“Plas” mes institucioneve në Kosovë!​ KQZ padit Avokatin e Popullit: Zbatuam ligjin për zgjedhjet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të mos komentojë shumë gjatë padinë që Avokati i Popullit i bëri këtij institucioni një ditë më herët.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 1 067 kandidatë për deputetë, prej tyre 343 femra dhe 724 meshkuj, por me këtë nuk po pajtohet Avokati i Popullit. Ky institucion ka paditur KQZ-në lidhur me shkeljen e së drejtës për trajtim të barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.

Avokati thotë se KQZ-ja, sipas mandatit që ka, i ka certifikuar listat me emrat e kandidatëve për deputetë të propozuara nga subjektet politike për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, por nuk i ka pasur parasysh garancitë kushtetuese e ligjore sa i përket barazisë gjinore, në mënyrë specifike trajtimin e barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se nuk e komentojnë padinë në fjalë pasi ajo tashmë është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ai ka treguar për KosovaPress, se ky institucion ka mbikëqyrur zbatimin e nenit 27 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme lidhur me kuotën gjinore.

Po ashtu, Avokati i Popullit ka kërkuar që KQZ-ja të ndalojë ndërmarrjen e veprimtarive të cilat shkelin apo mund të shkelin të drejtën për trajtim të barabartë, apo të kryejnë veprimtari të cilat eliminojnë diskriminimin apo pasojat e tij në lidhje me trajtimin e pabarabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.Avokati i Popullit ia ka bashkangjitur padisë në fjalë kërkesën për masë të përkohshme në procesin zgjedhor, mbi bazën e argumenteve që parashtron padia në fjalë dhe i kërkon Gjykatës aprovimin e kësaj mase, me ç’rast KQZ-ja, si palë e paditur, do të duhej t’i rishikonte listat e partive politike, në mënyrë që ato të jenë në pajtim me dispozitat në vijim Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, neni 6, paragrafi 8: ‘Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse’. Neni 14: ‘Partitë politike me aktet e tyre obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 1 067 kandidatë për deputetë, prej tyre 343 femra dhe 724 meshkuj. Ligji për Barazinë Gjinore është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, ndërsa KQZ-ja pas kësaj ka organizuar me të njëjtin ligj që e zbaton aktualisht dy procese zgjedhore, zgjedhjet parlamentare dhe lokale në vitin 2017.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës është miratuar nga Kuvendi në qershor të vitit 2008, pak muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës./balkanweb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne