Gjatë një ceremonie në Toronto, me rastin e Ditës së Kirut të Madh, princi në ekzil Reza Pahlavi deklaroi se pas përfundimit të regjimit aktual, Irani duhet të “kthejë burimet e tij nga mbështetja e dhunës drejt përparimit të paqes” dhe të nënshkruajë një marrëveshje të re që ai e quajti “Marrëveshjet e Kirut”.
Sipas Pahlavit, Irani i së ardhmes duhet të “ngrejë Marrëveshjet e Abrahamit në nivelin e Marrëveshjeve të Kirut”, duke iu referuar marrëveshjeve të vitit 2020 midis Izraelit dhe disa shteteve arabe si Emiratet e Bashkuara, Bahreini, Maroku dhe Sudani.
Deklarata e tij u prit me zemërim nga shumë figura politike, analistë dhe qytetarë iranianë, të cilët e akuzojnë se po kërkon të rikthejë modelin monarkik të varur nga Perëndimi dhe të shesë sovranitetin e Iranit në interes të Izraelit dhe SHBA-së.
Në rrjetet sociale, shumë e kanë quajtur Pahlavin “agjent të Izraelit”, duke theksuar se idetë e tij për “paqe rajonale” janë në fakt tentativë për normalizim me shtetin sionist dhe për të shuar linjën e rezistencës që Republika Islamike ka mbrojtur që prej vitit 1979.
Sipas kritikëve, “Marrëveshjet e Kirut” do të ishin një kopje e Marrëveshjeve të Abrahamit, që synojnë afrimin me Izraelin dhe dobësimin e frontit islamik në Lindjen e Mesme. Ata paralajmërojnë se nën drejtimin e Pahlavit, Irani mund të përfundojë si Arabia Saudite apo Emiratet, shtete që kanë hyrë në marrëdhënie të hapura me Izraelin dhe janë kthyer në vasalë ekonomikë e politikë të tij.
Nga ana tjetër, mbështetësit e Pahlavit pretendojnë se ideja e tij synon “stabilitetin dhe paqen” në rajon, por kundërshtarët e quajnë këtë “propagandë të rrezikshme që fsheh synime koloniale dhe antimuslimane”./gazetaimpakt


















