditës.

BOJKOTI

Shkodra e Lezha mund të quhen dy bashkitë e djathta që refuzuan në masë pjesëmarrjen në zgjedhjet e 30 qershorit. Bojkoti që i bëri Partia Demokratike këtij procesi zgjedhor duket se dha rezultat edhe te votimet në këto dy bashki. Konkretisht, për Bashkinë e Shkodrës morën pjesë në votime 15.913 persona, ose e konvertuar në përqindje ishte 9.67%. Por rekordin për pjesëmarrjen më të ulët e kishte Bashkia e Lezhës.

Ndonëse një njësi vendore, e cila kishte zyrtarisht dy kandidatë në garë, Pjerin Ndreun e PS-së dhe Eduard Ndocajn, sërish lezhjanët nuk iu drejtuan kutive të votimit. Konkretisht, për këtë bashki morën pjesë në votim 15.436 persona me të drejtë vote, ose e konvertuar në përqindje 8.93%, që është edhe numri më i vogël i pjesëmarrjes në të gjithë procesin zgjedhor të 30 qershorit. Një bastion tjetër i së djathtës, Bashkia e Kamzës, shënoi gjithashtu një pjesëmarrje të ulët në votime.

perqindja

Konkretisht, për Bashkinë e Kamzës morën pjesë në votime 10.913 persona me të drejtë vote, ose 10.95% të totalit, duke iu bashkuar numrit të bashkive me pjesëmarrjen më të ulët në këtë proces zgjedhor. Ndonëse nuk kishte rivalitet të fortë në këto zgjedhje, në disa bashki kryesore të vendit pati rritje të pjesëmarrjes.

Në Bashkinë e Tiranës, ku Erion Veliaj kërkon një mandat të dytë, morën pjesë 171.390 votues, ose 25.86% e totalit për këtë bashki. Në këto nivele ishin edhe bashkitë e tjera që janë qendër qarku si Elbasani, Fieri, Korça, Gjirokastra.

Konkretisht, për Bashkinë e Elbasanit morën pjesë 23.56% e votuesve ose 39.234; për Bashkinë e Fierit morën pjesë 25.39% e votuesve ose 41.200 votues. Me pjesëmarrje më të ulët ishte Bashkia e Korçës, në të cilën morën pjesë 20.02% e totalit të votuesve, ose 21.797 vota./panorama

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne