Polonia dhe ligji i Holokaustit

Pas nënshkrimit të ligjit të Holokaustit nga presidenti Duda në Poloni, ka pasur reagime të ashpra nga bota e jashtme. A e ka nënvleftësuar Varshava efektin e këtij ligji?

Stella Testa i mbijetoi Holokaustit dhe sot jeton në Jeruzalem. Kujtimet e Luftës së Dytë Botërore janë sot omniprezente për 90 vjeçaren. Ajo e ka ndjekur me vëmendje debatin për ligjin e ri të diskutueshëm: “Unë nuk besoj se Polonia do përpiqet t’i shpëtojë përgjegjësisë”, thotë Testa duke treguar mirëkuptim për pozicionin që mban Polonia. Por nga ana tjetër: “Nuk ka kërkënd që të mos ketë faj, të gjithë kanë faj. A nuk ka pasur edhe Roosevelti faj? Pse nuk e bombarduan ata Aushvicin?”

Testa, e cila ka lindur në Maqedoni, ka qenë e re kur i duhej të fshihej nga nazistët duke shkuar vitet e para me disa partizanë në Evropën Lindore. Edhe në Poloni kishin frikë, kujton ajo: “Kur pyeteshin prej gjermanëve, njerëzit i tregonin bashkëqytetarët. Kur erdhën gjermanët, fqinjët donin madje të më vrisnin.” Por nuk duhen bërë përgjithësime, “faji është individual.”
Grindje polako – izraelite

Kryeministrat e Polonisë dhe Izraelit, Netanjahu dhe Morawiecki, kanë rënë dakord për krijimin e një grupi bilateral pune për rishikimin e historisë. Por Polonia nuk donte të priste. Presidenti Andrzej Duda, nënshkroi ligjin e diskutueshëm të Holokaustit. Ligji parashikon dënime që shkojnë nga gjoba deri në tre vjet burgim për dikë që mes të tjerash quan fajtor ose bashkëfajtor dikë “në publik dhe në kundërshtim me faktet” e popullit ose shtetit polak, për krimet naziste të kryera nga “Rajhu i tretë”. Duda ia prezantoi këtë ligj Gjykatës Kushtetuese polake. Ajo duhet të shohë nëse ligji ve në rrezik shprehjen e mendimit të lirë në publik në Poloni.

Ndërkohë konflikti polako- izraelit është shtruar të paktën në nivel qeveritar. Ministri i Jashtëm izraelit shpreson që të dy palët të bien dakord për ndryshimin e ligjit. “Izraeli dhe Polonia kanë një përgjegjësi të përbashkët, që është të studiojnë dhe të ruajnë historinë e Holokaustit” – thotë deklarata zyrtare. Në parlament, Knesset, është duke u përgatitur një reagim për ligjin polak. Pavarësisht nga partia, të gjithë duan të arrijnë përmirësimin e dy ligjeve të veta: Bëhet fjalë për dënimin e mohimit të bashkëpunimit me krimin nazist dhe ndihmën juridike për punonjësit e vendeve përkujtimore. 80 nga 120 deputetët e

parlamentit duan të përkrahin projektligjin.

Edhe studiuesit izraelitë kanë thënë fjalën e tyre: Megjithëse Arti dhe Shkenca është e përjashtuar nga ligji i diskutueshëm në Poloni. Por: “Ai duhet të prezantojë rolin e Polonisë në Holokaust si një të vetëm të vërtetë. Kjo është shumë problematike”, ankohet David Silberklang, historian në Institutin Ndërkombëtar për studimin e Holokaustit në Jeruzalem. Pjesa më e madhe e institucioneve dhe studiuesve përkrahin idenë që të mos përdoret shprehja “kampe polake përqëndrimi”, por në këtë mënyrë ligji pengon debatit publik. “Natyrisht që populli polak nuk ka marrë pjesë masive në Holokaust, megjithatë ka pasur njerëz që kanë bërë gjëra të tmerrshme – dhe për këtë duhet folur”, thotë historiani.

Zhgënjime në SHBA
Reagime të ashpra që erdhën nga SHBA krijuan shqetësime në Poloni. Pas nënshkrimit të ligjit për Holokaustin ministri amerikan i Jashtëm, Rex Tillerson, tha se Shtetet e Bashkuara janë të “zhgënjyera”. Tillerson kritikoi ligjin se ka “efekt negativ mbi shprehjen e mendimit të lirë dhe studimeve akademike”. Kritikë kaq e qartë e shprehur nga partneri më i rëndësishëm i Polonisë nuk ishte dëgjuar në Varshavë kurrë, as në reformimin e diskutueshëm të Kushtetutës. Edhe deputetët e Kongresit të të dy partive e kritikuan ashpër Poloninë. Orrin Hatch, senatori më i vjetër i republikanëve dhe anëtar i “Këshillit përkujtimor amerikan të Holokaustit” theksoi se “ligji është shumë i dëmshëm për të gjithë ata që duan të mësojnë nga leksionet e errëta të së kaluarës dhe të punojnë për një të ardhme më të mirë.” Debbie Wasserman-Schulz, kongresiste nga Florida dhe kryetare e Partisë Demokratike kritikoi vendimin e presidentit polak Duda dhe u tregua “thellësisht e zhgënjyer dhe e prekur”.

Kritikë nga Bashkimi Evropian

Po Brukseli? Presidenti polak i Këshillit të BE, Donald Tusk e vlerëson vendimin e Varshavës si kontraproduktiv. Tusk akuzon qeverinë polake se ka arritur me ligjin të kundërtën e asaj që donte të arrinte: “Autorët e ligjit e shpërndanë në gjithë botën emërtimin e gabuar “kamp polak i vdekjes’ me efektivitet aq të lartë sa kurrë më parë”, transmetoi Tusk me twiter.

Zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së, Frans Timmermans i bëri thirrje të gjitha shteteve të pushtuara dikur nga nazistët që të prezantojnë fakte historike: “Ka pasur shumë heronj që kanë bërë rezistencë dhe kanë luftuar kundër pushtuesit. Por për fat të keq në të gjitha vendet ka pasur edhe njerëz që kanë bashkëpunuar me pushtuesit nazist për të zbatuar planet e tyre të tmerrshme”.

Gjermania nënvizon fajin e saj historik

Një rol të rëndësishëm në debatin e nxehtë merr Gjermania. Që para nënshkrimit të ligjit të diskutueshëm ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel, nënvizon fajin historik gjerman: “Nuk ekziston as më i vogli dyshim kush është përgjegjës për kampet e zhdukjes, kush i vuri në përdorim dhe kush vrau atje miliona hebrej evropianë: pikërisht Gjermania”. Genocidi i organizuar ka filluar nga Gjermania dhe prej asnjë vendi tjetër, “bashkëpunëtorë të veçuar nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim shumë të madh.”

Kampet e përqëndrimit nuk janë ngritur rastësisht në Poloni, shtoi Gabriel: “Sepse kultura polake duhej zhdukur po ashtu si çdo gjë hebreje. Tre nga gjashtë milionë hebrejtë e vrarë vinin nga Polonia.” Ndërgjegja e këtij faji historik është titulli i identitetit të sotëm gjerman dhe “konsesusi qendror i të gjitha forcave demokratike në Gjermani”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne