Shqiperia

Plasin skandalet e PPP-ve. Pas check up-it, shqiptarët duhet të mbipaguajnë edhe sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale

Një urdhër i brendshëm i dhënë para pak kohësh, pothuaj ka paralizuar ndërhyrjet kirurgjikale në të gjitha spitalet publike të vendit. Rrjedhojat e PPP-ve të qeverisë Rama kanë filluar të japin efektet dhe skandalet po plasin njëri pas tjetrit. I tillë është edhe ai koncensionit apo Partneritetit Publik Privat për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale. Edhe pse marrëveshja mes shtetit shqiptar dhe kompanisë SaniServise është mëse e kënaqshme për këtë të fundit, qytetarët janë prap në borxhe deri në fyt dhe do të duhet të pagujanë akoma më shumë nga xhepi për shërbime, përllogaritja e kostove të të cilëve është mjaft e thjeshtë, duke iu referuar madje edhe organizmave ndërkombëta siç është Banka Botërore.

Për ta thënë më thjeshtë: Kontrata e konçensionit të sterilizimit të pajisjeve mjekësore ka hyrë në vitin e tretë të zbatimit, por shteti shqiptar vazhdon të futet në mënyrë absurde në borxh tek privati. Dhe natyrisht ky është një borxh që do ta paguajnë vetëm qytetarët. Vitin e kaluar Qeveria Shqiptare i ka paguar kompanisë SaniServis 1.625.300 lekë ose 4% më shumë se plani i parashikuar në buxhet. Duket se sektori më i rëndësishëm shëndetësor, ai spitalor, nuk ka arritur të parashikojë as numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale vjetore të vetat, çka e ka çuar faturën që duhet paguar në mbi 2 miliardë lek. Kompania SaniServis ka fituar konçensionin e sterilizimit, me një total prej 12.3 miliardë lekësh për periudhën 2016-2025, dhe është një nga pazaret e pastra të qeverisë Rama dhe njerëzve të tij të besuar.

Falë kësaj kontrate SaniServis ka deklaruar normën e saj të fitimit në vitin 2018, jo pak, por plot 265 milionë lek fitime, ose rreth 2.1 milionë euro. E thënë ndryshe të ardhurat e kompanisë arritën në 1.7 miliardë lekë vitin e kaluar, me një normë fitimi 15%. Vlerat e parave që SaniServis ka futur në xhep vitin e kaluar janë trefish më të larta se në vitin 2017.

Por çfarë ndodh aktualisht? Për nevojat e pacientëve nëpër spitalet e vendit është rritur numri i ndërhyrjeve e bashkë me to edhe fatura që qytetarët duhet ti paguajnë kompanisë së pjellë në kohën e qeverisjes Rama. Dhe duke parë se situata po del jashtë kontrollit, qeveria shqiptare bën atë që di të bëjë më mirë: i shtyp kokën qytetarit e saj.

Zonja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka lëshuar një urdhër për të gjitha spitalet e vendit, sipas të cilit duhen anulluar të gjitha llojet e lehta të ndërhyrjeve kirurgjikale, me përjashtim të atyre që janë mëse të nevojshme.

Ndërkohë fatura e qytetarëve vazhdon të rritet.

Situata e mësipërme nuk ndryshon fare me një tjetër konçension të qeverisë Rama në shëndetësi. Check Up-i, është një tjetër skandal, madje akoma më i madh se ky i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Nëse për sterilizimin paguhet për një shërbim të kryer, ato të check up-it janë para që shkojnë në llogaritë e miqve të Edi Ramës edhe pa u dhënë si shërbim. Ai u miratua si një shërbim i pakërkuar nga askush dhe çoi në llogarinë bankare të Vilma Nushit një shumë parash që u mbajt gjithmonë sekret, por që mund të merret lehtë me mend po të shfletosh fitimet që 3P Life Logistic (kompania që kryen check up), ka deklaruar si fitime vjetore.

Si investim të sajin, kompania 3P Life Logistic, pat deklaruar vetëm 30 milionë lek kapital. Një investim që e dyfishoi vetëm në vetëm 9 muajt e parë të punës (31 mars-31 dhjetor 2015), kur deklaroi se kishte fituar plot 45 milionë lek. Çka vërtetoi se taksapaguesit shqiptarë i kishin paguar asaj jo pak por, 554 milionë lek ose dy herë më shumë sesa teorikisht do të kushtonin analizat sipas rezultatit të tenderit. Pra shqiptarët e kanë paguar dyfish më shtrenjtë kontrollin shëndetësor që u premtohej falas.

Në vitin e parë të kontratës me 3P Life Logistic vetëm 244 mijë shqiptarë e morën këtë shërbim, ndërkohë që në llogarinë e Vilma Nushit ishin derdhur para për 475 mijë persona. Situata nuk ka ndryshuar shumë edhe në vitet e mëvonshme. Si një nga koncensionet më të debatueshme dhe një nga vjedhjet më të mëdha që u është bërë shqiptarëve, edhe në vitin 2016, 2017 e më vonë nuk u arrit asnjëherë parashikimi bërë nga qeveria për numrin e personave që do të kryenin check up-in falas, edhe pse paratë tek kompania e krijuar vetëm për këtë punë vazhdonin të derdheshin rregullisht. Në të njëjtën kohë edhe Vilma deklaronte çdo vit miliardat e lekëve fitim prej një sektori kurrë të praktikuar prej saj. Mendoni që kontrata e check-up-it është parashikuar të zgjasë dhjetë vjet. Dhe kjo është vetëm njëra prej kontratave.

Për konçensionet në shëndetësi, qeveria shqiptare ka autorizuar një shpenzim prej 311 milion euro për dhjetë vjet. Dhe nëse analizojmë deklarimet zyrtare mbi fitimin e këtyre kompanive deri tani, është lehtësisht e kuptueshme se përqindja më e mëdha e këtyre parave është thjeshtë një transferim nga arka e shtetit shqiptar, drejt e në xhepin e oligarkëve të krijuar nga Rama.

Sa për ta vërtetuar:

Për vitin 2018, SanServise e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale ka raportuar 265 milion lek fitime ose rreth 2.1 milionë euro; 3P Life Logistic e check up-it ka deklaruar më shumë se 876 milionë lek ardhura dhe më shumë se 90 milionë lek fitime; kompania tjetër DiaVita që realizon shërbimin e dializës, ka deklaruar në tatime 381 mijë euro fitime për vitin që lamë pas.

E ndërkohë që thasët e tyre mbushen, Ogerta Manastriuliu urdhëron: mos të sëmurën njerëzit. Sallat e operacionit do të përdoren me kursim.

Por, edhe sa kohë mund të vazhdojë kështu?!/Pamfleti

OPINIONE