Shqiperia

Plas në Kuvend, Alibeaj i përmend burgun ministres: Te 313 ka një qeli bosh, do të kallëzoj penalisht

Seanca e sotme plenare ka nisur me interpelancën për rastin e ekstradimit të Nezar Seitit drejt Italisë. Opozita thirri në interpelancë ministren e Drejtësisë Gjonaj duke i kërkuar shpjegime se përse firmosi për ekstradimin e Seitit, ndërsa e akuzoi për shkelje të ligjit dhe i kërkoi largimin nga detyra.

“Ministri Xhafaj vendosi në zbatim planin për ekstradimin e Nazer Seitit drejt Italisë. Ministria e Drejtësisë nuk e ndaloi ekstradimin, por e lejoi. Ministri duhet të bënte verifikime nëse kishte pengesë, por nuk e bëri. Ministria është vetëm 500 m larg nga burgu ku mbahej Siti, por edhe nga Krimet e Rënda, ndërsa nuk verifikoi, shkeli ligjin. E miratoi ekstradimin për 24 orë duke finalizuar skemën e firmosur nga Xhafaj. Seiti do të fliste për paratë, për eurot me të cilat u blenë gjerdanët për familjarët e Tahirit dhe 20 mln euro që kaluan nga Seiti në duart e Tahirit, që Rama të blinte zgjedhjet. Te 313 ka një qeli që është lënë bosh, e vetme ajo qeli nuk iu mban të gjithëve. Sot do të depozitoj kallëzim penal për ministren e Drejtësisë ” – tha Enkelejd Alibeaj.

Ndërkohë, ministrja Gjonaj u shpreh se nuk ka kompetenca për verifikime dhe hetime për të vendosur në diskutim vendimin e gjykatës që iu vendos në dispozicion, ndërsa sipas saj, nuk ka asnjë pengesë ligjore për ekstradimin që është bërë. E gjithë zhurma, thotë ministrja, po bëhet për të sherrin e radhës, pasi opozita është kundër reformës në drejtësi.