Rajoni Shqiperia

Policia turke vazhdon trajnimet për Policinë e Shqipërisë

Policia e shtetiT turk vazhdon kurset e trajnimit për punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë dhe të drejtorive vendore në fusha të ndryshme, Trajnimi i fundit me temë “Metodat e luftës kundër radikalizmit që i hap rrugë terrorizmit” është realizuar në muajin dhjetor për disa ditë, ndërsa është organizuar në fund javën e kaluar ceremonia e ndarjes së çertifikatave për 25 punonjës të Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shqipërisë.

Në ceremoninë e organizuar në Akademinë e Sigurisë në Tiranë ishin të pranishëm zv.ambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, drejtori i Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shqipërisë, Gledis Nano, përfaqësuesit e Policisë turke, etj.

Nano, duke folur në aktivitet theksoi se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Turqisë do të vijojë edhe në të ardhmen, dhe sipas tij njohuritë e përfituara në trajnime do të reflektohen në rritjen e nivelit profesional të punonjësve të Policisë së Shqipërisë në kuadër të luftës kundër terrorizmit.

Ai, duke falënderuar Ambasadën e Turqisë në Tiranë për mbështetjen e ofruar gjatë trajnimit të fundit, por edhe gjatë trajnimeve të mëparshme, tha se “Trajnimi i radhës me kolegët e Antiterrorit të Turqisë është me vlera jo vetëm për temat interesante që u trajtuan, por edhe për shkëmbimin e eksperiencave dhe për trajtimin e fenomeneve më shqetësuese me të cilat ndeshemi në punën tonë. Jam informuar në vijimësi për këtë trajnim nga pjesëmarrësit. Tema e trajnimit, e cila u trajtua gjatë ditëve të trajnimit nga lektorët me eksperiencë në forcat e Policisë Turke, posaçërisht të Antiterrorit, është cilësuar si temë shumë e vlefshme. Trajtimi teorik i temave i ndërthurur edhe me shembuj nga eksperienca e ka bërë më interesant trajnimin. Përfituesit që jemi ne, morëm informacionin e duhur në lidhje me këtë temë. Kemi marrë informacione në lidhje me mënyrën se si organizatat terroriste siPKK, DEASH, FETO janë të organizuara dhe ushtrojnë veprimtarinë kriminale me sfond terrorist në Turqi.”

Në këtë aktivitet mbajti një fjalë përshëndetëse edhe zv.ambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, duke u ndaluar në bashkëpunimin mes dy vendeve dhe mbështetjen e ofruar nga Turqia për Policinë e Shqipërisë.

Policia e Turqisë ka ofruar vazhdimisht trajnime me tema të ndryshme për oficerët dhe punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, në lidhje me metodat e luftës kundër terrorizmit, hetimin kundër krimit të organizuar, konceptet themelore të inteligjencës, etj./ trt

OPINIONE

INTERVISTA