A po shkon drejt blusë, roza e dikurshme e PS-së?!

Nga Ben Andoni: Simbolet e Partisë Socialiste kanë qenë e mbeten një shqetësim për bazën socialiste. Jo thjesht nuancat e ngjyrës të ndryshuara shpesh, por edhe konceptimi i vetë simbolikës. Kryeministri i vendit s’është mjaftuar vetëm me rikonceptimin e tyre, por edhe abstragon mbi vetë simbolin. Një simbolikë e fundit grafike, që është interpretuar si logo prej tij, ka ardhur ditët e fundit ku ironia e dy gishtave lart shtrëngon gonxhen e kuqe. Për hir të së vërtetës, simbolika e dy gishtave s’është asfare e PD-së, por habitshmërisht në mënyrën sesi përdoret në vendin tonë, asaj i ka mbetur atributi, që i shkon vetëm PD-së. Për bazën edhe këtë rast, ngjyra dhe koncepti i fundit kanë qenë disi befasues dhe zhgënjyes, ashtu si loja e vazhdueshme e kreut të PS-së me simbolikën, që asnjëherë nuk është konsultuar me kryesinë, sipas statutit dhe njerëzit e thjeshtë të bazës. Kuptohet flitet për ata që e kanë respektuar dhe nuk e kanë mohuar në asnjë rast trashëgiminë e PS-së. Krejt ndryshe ka ndodhur me forumet strukturore që janë zhvilluar me ardhjen e Edi Ramës në krye të PS-së, të cilat thjesht aprovojnë servilisht çdo gjë të tij.

Gjithsesi, kurrizi i socialistëve mban dhe me sa duket e ka të kalitur durimin që në kohën e regjimit. Shok-u i parë i tyre ishte mbyllja e njërit prej organeve më të vjetra mediatike në Shqipëri, që kish nisur jetën qysh nga Lufta e Dytë Botërore. “Zëri i Popullit”, paçka stigmës, përbënte tek e fundit tribunën ku shpaloseshin idetë e këtij formacioni por edhe shqetësimet më të mëdha të tij. Ashtu si ndodh rëndom, gazeta kishte pritshmëri shumë të madhe kur PS ishte në opozitë dhe krejt ndryshe në fuqi, kur propaganda e PS-së ishte e shpërndarë edhe në shumë gazeta pro-qeveri. Vendimi i socialistëve, që duhet thënë asnjëherë s’është kuptuar realisht, i dha dërrmën një simboli, që vërtet mund të përcillte konotacionin e një kohe të vjetër, por që përmbante histori. Madje, edhe për vendin.

Në ditët tona, “simbolet elektorale përcaktohen e miratohen nga Kryesia e PS-së”, thuhet në pikën 6 të Nenit 12 në statutin e PS-së. Në pikën tre të po këtij neni, thuhet se flamuri i Partisë Socialiste është me ngjyrë rozë dhe me stemën e partisë në mes!! Duke filluar nga kjo e fundit: Ngjyra ka kohë që është ndryshuar kurse me kalimin e kohës ajo është bërë mavi e theksuar, qoftë edhe pa miratimin e Kryesisë (statusi e kërkon), duke shkuar tashmë drejt blusë së errët. Kryesia e PS-së në pozicionin e yes-people edhe nëse mund t’i jetë shtruar si kërkesë si zor të ketë bërë edhe rezistencën më të vogël. Në vitet e fundit, PS-ja është një strukturë tejet e centralizuar, ku hallkat janë thjesht zgjatime, që marrin udhëzime, por që nuk veprojnë si instanca demokratike të përshfaqin problemet e bazës. Mjaftosh të kujtosh paradoksin e zgjedhjeve të brendshme të partisë dhe mungesën e funksionimit demokratik të partisë të kuptosh gjithçka.

Problemi i demokracisë së PS-së mbartet që pas vitit 2003 dhe fryma e saj reale që e bashkonte dhe që e inspironte po bjerret nga koha në kohë. Kurse nga viti 2008 e në kohën kur jetojmë,  PS-ja, ashtu si partia tjetër e dytë në vend PD-ja, nuk ka më organizim dhe për gjithçka vendos kryetari. Statusi i PS-së është një dokument që thjesht ekziston për të justifikuar qëndrimet e marra nga kreu Rama, i cili duket omnipotent në të gjithë jetën e partisë. Punimet e Kongresit të PS-së të 19 Marsit 2016, ku iu pre udha pyetjeve e diskutimeve ishte shembull i mirë i kësaj që kemi shkruar. Kurse Kongresi i fundit elektoral i Durrësit dhe show që bëri PS-ja ishin krejt larg shpirtit të vërtetë të bazës socialiste dhe shqetësimit të një fashe të madhe sociale të anëtarësisë së saj.

Kjo e bën projeksionin më të mirë te simbolika. Nga purpuri drejt mavisë, ku gjendet sot ngjyra e PS-së dhe drejt afrimit të blusë (Në statut është rozë), duket se është më shumë një justifikim i ekipeve të reja për të treguar që s’kanë lidhje fare me PS-në tradicionale. Kohë më parë, në fillimin e kësaj aventure, Rama gjeti dhe një justifikim tejet avantgard për këtë, duke i lehtësuar PS-istët e tij, që rrallë i dëgjon: “është një simbolikë, dhënia fund e ndasive veri-jug nëpërmjet bashkimit të ngjyrave blu dhe të kuqe… guri i themelit në rrugën që ndan tranzicionin nga Shqipëria evropiane”.

Në fakt, tranzicioni vazhdon, kur simbolika e PS-ja po afrohet gjithnjë e më shumë me ngjyrat e PD-së, ndaj të cilës është zbutur gjuha në maksimumin e mundshëm, gati duke e gjuajtur me pambuk. Tek e fundit rëndësi ka fitorja dhe mbijetesa dhe asfare ideologjia e programi, që përshfaqen me simbole.

Jo më kot, PS noton sot në një gjendje kaotike, ku simbolika është thjesht dukja sepse ajo nuk ka një qëndrim të qartë apo të jetë në gjendje të tregojë edhe efektet më minimale të programit të saj. E jo thjesht se premtimet elektorale e saj janë të pamundura, porse vetëm nga masat që pretendohen se lidhen me bujqësinë, arsimin, shëndetësinë, shpenzimet qeveritare do të shkonin nga rreth 30% e GDP-së që janë aktualisht, në rreth 37-39%. Kurse shifra e borxhit publik do të shkonte menjëherë nga rreth 70% e GDP-së që është aktualisht, në mbi 80% të GDP-së, citojmë specialistin Selami Xhepa, nga Instituti Evropian “Pashko”.

E gjitha një gjendje kaotike, që e përshfaq edhe funksioni i brendshëm i strukturave të saj, prej shumë kohësh të pastrukturuara dhe me fytyrën e vërtetë të tranzicionit të pafundëm shqiptar. Ndaj roza dalëngadalë e shndërruar në një mavi po përfundon në blunë e pamatë të rrugës pa drejtim të PS-së.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne