Po i jepte SPAK-ut prova kundër Sali Berishës, avokati: Aksidentohet makina e policisë me Izet Haxhinë, duan ta vrasin

TIRANE-Avokati i Izet Haxhisë denoncon se dy ditë më parë makina me grupin e shoqërimit që po e transportonte nga qelia e burgut 313 te Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku po depononte kundër ish-kryeministrit Sali Berisha për 23 krimet që sipas tij ka kryer nga viti 1991-1999 është aksidentuar.

Idajet Beqiri akuzon se aksidenti ka qenë i qëllimshëm për ta eliminuar fizikisht pas dëshmive që po bënte prej katër ditësh te Krimet e Rënda. Idajet Beqiri deklaroi në një lidhje telefonike për Report Tv se klienti i tij ka ndërprerë dëshminë pasi i rrezikohet jeta dhe i bëri thirrje shtetit që ta marrë Izet Haxhinë në mbrojtje. Po sipas avokatit, Haxhia pësoi goditje dhe fraktura në kokë dhe pjesë të tjera të trupit nga aksidenti duke u dërguar me urgjencë në spital.
LEXO EDHE:
Ja kush është burri i dytë i ‘mollës së sherrit’ në Kavajë/ Denoncimi i Berishës: I dënuar për vrasje dhe pjesë e bandës kriminale

“Izet Haxhia ndërpret menjëherë deklarimet kundër Sali Berishës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Jeta e tij dhe i njerëzve të afërt të tij rrezikohet në mënyrë dramatike. Tentohet eliminimi fizik i tij. Izet Haxhiaj, pasi ka deponuar plotë 4 ditë me radhë për 25 orë të qendrimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë kundër krimeve të kryera nga Sali Berisha për periudhën 1991-1999, në datën 09.10.2019, kur është shoqëruar për të vazhduar deklarimit dhe për të paraqitur provat dhe faktet për çdo akuzë, makina që e shoqëronte ka bërë “aksident”, duke u përplasur. Izet Haxhiaj ka pësuar fraktura në kokë, ka patur të vjella dhe është çuar me urgjencë në spital…

Për katër ditët që Izet Haxhia ka dhënë deklarimet e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas kallëzimit penal të bërë prej tij kundër Sali Berishës në muajin dhjetor 2018, bota e krimit është aktivizuar me një egërsi të paimagjinueshme, sidomos në rrjetet sociale, kundër Izet Haxhisë, njerëzve më të afërt të tij si dhe mbrojtësve ligjor të tij.

Strukturat e shtetit, institucionet përkatëse ligjzbatuese, megjithëse i shohin këto reagime, shantazhime, kanosje serioze për vrasje etj, nuk i marrin në mbrojtje, për t’u siguruar jetën, së paku Izet Haxhisë, këtij dëshmitari okular që me prova dhe me fakte të pakontestueshme po denoncon krimet më të rënda që janë kryer prej ish presidentit të Republikës së Shqipërisë Sali Berisha në vitet 1991-1999, duke i sjell vendit dhe familjeve shqiptare plagë të rënda dhe tragjike.

Në kushtet e mësipërme mbrojtësi ligjor i ka rekomanduar Izet Haxhiaj ndërprerjen e menjëhershme të deklarimeve të tij para Prokurorisë së Krimeve të Rënda kundër Sali Berishës, derisa të marrim garancitë e plota nga institucionet ligjzbatuese të shtetit shqiptar për jetën e tij dhe të njerëzve të afërt të tij” shkruan avokati i tij Idajet Beqiri.

Madje, avokati Idajet Beqiri thotë se është kërcënuar jo vetëm Haxhia, por edhe familja e tij dhe ai vetë që të tërhiqen nga procesi i deponimit kundër Sali Berishës. Ai tha se ka edhe mesazhet e kërcënimit që i janë dërguar.

“Tani ka filluar të komunikojë, ka tentuar të më kontaktojë nga burgu. I kërkova të ndërpresë deklarimet kundër Berishës. Në mes të Tiranës aksidente të tilla, me dëshmitarë që kanë dhënë një kallëzim për krime të rënda që i kanë ndodhur këtij vendi…. Një person i tillë sigurohet me masa të jashtëzakonshme dhe nuk mund. Bota e krimit është ngritur e gjitha në këmbë. Në aksident ka qenë grupi i shoqërimit, që po e dërgonte në gjykatë.

Kam mesazhe të fotografuara në telefon se cfarë kërcënimesh i bëjnë për Izet Haxhinë, gruas, por edhe mbrojtësve ligjorë të tij. Me emër dhe mbiemër, por edhe në Facbook. Kjo tërheqje do të thotë që institucionet shqiptare duhet të marrin në mbrojtje Izet Haxhinë. Ti sigurojnë jetën, ai do të vijojë të bëjë deponimet e tij deri në fund për një mori krimesh që nuk janë zbardhur. Akuzat e Izet Haxhisë kundër Sali Berishës janë të pafundme” tha ai për Report Tv.

Por kush janë 23 krimet të cilat Izet Haxhia akuzon Sali Berishën? Në padi, Izet Haxhia pretendon se Sali Berisha e ka urdhëruar atë për të bombarduar Ambasadën amerikane në Tiranë, eliminimi i Azem Hajdarit, firmat piramidale. Gjithashtu sipas Haxhisë, Berisha kishte planifikuar edhe vrasjen e Skënder Gjinushit, të Sabit Brokajt, të Arben Imamit dhe Shaban Memisë, por edhe shumë cështje të tjera./Shqiptarja.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne