Bota

A po përgatitet NATO për agresion ushtarak kundër Rusisë?

Anëtarët e NATO-s mund të jenë duke kryer përgatitjet e plota për agresionin pranë kufirit rus, sipas Konstantin Sivkov, drejtor i Akademisë së problemeve gjeopolitike.

Duke folur në një tryezë të rrumbullakët në Moskë mbi politikën e NATO-s ndaj Rusisë, Sivkov argumentoi se ka disa shenja që me sa duket tregojnë se aleanca mund të jetë duke u përgatitur për “agresion ushtarak”.

“NATO po kryen përgatitje në shkallë të gjerë për agresion ushtarak,” tha eksperti.

Ai nënvizoi se kohët e fundit anëtarët e NATO-s kanë qenë duke dërguar forca të rëndësishme ushtarake në kufirin perëndimor të Rusisë.

“Katër batalione, që përbëjnë 1.000 persona, aktualisht janë të vendosur përgjatë kufirit të Rusisë, por aftësia qitëse e secilës prej këtyre njësive është shumë më e madhe nga sa do të kishte nevojë një batalion i vetëm. Teorikisht, këto njësi mund të transformohen lehtësisht në trupa ushtrie me një personel prej 40,000-50,000 ushtarësh, me trupa shtesë të vendosur nga Shtetet e Bashkuara dhe pjesë të tjera të Evropës,” tha Sivkov.

Për më tepër, eksperti vuri në dukje se më parë NATO rekrutonte rusishtfolësit për stërvitje në Gjermani. Në mars, përshkrimi i konkursit “Aktorë rusishtfolës për ushtrimet e NATO-s” u botua në portalin zyrtar të kryeqytetit gjerman të Berlinit.

“Kandidatët do të luajnë rolin e civilëve në zonat e konfliktit, gjë që do të ndihmojë në krijimin e një skenari të vërtetë trajnimi për ushtarakët dhe në përgatitjen e tyre optimale për misionet e huaja”, thoshte përshkrimi.

“Në fakt, është e qartë se [stërvitja] ushtron armiqësi të mundshme kundër Rusisë si një armik i mundshëm”, tha Leonid Slutsky, kryetari i Komitetit të Çështjeve Ndërkombëtare të Dumës Shtetërore të Rusisë, në fund të marsit.

Së fundi, Sivkov tha se një tjetër prirje që tregon përgatitjet e NATO-s për agresionin e mundshëm kundër Rusisë është rritja e planifikuar e aftësive materiale dhe teknike të flotës së 7-të amerikane në Oqeanin Paqësor.

“Me sa duket, anijet e NATO-s në rajon mund të përgatiten për një agresion. Ky mund të jetë një pretekst për veprime ushtarake kundër Rusisë”, përfundoi ai.

Marrëdhëniet NATO-Rusi janë komplikuar gjatë viteve të fundit, pasi NATO ka marrë një drejtim të qëndrueshëm për zgjerimin e aleancës duke angazhuar shtetet e Europës Lindore që nga viti 2014.

NATO justifikoi zgjerimin e tij në lindje si një përgjigje ndaj ndërhyrjes së supozuar të Rusisë në konfliktin ukrainas. Moska i ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur këto akuza.

Më 22 dhjetor 2016, Ministri rus i Mbrojtjes Sergej Shoigu tha se prania e NATO-s pranë kufijve të Rusisë është rritur trefish në dhjetë vitet e fundit dhe tetëfish përgjatë kufijve perëndimorë të vendit.

Në një intervistë të kohëve të fundit me regjizorin e SHBA-së Oliver Stone, presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia do të japë një përgjigje të përshtatshme ndaj veprimeve të NATO-s përgjatë kufirit të Rusisë, në mënyrë që të mbajë një ekuilibër strategjik.

Presidenti rus theksoi se Rusia nuk përbën kërcënim për fqinjët e saj. Duke folur për zgjerimin e NATO-s, Putin shtoi se vendet duhet të përqëndrohen më shumë në arritjen e marrëveshjeve mbi sigurinë dhe ndihmën e ndërsjelltë nëse ata ndjejnë ndonjë kërcënim.

Ndërkohë, aktualisht NATO po zhvillon stërvitjet Tobruq Legacy 2017 në Lituani, ku përfshihen rreth 500 persona dhe 30 sisteme të mbrojtjes ajrore nga disa shtete anëtare të aleancës. Në veçanti, SHBA dërgoi sistemet e mbrojtjes së raketave Patriot në Lituani, në vendosjen e parë të sistemit në rajonin e Balltikut. / © Gazeta Impakt

Etiketa

OPINIONE