Plani shtetëror B: Arrestimi i Ylli Ndroqit si terrorist

Nga: Kastriot Myftaraj

Sot si me komandë mediat më të zellshme në shërbim të operacionit shtetëror kundër Ylli Ndroqit, që nga Mero Baze te Elvi i Fundosur, nisën të flasin për lidhjet e tij me terroristin Abdul Selam Turgut. Pikënisjen e gjithë kjo e ka te njoftimi i Policisë së Shtetit, tetorin e kaluar se në Shqipëri ishte zbuluar një “rrjet terrorist të drejtuar nga regjimi iranian”. Sipas njoftimit zyrtar:

“Celula terroriste është gjithashtu përgjegjëse mes të tjerash edhe për planin e muajit mars 2018, për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedin El Khalq. (MEK)”

Unë jam ndër ata që do ta mirëprisnin përmbysjen e regjimit të sotëm teokratik obskurantist të Ajatollahëve në Iran. Por unë do të mirëprisja që ky regjim të zëvendësohej nga një regjim laik siç kërkojnë protestuesit në Iran. Eshtë emblematike ajo vajza që në shenjë proteste hoqi smbulesën e kokës, që në Iranin e sotëm femrat duhet ta mbajnë me detyrim, dhe e ngriti në një shkop, në shenjë proteste, gjatë një demonstrate kundër regjimit në fuqi. Unë mendoj se Iranit nuk i duhet Marjam Rajavi e mbuluar me shami me turmën e femrave të saj fanatike të mbuluara. Kjo është ana tjetër e medaljes së ajatollahëve. Kaq për ata që do të duan të hedhin dyshime se mbroj regjimin e sotëm iranian, tani për temën.

Njoftimi i Policisë së Shtetit krijon disa pikëpyetje dhe çudi. Pikësëpari përse këtë njoftim nuk e dha vetë organizata opozitare iraniane Mujahedin El Khalq (MEK), siç e quan edhe Policia e Shtetit, pa u shqetësuar se sipas marrëveshjeve ndërkombëtare për strehimin e refugjatëve, Shqipëria mund të strehojë individë, pavarësisht numrit, por jo organizata, të cilat duhet të ndërpresin veprimtarinë dhe të shkrihen si kusht që anëtarët e tyre të strehohen në një vend të tretë, në pajtim me ligjet ndërkombëtare.

Është çudi e madhe që një ngjarje e tillë bëhet e ditur 19 muaj pasi ka ndodhur. Si rregull ngjarje të tilla mbahen sekret kur pala tjetër (Irani në këtë rast) ende nuk ka mësuar për zbulimin e rrjetit të saj në vendin tjetër dhe është e nevojshme të ruhet sekreti për shkak se operacioni është në vazhdim e sipër. Por, në rastin tonë, pala tjetër, Irani, mësoi në moment për zbulimin e celulës, pasi në mars 2018 u dëbuan dy gazetarë iranianë të ftuar nga Kryegjyshata në Tiranë, të cilët u quajtën agjentë të shërbimeve të fshehta iraniane. Në një rast të tillë pala tjetër ndërpret operacionin dhe urdhëron tërheqjen e personave të përzier.

Kështu ndodh në botën e operacioneve të fshehta me aktorë seriozë, por nuk ndodh kështu në skenarët komikë të sajuara në zyrat e MEK në kampin e MEK në Manzë, me urdhër të Marjam Rajavit, të vetëshpallurës Presidente të Iranit. Zonjës Rajavi i duhen drama të tilla për t’ u kërkuar më shumë para donatorëve të huaj, në radhë të parë sauditëve. Dhe për këtë qëllim Zonja Rajavi keqpërdor institucionet e shtetit shqiptar, Policinë e Shtetit, Drejtorinë e Antiterrorit, SHISH, në fakt krejt qeverinë.

Në zyrat e Zonjës Rajavi në kampin e Manzës, për të krijuar fabula me terroristë iranianë, shartohen histori të vjetra e të reja. Kështu, në fantazinë e shkruesve rajavistë të skenarëve terroristë, merret trafikanti turk i drogës Abdulselam Turgut dhe përzihet në një skemë terroriste iraniane. Është e tepërt të argumentohet pavërtetësia e këtij detaji, ashtu si e gjithë fabulës, nisur thjesht nga fakti që ngjarja e supozuar bëhet e ditur 19 muaj pasi supozohet të ketë ndodhur.

Pikërisht me anë të Abdulselam Turgutit kërkohet të bëhet lidhja e Ylli Ndroqit me rrjetin terrorist iranian. Për këtë qëllim është sajuar pjesëmarrja e këtij turku në këtë rrjet terrorist fantazmagorik.
Ky është Plani B për arrestimin e Ndroqit, këtë herë si terrorist. Edi Rama ka frikë nga ato që di Ndroqi dhe drejtimi që mund të marrë kjo çështje, prandaj i thotë në mënyrë të koduar: Prano konfiskimin e pronave dhe shpëto sipas formulës MÇM (Mbaj ç’ të të mbetet) se ka edhe më keq, të arrestohesh si bashkëpunëtor i një organizate terroriste.
Ironia e madhe është se Policia e Shtetit nuk i ka referuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda më parë, as SPAK tani, lëndën për një grup apo organizatë terroriste iraniane në Shqipëri. Dy iranianë të ndaluar në mars 2018 u lejuan të ikin që atëherë, çka tregon joseriozitetin e pretendimeve të Policisë së Shtetit.

Edi Rama, Sandër Lleshaj, Ardi Veliu etj, bëjnë sikur nuk e kuptojnë se me strehimin e një organizate paraushtarake opozitare iraniane në Shqipëri, dhe krijimin e mundësisë për të që të krijojë një kamp ushtarak të mbyllur nga ku bëhen thirrje për përmbysjen me dhunë të regjimit në fuqi, në Iran, kanë konsumuar veprën penale të parashikuar nga Neni 265/b i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë “Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj”, që në mendjen e atyre që e kanë bërë është për radikalët islamikë shqiptarë që shkojnë të luftojnë në Lindjen e Mesme, por vlen edhe për raste të tjera.

Ky nen thotë:“Nxitja, rekrutimi, organizimi, drejtimi, stërvitja, vënia në dispozicion e pajisjeve, krijimi ose përdorimi i fondeve ose mjeteve të tjera për financimin, mbështetjen materiale të personave, në çdo lloj forme dhe mënyre, për të kryer veprën penale të parashikuar nga neni 265/a dënohet me burgim nga tetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.”
Në rastin tonë kemi të bëjmë me së paku dy elementë që janë “vënie në dispozicion të pajisjeve”, dhe “mbështetje materiale”, për kryerjen e të cilave thuhet “në çdo lloj forme dhe mënyre”.

Unë e këshilloj Ylli Ndroqin që t’ u kërkojë publikisht autorëve të Planit B që ose të heqin dorë nga fushata e paguar në media, ose ai do të bëjë kallzim penal për ta sipas nenit 265/b.
Ata që kanë bërë planin e eliminimit të Ylli Ndroqit presin që ai të sillet si ai gomari të cilin kur po e shqyente ujku, thonte me vete: “Bëje o Zot ëndërr!”./GazetaImpakt/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne