“Politika kurde”

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Disa qarqe të caktuara  përdorin me këmbëngulje përkufizime të tilla si “lëvizja kurde” apo “politika kurde” për PKK-në dhe/ose Partinë Demokratike të Popujve (HDP), e cila nuk distancohet nga PKK-ja. Me kësisoj termash, një organizatë terroriste dhe një forcë politike e lidhur me të paraqiten sikur të ishin “lëvizja” apo “politika” e një kombi të tërë.

PKK-ja është një organizatë terroriste që ka kryer akte terroriste masive dhe të vazhdueshme me emra të ndryshëm në vende të ndryshme: Turqi, Siri, Iran e Irak; si dhe sulme individuale e sporadike në disa vende perëndimore. Sulmet e realizuara nga PKK-ja në këto vende kanë vrarë dhjetëra-mijëra njerëz duke përfshirë civilë e ushtarakë, gra, fëmijë, foshnja; si dhe kanë detyruar e vazhdojnë të detyrojnë miliona të tjerë që të braktisin tokat e tyre. Përpjekjet e zvetënuara të PKK-së, si një mashë e fuqive që aspirojnë të dizajnojnë Lindjen e Mesme, për t’u paraqitur si përfaqësuese e kurdëve, mund të jenë të kuptueshme duke marrë parasysh politikën e saj. Të kuptueshme mund të jenë gjithashtu qasjet e qarqeve imperialiste dhe akademikëve e shkrimtarëve që janë të ndërlidhur me këto rrethe, të cilat dëshirojnë të vënë në shërbim të sigurisë së Izraelit kurdët – flamurtarë të Islamit bashkë me turqit dhe arabët për shekuj me radhë – përmes shtetit terrorist që ata dëshirojnë të themelojnë duke copëtuar Turqinë, Sirinë, Irakun dhe Iranin.

Sidoqoftë, ky zvetënim s’mund të ketë asnjë një barasvlerë racionale, shkencore apo shoqërore. Të konsiderosh të gjithë kurdët si një lëvizje/politikë e vetme është një qasje po aq racionale e shoqërore sa edhe të konsiderosh tërë gjermanët, arabët apo turqit në të njëjtën mënyrë. Të shohësh si një të tërë të vetme shoqëritë që formohen nga miliona njerëz dhe dallime të panumërta, është shprehje e një këndvështrimi totalitar. Nëse nisemi nga përkufizimi “politika kurde”, atëherë fillimisht duhet të themi se jo të gjithë kurdët formohen nga kurdët në Turqi, pasi bëhet fjalë për një komunitet që jeton i shpërndarë – krahas Turqisë – në Iran, Irak, Siri dhe në shtetet perëndimore. Po, mund të flitet për shtetet. Mirëpo si një komunitet, a mund të flitet për politikën e italianëve, francezëve apo turqve? Politika e turqve?! Nëse me këtë nënkuptohet politika e kurdëve të Turqisë, atëherë as kurdët s’janë një e tërë e vetme, ata janë të larmishëm, sikurse çdo shoqëri civile dhe demokratike. Për më tepër, ashtu si edhe në çdo shoqëri tjetër, jo të gjithë kurdët shfaqin interes për politikën. Po ashtu zgjedhësit kurdë nuk votojnë të tërë për HDP-në, pasi Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) merr nga kurdët të paktën po aq vota sa edhe HDP-ja. Edhe pse ka një përqindje të ulët votash, shohim që Partia e Kauzës së Lirë (HUDAPAR) tubon miliona njerëz në disa mitingje. Nëse do të vazhdonim, vlen të theksohet se jo të gjithë votuesit e HDP-së i aprovojnë aktivitetet terroriste të PKK.

Shkurtimisht, përdorimi për kurdët – si të ishin një klan apo fis – i një përkufizimi që nuk mund të përdorej për asnjë komunitet tjetër, nuk ka asnjë vlerë shpjeguese. Kjo shprehje është një qasje ideologjike që poshtëron kurdët.

Personalisht, sikurse plot njerëz të ndjeshëm në Turqi, unë jam në favor të mosbarazimit të HDP-së me PKK-në dhe të hapjes së një terreni politik civil, i cili do të zhvillohej nga HDP-ja. Por kur liderët e HDP-së i çojnë selam vazhdimisht PKK-së, ajo çfarë mendojnë njerëzit si unë nuk ka më kuptim. Kur politika bëhet një instrument jo i demokracisë, lirive dhe jetës civile, por i organizatës terroriste dhe i presionit totalitar të saj, atëherë nuk mbetet më asnjë rrugë për të ecur në fushën civile dhe demokratike.

Mirëpo, kur situata nuk është edhe kaq e komplikuar, pse disa qarqe të caktuara në Turqi insistojnë të tregojnë PKK-në dhe HDP-në si “politikë kurde”? Përse vallë i dorëzohen gjuhës së PKK-së dhe imperializmit? Këto përpjekje për të shtrembëruar faktet mund të ndodhin edhe në vendet e rajonit, jo vetëm në Turqi.

Le të ndalemi mbi arsyet kryesore që na vijnë në mendje.

Frika nga PKK-ja: Njerëzit si ne, të cilët bëjnë një jetë demokratike, liberale dhe pluraliste, përgjithësisht kanë prirjen të harrojnë presionet e ushtruara nga organizatat terroriste dhe frikën fatale që ato krijojnë. Sepse grupet terroriste janë në rend të ditës vetëm kur ato kryejnë akte terroriste dhe pastaj zhduken ca kohë më vonë. Megjithatë organizatat terroriste përdorin metoda si mbjellja e frikës, vendosja e presionit dhe shënjimi direkt i individëve. Rrjedhimisht, një pjesë e përpjekjeve për të përgjithësuar tërë kurdët në përkufizimin “politika kurde” mund të shpjegohet me frikën nga PKK-ja. Pasi dihet që PKK-ja eliminon intelektualët dhe civilët kurdë që e kundërshtojnë atë dhe zhvillojnë një diskurs tjetër.

Presioni i shokëve: Një pjesë e rëndësishme e atyre që përdorin termin “politika kurde”, vijnë nga qarqet e së majtës turke. Siç dihet, e kaluara e një pjese të madhe të figurave eminente të së majtës turke është brumosur me një traditë revolucionare. Kjo përpjekje e qarqeve brenda të majtës turke, të cilat përdorin me ngulm shprehjen “politika kurde”, mund të konsiderohet si një “solidaritet i revolucionarëve” me PKK-në që vjen nga një traditë marksiste-leniniste. Një tjetër arsye e tendencës së këtyre rretheve për të përvetësuar një perspektivë totalitare mund të shpjegohet me faktin se ato nuk janë shkëputur sa duhet nga tradita revolucionare dhe s’kanë përvetësuar mjaftueshëm koncepte të tilla si demokracia, liria dhe pluralizmi.

Integrimi me mjediset ndërkombëtare armiqësore ndaj Turqisë: Vërejmë se disa prej atyre që përdorin shprehjen “politika kurde” janë integruar në qarqet ndërkombëtare armiqësore ndaj Turqisë. Këto rrethe të financuara nga komunitetet në fjalë ekspozojnë një qasje në përputhje me ata që i financojnë ato.

Opozitarizmi: Qëndrimi antiqeveritar mund të ndihmojë në kuptimin e sjelljes së disa intelektualëve. Vetëm dhe vetëm për të kundërshtuar qeverinë dhe Erdoganin, disa intelektualë mund të shkojnë kaq larg sa të mbështesin një organizatë terroriste, e cila trafikon heroinë dhe vret fëmijë të pafajshëm.

Tjetërsimi intelektual: Kjo mund të quhet edhe qëndrim antishoqëror. Tjetërsimi intelektual është historia e trishtuar e përhumbjes 200-vjeçare të shoqërive joperëndimore drejt evropianizimit. Këtë histori të hidhur e shpjegon jashtëzakonisht bukur edhe poeti turk Sezai Karakoç, në vjershën e tij me titullin “Përrallë” (Masal). Në periudhën osmane, shumica e njerëzve që u dërguan në Perëndim për qëllime arsimore, që të kontribuojnë në vendin e tyre duke mësuar shkencën dhe teknikën e atyre shteteve, u kthyen në atdhe si të huaj për shoqërinë e tyre dhe filoperëndimorë. Kurse gjatë periudhës republikane, ata u shkëputën plotësisht nga kultura, historia dhe qytetërimi i tyre për t’iu dorëzuar Perëndimit në aspektin kulturor.

Si përmbledhje, të konsiderosh “politikë turke” rrugën që ndjek një parti e majtë margjinale dhe organizata terroriste majtiste DHKP-C, e cila formohet kryesisht nga turqit, është po kaq domethënëse sa të thuash “politikë kurde” për PKK-në dhe HDP-në. Cilado qoftë arsyeja – frika nga PKK-ja, presioni i shokëve, etj. – të shikosh PKK-në dhe/apo HDP-në si “politikë kurde” është fyerje për kurdët e ndershëm, liberalë dhe paqësorë. Ata që pretendojnë të jenë intelektualë, kanë për detyrë jo t’i dorëzohen retorizmit të terrorit dhe imperializmit, por të adoptojnë me nder një qëndrim kundër tyre dhe të amplifikojnë realitetin./ trt

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne