Policia izraelite arreston 17 palestinezë në Kuds

Policët izraelitë kanë arrestuar 17 palestinezë në Kudsin Lindor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Emced Ebu Asab, kreu i komitetit të familjeve të të burgosurve të Kudsit, në deklaratën për AA tha se policia izraelite në orët e mëngjesit ka zhvilluar bastisje në distrikte dhe lagje të Kudsit, ku ka arrestuar 17 të rinj.

Ai tha se nuk ka ndonjë arsyetim për arrestimin e të rinjve, duke shtuar se janë arrestuar për arsye të dyshimit për sigurinë në kremtimet e 52-vjetorit të pushtimit të Kudsit, që planifikohen të bëhen nesër.

Forcat izraelite shpesh kryejnë arrestime në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar dhe arrestojnë palestinezët me pretendime të ndryshme.

Pas arrestimeve, të cilat janë bërë të përditshme, disa nga palestinezët, përfshirë gra dhe fëmijë, mbahen me ditë të tëra nëpër qendra burgimi.

Sipas të dhënave të burimeve zyrtare palestineze, në burgjet e Izraelit ndodhen 5.700 palestinezë, përfshirë 230 fëmijë dhe 500 të mbajtur nën masën e ashtuquajtur “burgim administrativ”.

Përmes “burgimit administrativ”, Izraeli privon palestinezët nga liria nga një deri në gjashtë muaj, duke u bazuar në informacione të shërbimit informativ. Ky lloj burgimi mund të zgjatet madje deri në 5 vite me vendim të gjykatësit ushtarak pa ngritur aktakuzë, në rast se merret vendim që personi i burgosur “përbën kërcënim për sigurinë e Izraelit”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne