nga Nauman Sadiq.
Kohët e fundit është bërë një zakon i orientalistëve apologjistë të imperializmit perëndimor që të ofrojnë shpjegime të reduktuara historike dhe teologjike mbi konfliktin suni-shia në rajonin e Lindjes së Mesme, me qëllim që të mbulojnë ndërhyrjet ushtarake perëndimore të keq planifikuara dhe luftërat e zhvilluara nga përfaqësuesit e tyre të cilët sot i kanë vënë flakën konflikteve të brendshme në botën islame.
Disa “arabistë” të vetëshpallur të mediave kryesore thonë se ndasitë vijnë që nga kohërat e para të fillesave të Islamit, 1400 vite më parë dhe pretendojnë se konflikti ka nisur gjatë sundimit të kalifit të katërt, Ali bin Abi Talibit, në shekullin e shtatë pas Krishtit
Dikush mund të mendojë se si do të ishte shpjegimi i luftës amerikane kundër terrorit nga këta historianë të tillë “eruditë” të Islamit, ndërkohë që shkaku i “përplasjes së qytetërimeve” midis të krishterëve dhe myslimanëve mund të gjendet tek kryqëzatat kur Rikard Zemërluani dhe Salaudini përlesheshin në Levant dhe në të njëjtën kohë shkëmbenin me njëri tjetrin mirësjelljet e tyre.
Fakti është se në kohët moderne, konflikti suni-shia në rajonin e Lindjes së Mesme është në thelb një konflikt politik mes autokrateve arabe të Gjirit dhe Iranit për dominim rajonal i cili na prezantohet sikur muslimanët janë zhytur thellë në fetarizmin e tyre.
Arabia Saudite është vendi i cili ka luftuar shumë që të bëhet udhëheqësi i bllokut sunit në gjeopolitikën rajonale kundër Iranit, vendit të dominuar nga shizmi por që njëkohësisht ka qënë edhe kundër pushtimit të Irakut nga administrata Bush në vitin 2003.
Regjimi Baathist i Sadam Huseinit përbënte një bastion suni kundër ndërhyrjes së Iranit në botën arabe. Por pasi që Sadami u rrëzua nga pushteti në vitin 2003 dhe më pas kur u zhvilluan zgjedhjet në Irak të cilat u fituan nga partitë e dominuara nga shitët, Iraku filloi të drejtohej nga një qeveri me shumicë shite e cila u bë aleatja e palëkundur rajonale e Iranit. Rrjedhimisht, sfera e ndikimit të Iranit tani shtrihet gjithandej, nga Iraku në Siri, në Liban dhe deri në bregdetin e Mesdheut.
Për më tepër, gjatë pushtimit të Irakut në vitin 2003, administrata Bush përfitoi nga avantazhi i ndarjeve etnike dhe sektare në Irak dhe përdori kurdët dhe shitët kundër regjimit Baathist të Sadam Huseinit. Megjithatë gjatë viteve të pushtimit, nga viti 2003 deri në vitin 2011, pakica sunite që dikur kishte qënë politikisht dominante filloi ta humbiste pushtetin e dikurshëm, gjë së solli përkeqësimin e mëtejshëm të ndarjeve etnike dhe sektare në Irak.
Familja mbretërore saudite e ka konsideruar si ndërhyrje qasjen e Iranit në zemrën e zonës arabe. Prandaj, kur protestat shpërthyen gjatë trazirave të Pranverës Arabe kundër qeverisë siriane që dominohej nga shizmi, shtetet e Gjirit bashkë me aleatët e tyre sunitë rajonalë, Turqinë dhe Jordaninë si dhe perëndimorët, gradualisht militarizuan protestat për të shkatërruar boshtin iranian të rezistencës.
Gjatë disa viteve të fundit, në Siri, Irak dhe Jemen është duke u zhvilluar një luftë e plotë suni-shija, e cila do ti ketë pasojat e saj në të gjithë botën islame, ku muslimanët sunitë dhe shitë kanë bashkëjetuar në paqe relative për shekuj me radhë.
Megjithatë, për të krijuar një pasqyrim të objektivitetit dhe paanësisë, politikëbërësit dhe analistët amerikanë gjithmonë janë treguar të gatshëm që të pranojnë fajin për gabimet e së kaluarës së largët që nuk kanë ndikim në politikën e tyre të tanishme, megjithatë çdo fakt që ndikon në politikën e tyre të tanishme lihet krejtësisht mënjanë me lehtësi.
Në rastin e krijimit të Shtetit Islamik, analistët e politikës amerikane ishin të gatshëm të pranonin se pushtimi i Irakut në vitin 2003 ishte një gabim pasi radikalizoi shoqërinë irakiane, përkeqësoi ndarjet sektare dhe prodhoi një kryengritje të rreptë sunite kundër politikave të rënda dhe diskriminuese të qeverisë irakiane të dominuar nga shizmi.
Në mënyrë të ngjashme lidhur me luftën kundër terrorizmit, komentatorët politikë “me bujari” pranojnë gjithashtu faktin se politika e kohës së Luftës së Ftohtë që ushqeu al-Kaidën dhe një numër të madh luftëtarësh afganë, të ashtuquajturit “luftëtarët e lirisë” kundër Bashkimit Sovjetik, ishte një gabim, megjithatë ata thonë se gjithë ato veprime të kryera në atë periudhë, sot nuk kanë asnjë ndikim në politikat e tyre aktuale.
Gazetarët e varur zakonisht harrojnë se krijimi i Shtetit Islamik dhe i një numri të madh të grupeve të tjera xhihadiste sunite në Siri dhe Irak lidhen më shumë me pushtimin e njëanshëm të Irakut në vitin 2003 nën administratën e Presidentit Bush. Keto grupe lidhen gjithashtu edhe me administratën e Obamës e cila i ka financuar, armatosur, trajnuar dhe legjitimuar ndërkombëtarisht këta militantë sunitë në luftën kundër qeverisë siriane e dominuar nga shizmi. Në fakt, shkaku kryesor i ngritjes së Shtetit Islamik, Frontit el-Nusra, Ahrar al- Sham, Jaysh al-Islam dhe grupeve të tjera xhihadiste arabe në Siri dhe Irak ishte politika ndërhyrëse në Siri e administratës së Obamës përmes luftëtarëve të saj.
Kufiri mes Sirisë dhe Irakut është shumë i hapur dhe i ruajtur keq. Politika e administratës së Obamës në ndihmë të militantëve kundër qeverisë siriane ishte e destinuar që herët a vonë të kishte si rezultat një shpërthim bumerang edhe në Irak. Prandaj, sapo Shteti Islamik filloi që të konsolidonte fitoret e tij në Siri, në fillim të vitit 2014 ai pushtoi në Irak qytete Mosul dhe Anbar, nga ku SHBA-ja kishte tërhequr trupat e saj vetëm disa vite më parë në dhjetor 2011.
Përveç Sirisë dhe Irakut, dy pika të tjera zjarri të konfliktit suni-shia në rajonin e Lindjes së Mesme janë Bahreini dhe Jemeni. Kur protestat paqësore të popullsisë me shumicë shite shpërthyen kundër monarkisë sunite në Bahrein gjatë Pranverës Arabe të vitit 2011, Arabia Saudite dërgoi mijëra trupa në të gjithë kufirin për ta shuar kryengritjen.
Në mënyrë të ngjashme, kur huthët e mbështetur nga Irani, të cilët i perkasin gjithashtu degës së Islamit shit, zaptuan Sanën në shtator 2014, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nisën në mars 2015 një tjetër ofensivë sunite kundër milicisë huthe në Jemen.
Natyra e konfliktit në Jemen është sektare deri në atë masë sa që vitin e kaluar lideri Qasim al-Raymi i degës së al-Kaedës në Jemen pohoi se al-Kaeda kishte luftuar për tre vitet e fundit krah për krah me aleancën e udhëhequr nga sauditët kundër rebelëve të mbështetur nga Irani.
Megjithatë, e vërteta vështirë se duket si surprizë, sepse në fund të fundit përfaqesuei zyrtar i Al-Kaidës në Siri, fronti el-Nusra po lufton gjithashtu në anën e të ashtuquajturës opozita e moderuar siriane kundër qeverisë siriane. Për më tepër, sipas Komisionit Kombëtar të Pakistanit për të Drejtat e Njeriut, 509 muslimanë shitë që i përkisnin grupit etnik hazara janë vrarë në qytetin perëndimor të Kuetas në Pakistan që nga viti 2013. Edhe pse grupi militant sektar Lashkar-e-Jhangvi me bazë në Punjab shpesh herë ka mbajtur përgjegjësinë për masakrën ndaj hazarave në Kueta, pretendime të tilla shpesh kanë dalë mashtrime.
Forca e Lashkar-e-Jhangvi kryesisht shtrihet në Punjab, ndërsa Kueta, kryeqyteti i provincës Balochistan gjendet pothuajse tre orë me makinë nga Chamani, kufiri fganistan-Pakistan dhe konsiderohet si qendra e veprimtarive talebane.
Pas pushtimit amerikan të Afganistanit në vitin 2001 me ndihmën e Aleancës Veriore, lidershipi i lartë i talebanëve është vendosur kryesisht në Kueta, në zonat rurale afër tij dhe në kampet afgane të refugjatëve, për këtë arsye lidershipi quhet Shura Talibane e Kuetas.
Për të kuptuar konfliktin Taliban-Hazara, vlen të përmendet se lidershipi i grupit etnik Hazara gjithmonë ka mbajtur anën e Aleancës Veriore e përbërë nga taxhikë dhe uzbekë përkundër talebanëve të drejtuar dhe dominuar nga pashtunët.
Talebanët kanë kryer masakra të shumta kundër popullit hazara në Afganistan, veçanërisht pas masakrës së 3,000 të burgosurve talebanë nga ana e kryekomandantit Uzbek Abdul Malik Pahlawan. Po në të njëjtin qytet, në gusht të vitit 1998, në Mazar Sharif u masakruan nga Talebanët mijëra Hazara për tradhti ndaj Talebanëve.
Populli Hazara është një grup etnik uzbek që flet gjuhën Dari (persishtja afgane). Ai jeton në rajonin Hazarajat të Afganistanit qendror, megjithatë rreth 600,000 Hazara jetojnë gjithashtu edhe në Kueta të Pakistanit. Megjithëse konflikti midis Talebanëve dhe Hazarave mund të duket fetar dhe sektar, arsyet e vërteta të konfliktit janë të një natyre politike, siç e kam përshkruar tashmë.
Tani që zjarri i grindjeve ndërsektare po digjet në disa fronte të ndryshme të Lindjes së Mesme dhe komunitetet sunite dhe shite po dëshmojnë një masakër të pamëshirshme të vëllezërve të tyre në Siri, Irak, Jemen, Bahrein, Afganistan dhe Pakistan, do i binte që të ishte çmenduri që kërkimi i shkaqeve të konfliktit të bëhej brenda në teologjine fetare dhe historinë mesjetare. Nëse muslimanët sunitë dhe shitë do të kishin qenë kaq të etur për gjakun e njëri-tjetrit që nga fillesat i Islamit, atëherë si arritën që të mbijetonin si grupe sekrete për 1400 vite?
Fakti është se në kohët moderne, fenomenet e radikalizmit islamik, xhihadizmit dhe konfliktit konsekuent suni-shia janë po aq të vjetra sa cështe i vjetër edhe xhihadi afgan kundër sovjetikëve në vitet 80, kur fuqitë perëndimore me ndihmën e aleatëve të tyre rajonalë trajnuan dhe armatosën xhihadistët afganë për të luftuar trupat sovjetike në Afganistan.
Megjithatë, në mënyrë më të konsiderueshme, lufta që filloi pas revolucionit të Khomeinit të vitit 1979 dhe që vazhdoi deri në vitin 1988 midis Irakut Baathist, i udhëhequr nga sunizmi dhe Iranit të udhëhequr nga Shizmi, shkaktoi në rajon acarim dhe armiqësi mes bashkësive sunite dhe shite, për herë të parë në historinë moderne.
Dhe së fundmi, konflikti është përkeqësuar më tej në prag të kryengritjeve të Pranverës Arabe në vitin 2011 kur fuqitë perëndimore dhe vendet klienteriste rajonale shfrytëzuan edhe njëherë mundësinë duke përkrahur militantët kundër qeverisë nacionaliste arabe te Gadafit në Libi dhe qeverisë së udhëhequr nga administrata e Asadit në Siri.
Nauman Sadiq është një avokat, gazetar dhe analist gjeopolitik me bazë në Islamabad. Ai fokusohet në politikat e rajoneve Afganistan-Pakistan, Lindje e Mesme, neokolonializëm dhe petro-imperializëm.
burimi: globalresearch/Gazeta Impakt