Policia italiane dëbon me dhunë refugjatët nga një shesh në Romë

Policia italiane përdori pompat e ujit dhe shkopinjtë e gomës mbi emigrantët që mbanin pushtuar një shesh të Romës, pavarësisht urdhrit për dëbim.

Pamjet filmike tregojnë disa prej refugjatëve duke bërtitur me të madhe ndërsa tentojnë të godasin forcat e rendit. Rreth 100 prej tyre e mbajtën sheshin të bllokuar që nga dita e shtunë, kur gati 800 banorë të paligjshëm u nxorën jashtë ndërtesës qeveritare ku kishin qëndruar për rreth 5 vjet. Shumica e emigrantëve ishin azilkërkues nga Eritrea, të cilëve u është njohur e drejta e qëndrimit. Policia sqaroi përmes një deklarate për shtyp se kishte vendosur të ndërhynte pas informacioneve se refugjatët po planifikonin të përdornin bombola gazi dhe koktej molotov. Disa prej bombolave, sipas saj, u gjetën të porsahapura. Ushtria austriake ndërkohë ka bashkuar forcat me policinë në kontrollin e rrugëve dhe linjave hekurudhore pranë kufirit me Italinë, në përpjekje për t’i frenuar emigrantëve hyrjen më thellë në Europë. Planet e Vjenës për forcimin e kontrolleve kufitare e irrituan Romën në muajin korrik. Të dy vendet janë pjesë e Shengenit, zona e lëvizjes së lirë, shtetet e së cilës i kthyen verifikimet në kufi pas vërshimit të mbi 1 milion emigrantëve kryesisht nga Ballkani në vitet 2015-2016./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne