Planifikoi sulm terrorist ndaj një qendre islame, ish-ushtari amerikan bëhet mysliman

Një ish-ushtar amerikan u njoh me islamin dhe u bë mysliman teksa vizitoi Qendrën Islame, të cilën planifikonte ta shpërthente me bomba për shkak të urrejtjes.

Ndërkohë që kanë shpërthyer debatet mbi racizmin e bardhë dhe islamofobinë pas sulmit terrorist në dy xhami të Zelandës së Re, ish-ushtari amerikan Richard McKinney tregon rrugën e ndryshimit.

Richard McKinney, nga një ish-ushtar që mendonte të kryente një sulm me bombë në Qendrën Islame në Indiana, ka ndarë për shtypin vendas rrugën e tij se si ai u bë kryetar i të njëjtës qendër.

Sipas shtypit lokal, McKinney ka kryer detyra për shumë vite brenda Trupave Detare të SHBA-ve në rajonet si Lindja e Mesme, Somali, Filipine, Amerikë e Jugut dhe pas kthimit në vendin e tij, bëhet e ditur se ai ishte shumë i mbushur me “urrejtje kundër myslimanëve”.

Planifikoi të sulmonte me bombë  Qendrën Islame

Ai ka shpjeguar se kohë më parë kishte në mendje që të shkatërronte një xhami, të ekzekutonte ose të plagoste shumë myslimanë dhe me bomba artizanale kishte projektuar që të sulmonte Qendrën Islame “Muncie”.
Duke vënë theksin se në atë kohë nuk i interesonte që do të kapej dhe burgosej, McKinney tha se është njohur me myslimanët pasi ka shkuar në Qendrën Islame në lagje, pasi vajza e tij e vogël një ditë i tregoi për veshjet e një fëmije myslimane që kishte ardhur e re në klasën e tyre.

U bë mysliman pasi u njoh me islamin

Pasi ka bërë të ditur se myslimanët në Qendrën Islame ku ai kishte shkuar i lexuan pjesë nga Kur-ani dhe se u ndikua nga islami në një kohë prej 8 javësh, McKinney tha: “Fillova të shpenzoj më shumë kohë çdo ditë në xhami dhe çdo gjë filloi të më bëhej më e logjikshme. Deklarova dëshminë, doja të bëhesha mysliman dhe u bëra”.

McKinney, i cili u bë një burim frymëzimi për shumë njerëz pasi u bë mysliman, tani është kryetar i Qendrës Islame “Muncie”, ku ai dikur kishte planifikuar të kryente sulm me bombë.

“Do të bëj gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur Qendrën Islame dhe njerëzit këtu”, thotë McKinney.

Ai thekson se vazhdon të mbështesë komunitetin mysliman duke korrigjuar mendimet dhe ndjenjat e gabuara për Islamin.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne