Pompeo anashkalon udhëtimin për në Moskë për të diskutuar Iranin në Bruksel

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo anashkaloi udhëtimin e sotëm për në Moskë për të diskutuar me aleatët evropianë “kërcënimet nga Irani”, tha Departamentit i Shtetit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pompeo ishte planifikuar të vizitonte stafin e Ambasadës së SHBA-së në Moskë para takimit të së martës me presidentin rus Vladimir Putin në qytetin limanor rus Soçi, i cili pritet të vazhdojë sipas planit.

Zëdhënësja e departamentit Morgan Ortagus tha në një njoftim se Pompeo do të ndalojë në Bruksel “për të diskutuar veprimet dhe deklaratat e fundit kërcënuese nga Republika Islamike e Iranit”.

“Sekretari Pompeo do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë për të garantuar sigurinë e interesave tona të përbashkëta në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën”, tha Ortagus.

Administrata Trump së fundmi ka rritur alarmin rreth kërcënimeve nga Irani, por ka refuzuar të specifikojë se për çfarë kërcënime bëhet fjalë.

Në vazhdën e tensioneve të larta, Arabia Saudite, rivali rajonal i Iranit, sot deklaroi se dy tankerë të naftës janë qëlluar nga një sulm sabotues pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).

Autoritetet e EBA-së nuk dhanë ndonjë deklaratë të menjëhershme për sulmin e raportuar, por ai ndodhi një ditë pasi Emiratet thanë se katër anije tregtare janë goditur nga sulme sabotuese jashtë brigjeve të qytetit limanor Fujairah.

EBA nuk ka dhënë detaje rreth natyrës së sabotimit apo kush qëndron prapa tij.

Porti Fujairah gjendet rreth 135 kilometra në jug të ngushticës së Hormuzit, grykës së ngushtë të Gjirit Persik, nëpërmjet së cilës realizohet një e treta e tregtisë detare të naftës./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne