Politika humanitare dhe migratore e Turqisë

*Can ACUN

Politika humanitare dhe migratore e Turqisë po i jep leksione njerëzie të gjithë botës duke zënë vendin e parë në shkalle globale. Si vendi më humanitar në botë, Turqia po i tregon tërë botës se si duhet t’i kushtohet rëndësi njeriut, si duhet ndarë kafshata e gojës dhe si të solidarizohet. Qasja e politikës së jashtme turke, e cila i jep vlerë njeriut duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes, ndryshe nga ato shtete që fshihen pas kallëpeve apo klisheve kinse mbrojnë të drejtat e njeriut, po vërteton me fakte dhe vepra se si duhet të trajtohet njeriu vetëm pse është njeri. Ndërsa fakti që Turqia është njëherësh edhe vendi që strehon më tepër refugjatë, ekspozon dallimin e qasjes së Turqisë.

Sipas raportit të fundit të Programit të Ndihmës Humanitare Globale, Turqia kryeson listën e vendeve më humanitare të vitit 2017 me 8,07 miliardë dollarë ndihma. Raporti thotë se Turqia ka ruajtur pozitën e saj udhëheqëse si “kombi më bujar” në botë, me një raport prej 0,85% ndërmjet të ardhurave kombëtare dhe ndihmës humanitare. Norvegjia dhe Luksemburgu janë ndjekësit më të afërt të kryesimit të Turqisë me një raport prej 0,17%.

Raporti 2018 i Programit të Ndihmës Humanitare Globale të Organizatës së Iniciativave Zhvillimore (Devinit), me seli në Londër, ka vendosur Turqinë, ndihmat humanitare të së cilës gjatë vitit 2017 kapin vlerën e 8,07 miliardë dollarëve, në krye të listës së vendeve më bujare e që kujdesen më shumë për të mirën e njeriut. Publikuar më datë 19 qershor, raporti në fjalë bën me dije se Turqia ndiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 6,68 miliardë dollarë. Edhe pse e dyta për vlerën e përgjithshme të ndihmave gjatë vitit të kaluar, SHBA-ja renditet e 19-a me një raport prej 0,04% ndërmjet të ardhurave kombëtare dhe ndihmës humanitare. Ajo pasohet nga Gjermania me 2,99 miliardë dollarë, Mbretëria e Bashkuar me 2,52 miliardë dollarë dhe Bashkimi Evropian me 2,24 miliardë dollarë.

Fakti që Turqia është shumë më përpara vendeve të tjera në lidhje me ndihmat humanitare, nënvizon konceptin e politikës së jashtme turke, e cila i jep njeriut vlerën e merituar, duke treguar dallimin e Turqisë në botë. Duke qenë se edhe ato shtete, të cilat pretendojnë të jenë mbrojtës apo kujdestarë të demokracisë e të drejtave të njeriut, rezultojnë të jenë shumë pas Turqisë në aspektin e ndihmave humanitare, është fare e qartë se pretendimet e tyre nuk pasqyrojnë realitetin. Kurse Turqia po vërteton me vepra dhe jo me fjalë se sa shumë i çmon të drejtat e njeriut duke u bërë vendi më humanitar në botë, madje me diferencë të madhe nga të tjerët.

Krahas ndihmave humanitare, Turqia është edhe shteti që pret e strehon më tepër refugjatë në botë, gjë e cila demonstron sërish dallimin e saj. Duke u bërë shtëpi e mbi 3,5 milionë refugjatëve, ndryshe nga shumë vende të botës, Turqia shfaq ndërgjegjen dhe qasjen e saj njerëzore. Përkundër politikave të shumë vendeve, Turqia u jep vlerë edhe njerëzve që i strehohen asaj si refugjatë, edhe dimensionit të ndihmave humanitare përtej kufirit.

Sidomos në një periudhë kur racizmi po shënon rritje, politikat e ashpra kundër refugjatëve po zbatohen pa të keq dhe mbytja e njerëzve në Mesdhe po shikohet si film në shkallë botërore, kjo qasje e Turqisë i jep nder njerëzimit. Fakti që Turqia s’ka pasur destabilitet politik dhe as rritje të racizmit, pavarësisht dendësisë së lartë të refugjatëve në vend, vërteton se argumentet antimigracion nëpër botë nuk reflektojnë aspak të vërtetën. Kjo tregon se e ashtuquajtura kriza e refugjatëve në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në thelb është krizë racizmi dhe ksenofobie.

Si shembull për këtë vlen të paraqitet kriza më e madhe historike e koalicionit qeverisës të demokristianëve (CDU) dhe socialkristianëve (CSU) në Gjermani, shkaktuar nga kërkesa e CSU-së për një politikë më të ashpër kundër refugjatëve. Numri i refugjatëve që kanë shkuar në Bashkimin Evropian, popullsia e përgjithshme e të cilit është rreth 550 milionë banorë, rezulton sa 1/3 e atyre të strehuar në Turqi. Megjithatë kjo ka qenë e mjaftueshme për të shkaktuar një krizë të madhe në të gjithë BE-së duke vënë në rrezik madje edhe partneritetin ndërmjet vendeve evropiane. Votat e partive ultradjathtiste kanë shënuar rritje të konsiderueshme në shtetet anëtare të BE-së dhe në shumë prej tyre ato janë shndërruar në forcat politike të dyta ose të treta më të mëdha.

Ndërsa Turqia, edhe pse strehon e vetme trefishin e refugjatëve të shpërndarë anembanë Bashkimit Evropian, nuk ka pasur kurrfarë simptome të krizës së refugjatë. Republika e Turqisë është e vendosur të vazhdojë politikat e saj humanitare për të mirën e të gjithë njerëzimit. Themelet e qasjes humanitare ndaj refugjatëve në Turqi ngrihen mbi vlerat islame dhe vullnetin e Presidentit Recep Tayyip Erdogan./ trt

*Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne