Policia gjermane arreston një person për sulm racist

Policia në Gjermani arrestoi një burrë në stacionin hekurudhor në kryeqytet për shkak të vërsuljes me sharje raciste ndaj dy grave dhe përpjekjes së tij për t’i sulmuar ato sepse po flisnin një gjuhë të huaj, njoftuan të hënën autoritetet, raporton Anadolu Agency (AA).

I dyshuari 37-vjeçar fillimisht i kërcënoi gratë dhe u kërkoi që të flisnin gjermanisht mes tyre dhe jo turqisht dhe më vonë u përpoq t’i sulmonte ata me një objekt metalik në stacionin në rrethin Wittenau të Berlinit të dielën në mbrëmje, thuhet në deklaratën e Policisë Federale.

I dyshuari, i cili me sa duket ishte nën ndikimin e alkoolit, u ndalua nga një grup njerëzish në stacion dhe më vonë u arrestua nga oficerët e policisë, thuhet më tej në deklaratë.

Kundër tij janë hapur hetime me akuzën e ngacmimit dhe përpjekjes së dëmtimit të rëndë trupor.

Incidenti është i fundit në një seri sulmesh ksenofobike në kryeqytet në muajt e fundit që në objektiv kanë njerëzit me pamje të huaj, përfshirë gratë muslimane me shami dhe hebrenjtë që mbajnë kapelën kippah.

Gjermania ka qenë dëshmitare e ksenofobisë dhe urrejtjes kundër emigrantëve në vitet e fundit, të nxitura nga propaganda e grupeve neo-naziste dhe partia islamofobike e ekstremit të djathtë të Alternativës për Gjermaninë (AfD).

Çdo ditë, të paktën tre persona janë viktima të akteve raciste ose ksenofobike të dhunës në vend, sipas organizatave të të drejtave të njeriut./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne