“Po marrim bukën me listë, fëmijët i kemi hequr nga shkolla”/ Punëtorët e rafinerisë në protestë: Ruçi nga viti 1992 e deri me sot merr vota, t’i vijë turp

Punëtorët e rafinerisë në Fier janë ngritur sërish në protestë ditën e sotme para prefekturës, pasi prej muajsh ata nuk kanë marrë rrogat.

Ata kërkojnë marrjen e pagave dhe duan fillimin e punës sa më shpejt, si dhe marrjen e përgjegjësisë nga qeveritarët nëse ndodh diçka në këtë uzinë.

Protestuesit i bënë thirrje të gjithë punëtorëve të bashkohen në protestë për të drejtat e tyre. Kushtet e vështira i kanë detyruar punonjësit të marrim bukën me listë dhe fëmijët i kanë hequr nga shkolla.

“Po e marrim bukën me listë dhe fëmijët po i heqim nga shkolla”, shprehen punonjësit e rafinerisë së naftës në Fier. Punëtorët gjatë protestës i bënë thirrje kryeparlamentarit Ruçi të vijë në Fier.

“I bëjmë thirrje kryetarit të parlamentit të vijë në Fier sepse në vitin 2021 do kërkojë vota në këtë qytet. Votat i ka marrë nga viti 1992 e deri me sot te gjitha votat, ti vijë turp.”

Protestuesit paralajmëruan se nëse nuk arrihet në një zgjidhje, do të përshkallëzojnë protestën në grevë urie, derisa të gjendet një zgjidhje për ta.

Rafineria e Ballshit e administruar nga kompania “Tosk Energji” u mbyll në muajin shtator.

Bankers Petroleum, një nga furnizuesit me lëndë të parë të kësaj rafinerie në reagimin e tij, theksoi se shkak për mbylljen e rafinerisë nuk është kjo kompani.

Në sqarimin e shpërndarë për mediat Bankets nënvizoi se Tosk Energji ka shkelur disa herë kontratat me këtë kompani, çka e ka vënë atë në pozitë të vështirë për sasinë e naftës gjendje e cila ka kaluar më pas për eksport./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne